Moikom Zeqo
SCRABBLE
Ideja për Çështjen X mbart atribute të Çështjes X.
Një ide për pafundësinë është vetë ide e pafundme!
Tymi s’kthehet kurrë brenda cigares së ndezur, pasta e dhëmbëve s’futet prap brenda tubetës nga ka dalë!
Scrabble është lojë angleze shkathtësie, në të cilën lojtarët ndajnë mes tyre një sasi gurësh, si ato të dominosë, të cilët nga njëra anë kanë nga një germë të alfabetit latin.
Lojën e fiton ai që arrin i pari të formojë fjalë me të gjithë gurët që ka në dorë.
Ah, scrabble!
Si mund të fitosh në kaos?
Bota s’është rendi i rregullit por një entropi e ulët!
Kështu ndodh në scrabble!
Në këtë lojë ka më shumë shanse që në dorën e parë prej shtatë germash të të bijen fjalë me katër, ose me pesë germa, sesa fjalë me shtatë germa.
Përherë mundësitë janë të kufizuara.
Dhe arti.
Ç’poet bëri poema me scrabble?
Fjalët janë forma të vetmisë, sepse sintaksa është iluzive.
Fati i yjeve në scrabble!
I peshqve dhe papagajve!
Nabukodonozori s’del asnjëherë në fjalëformimet në scrabble!
Keats-i po.
Ndoshta dhe Mjeda!
Germat e rastësishme janë gjuha që shpiket përherë!
Nuk fiksohet, ndaj s’artikulohet.
Scrabble jemi vetë ne.
Scrabble janë ëndrrat në heshtje absolute!
Njeriu!
Juget vix tria verba miser.
(Ai i mjeri mezi lidh bashkë tri fjale ) (1997)
Demoniakia tek Onufri
Onufri qe piktor me kulturë të madhe teologjike.
Nocionin e Demoniakes, jo vetëm e metaforizon, por edhe e diferencon dhe e specifikon.
Më tej akoma, shprehet autori: Onufri i përkushtohet Hyjnores në asimetri me Demoniaken, por në një koncept universal krijon megjithatë një simetri…
Piktori i jashtëzakonshëm meta-bizantin i shekullit XVI Onufri krijoi universin e imazheve pikturike si pas një regjizure të estetikës transcendentale.
Ai është Demiurg i rrëfimeve evangjeliste si kuadrot e vijueshme të një “filmi” në një koncept ftillëzues, zanafillor.
Ai kompozon së brendshmi figurat e jashtme me një stil madhështor, të ndryshëm nga tradita rutinore e ikonografisë kreto-athosiane, tepër lakonik, ende pa ndikimin e barokutevropian, por me një trikonceptim rilindas të stilit të shkëlqyer paleolog në mjedisin nervoz, kapriçoz shqiptar.
Ai pikturon malet me silueta të larta, të tërthorta, plot stralle të arta, oranxhë, që të kujtojnë një gjeografi sa krale të Shqipërisë enigmatike dhe të përjetshme.
Ky ikonizim brilant i shkrepave, gati si në pikturat zen-budiste të artit kinez dhe japonez kanë gjithashtu një strukturë simbolike të gravurës dyreriane.
Në kompozimet e afreskave dhe të miniaturave të ikonave Onufri e shpalose dhe epikën edhe lirikën në rrafshin e hyjnores.
Ai e njeh mrekullisht parimin e simultanizmit në pikturën e tij, vendos brenda një subjekti të njëjtën figurë në etapa të ndryshme kohore, gjë që krijon një mistikë grishëse, të papritur, të çuditshme, një hermetikë përherë moderne.
Nuk është e rastit që Andre Bretoni, ati i surrealizmit 4 shekuj më vonë do ta quante parimin e simultanizmit të artit bizantin si një parim të krejt artit surrealist.
Në një kuptim të estetikës teologjike, arti i Onufrit është një përplasje, një triumf i Hyjnores ndaj Demoniakes.
Kjo gjë nuk është vënë re nga studiuesit onufrologë ashtu si duhet.
Thënë më shkurt nga njëra anë është Krishti i mrekullueshëm prometeik dhe nga ana tjetër është Djalli i errësirës.
Ja kontrasti, dialektika.
E mira dhe e keqja!
Në kishën e Valshit, të pikturuar në 1554 Onufri e ka realizuar më afresk skenën ANASTASIA d.m.th. Ringjallja, frymëzuar nga Apokalipsi.
Krishti i ringjallur zbret në Had, Triumfator mbi Vdekjen, u zgjat duartpër t’i ngritur në Qiell Adamit dhe Evës dhe profetëve të mëdhenj.
Për t’i ringjallur si shpirt dhe si trup.
Për t’u dhënë një Tokë të Re dhe një Qiell të Ri.
Për të mos patur kurrë më vdekje.
Kjo është optika e Teologjisë së Çlirimit, e jetës së Pavdekshme.
Në afreskun e Valshit, Krishti shpagues shkel figurën e Djallit.
Djalli është një hibrid i njeriut dhe kafshës, ka një mjekër të gjatë dhe brirë, në gjymtyrët e tij plot lesh duken vargonjtë e zinxhirëve, duken portat e thyera të Hadit, veglat e torturave që Djalli ua përdor mëkatarëve në Pasvdekje, ca gjilpëra të çuditshme, shtizashpuese, gozhdë.
Fytyra e Djallit është e deformuar, veshët e tij janë në pozicion mbrapsht, gishtat e tij janë kthetra.
Djalli është kryemetafora e Demoniakes.
Djalli është kështu një parimontologjikisht negativ.
Figura e tij në Krishtërim ka arketipin e Satirit pagan, seksual, me brirë, i shëmtuar.
Sipas deontologjisë mesjetare ai është Luçiferri, Belzebuli (Zoti i Mizave), Satanai, Belfagori.
Ai ndryshon në shumë trajta, pra është poliform.
Në teologjinë negative të traktatit të Dionis Pseudo-Aeropagut, djalli është antiteza e Zotit.
Në tërë ikonografinë shqiptare vetëm Onufri e ka realizuar figurën e detajuar të Djallit, duke mos harruar edhe figura të tjera të arealit demoniak.
Në ikonën e Pagëzimit, Krishti rrimbilumin Jordan, në valët e Jordanit duken dy figura pagane Poseidoni dheTetis, që Krishtërimi i quan hyjni të rreme, pra të arsenalit dhe bashkësisë së Djallit.
Në ikonën e Lindjes së Krishtit, Onufri reflekton një legjendë apo krife të krishterimit të hershëm.
Në anën e djathtë të skenës Onufri pikturon të vluarin e Marisë, Jozefin, e mbërthyer nga dyshimet kur mësoi, se Maria është shtatzënë ende pa e konsumuar fizikisht aktin seksual të martesës, dhe përpara Josifit vë figurën e Djallit në formë e një bariu, me kapele, me stap, me dorën e majtë dhe me enën e ujit-susak, në brez.
Kjo gjë nuk shënohet tek ungjijtë sinoptikë.
Por ka ekzistuar tek shkrimet gnostike të hershme.
Djalli si bari shqiptar nuk është i shëmtuar.
Përkundrazi. Djalli është poliform, ai mund të paraqitet dhe në formën e njerëzve, që nuk ngjallin rrezikshmëri, madje nganjëherë edhe në formën e një Krishti të Rremë.
Onufri qe piktor me kulturë të madhe teologjike.
Nocionin e Demoniakes, jo vetëm e metaforizon, por edhe e diferencon dhe e specifikon.
Onufri i përkushtohet Hyjnores në asimetri me Demoniaken, por në një koncept universal krijon megjithatë një simetri.
Onufri sendëzon, bën fakt të përjetshëm, një tipologji të estetikës së ikonografisë së krishterë si një nga traditat më të mëdha të njerëzimit.
Ai është sa shqiptar aq edhe botëror.
Ai është përfundimisht Onufri, pa asnjë të dytë! Amen.( 1999)
Sibila Kumana
Pjetër Bogdani e ka shkruar një parabolë në librin e tij “Cuneus Prophetarum” në 1685 për Sibilen Kumana:
“Origjina e Sibilës Kumana është prej qytetit Kuma në Azi të Vogël.
Ajo shkroi libra të ndryshëm për parashikimet, nëntë prej cilëve ja solli për t’i parë Tarquinius Superbus-i, Mbretit të Romës.
Më pas i kërkoi treqind peneza (moneta) të arta për t’ia dhënë librat.
Mbreti nuk ja dha, ngaqë ju dukën shumë.
Ajo menjëherë i dogji tre libra përpara tij dhe po i kërkoi po aq për gjashtë që mbetën.
Mbretit kjo gjë ju duk akoma më shumë marrëzi dhe qeshi. Sërish, prej gjashtë libra ajo i dogji tre dhe i tha t’i japë për tre librat e mbetur po aq sa i kërkoi në fillim.
I habitur Mbreti i dha gjithë çmimin që kishte kërkuar që në fillim për tre librat e vetëm të mbetur, duke i ruajtur në Kampidol dhe duke i mbajtur me nder të madh.
Këtë e thotë shën Augustini (De Civitae Dei, libr. 10, kreu 20), Eusebi, (libr. 4 tek De vita e Costant.) si dhe Kardinali i lartë Lauria, (tek vëll. I, Dicputat. I, num.5.) »
Bogdani e shkruan poezinë profetike në latinisht të Sibiles Kumena :
Tunc ad mortales veniet mortalibus ipsis
In Terris Similis Natus Patris
Omnipotentis Corpore Vestitum:
Vocales quatuor autem Fert,
non Vocalesque duas binum geniorum
Sed, qual sit numeri totius, suma docebo
Namque octo monades, tot idem decades super isteas
Atque hac Antontadas octo infidis significabit
Hominibus nomen: tu vero mente teneto.
Në shqip:
Nga vdekatarët ahere do të vijë tek vdekatarët
Ai që është i lindur në Tokë dhe i veshur si njeri,
I ngjashëm me të Atin e gjithëpushtetshëm,
Katër zëra duke mbartur,
jo pra dy herë nga dy zëra të gjenive.
Por nga ajo që bën tërësinë e numrit,
do ta mësojë mbarimin,
Sepse tetë monada aq dekada do të jenë mbi Të
Dhe këto Antontade do t’u tregojë njerëzve në pusi
Tetë emra: e pra ti mbaji në mënd!
Vërtet diçka e çuditshme!
Një matematikë mistike!
Krishti mbart katër zëra (por jo thjesht “dy herë nga dy zëra të gjenive”.)
Pra jo thjesht zëra të njerëzve të mëdhenj, por të diçkaje hyjnore.
Por tërësia e numrit do të jetë i ndryshëm përsëri.
Tetë monada (numerikisht tetë dekada, pra numri tetëdhjetë).
Dhe emri i Krishtit do të shfaqet si Tetë emra njëherësh! Duket se ka një dituri misterioze që në kohërat moderne është e mbyllur dhe e paditur më.
Po akoma më befasues është kumti numerik i parabolës. Nëntë librat e Sibiles Kumana e kishin të njëjtin çmim të lartë sa edhe gjashtë, por edhe sa tre libra vetëm.
Pra 9-ta, 6-ta dhe 3-shi matematikisht të ndryshëm janë njëkohësisht i njëjti numër plural për shkak të substancës së brendshme.
Duke e rilexuar me ngulm parabolën antike në ndërgjegjen time të shqetësuar lëviz një ide borgesiane për letërsinë: ajo që shkruhet shkurt ka gjithashtu vlerë shumë më të madhe dhe se tre libra mund të jenë akoma më shumë se tre milionë libra.
Kjo alternativë është grishëse, mikluese, por edhe një sprovë titanike e intelektit.
Kjo e tejkalon profecinë numerike. (1990)
