Vendet anëtare të prodhimit të naftës, OPEC, kanë arritur një marrëveshje fillestare për uljen e prodhimit të arit të zi për herë të parë në 8 vjet, duke shkaktuar një rritje të çmimit bruto.
Kombet kryesore të eksportit të naftës e arritën këtë marrëveshje gjatë bisedimeve në Algjeri për të lehtësuar frikën e mbiprodhimit dhe furnizimit të tepruar.
Ministrat e naftës thanë se detajet e plota të kësaj marrëveshjeje do të finalizohen në një mbledhje formale të OPEC në nëntor.
Prodhimi do të bjerë me rreth 700.000 fuçi në ditë, por limiti nuk do të jetë i njëjtë për të gjithë kartelin, pasi Iranit i është lejuar të rrisë prodhimin. Mosmarrëveshjet e Iranit dhe rivalit rajonal, Arabisë Saudite, kanë penguar përpjekje të mëparshme për arritjen e një marrëveshjeje.
Shumë nga anëtarët më të vegjël të OPEC kishin kërkuar që më parë ulje të prodhimit, pasi çmimi i naftës ra në mënyrë drastike në 110 dollarë për fuçi gjatë 2 viteve të fundit, për shkak të mbi-prodhimit dhe kërkesës së ngadaltë.
Marrëveshja do të limitojë prodhimin e naftës nga vendet e OPEC në jo më shumë se 33 milionë fuçi në ditë në total. Megjithatë, tregtarë të naftës janë shprehur skeptik mbi këtë marrëveshje, duke kërkuar të dinë detajet e plota para miratimit të saj.
