Të paktën Strazimirin! Kështu thonë nën zë shumë eksponentë demokratë, diku me të vërtetë e diku me shpoti, pasi mblodhën veten dhe kuptuan se formatimi i udhëheqjes së re të Partisë Demokratike nuk është ëndërr e ligë, nga ato që kur zgjohesh, e kupton i lehtësuar se gjithçka ishte fantazi e trurit të çakorduar. Të paktën atë ta kishin nderuar me ndonjë sekretariat, sepse për shkak dhe meritë, apo ters të tijin, PD është ende në gjendje bojkoti parlamentar. Në shenjë proteste ndaj dhunimit të një deputeti të opozitës nga kolegë të mazhorancës, në një akt ndaj të cilit qeveria akuzohet se nuk ka reflektuar aspak.
Po komentohet gjatë këto dy ditë, nëse ky lloj lidershipi i selisë blu është vula e mbrame që tregon se PD-ja po përgatitet edhe “zyrtarisht” për një dimër të gjatë opozitar. Një komentues në DITA online thotë se vërtet gjasat janë të tilla, por çdo opozitë vjen herët apo vonë në pushtet, në varësi të mënyrës dhe cilësisë së qeverisjes. Sepse votuesi shqiptar nuk hedh votën i bindur nga një program qeverisës i paraqitur në letër, por kryen një akt proteste, ose miratimi (kjo e dyta shumë e dyshimtë) ndaj qeverisjes.
Një tjetër argument pro një PD-je të drejtuar nga Lulzim Basha dhe të organizuar e menaxhuar nga Arben Ristani, është se eksponentët e diskretituar të dy mandateve të kaluara qeverisëse, natyrshëm nuk kanë vend në ekipin e ri. Duhen njerëz të rinj, të pakompromentuar. Kjo ngjan shumë e bukur në letër. Por të vësh në krah të emrave Basha-Ristani, epitetin “të pakompromentuar”, është një shaka e madhe. Janë rreshtuar shumë herë në media bëmat e secilit, dhe ato që lidhin të dy bashkë, ndaj nuk është ky vendi. Mjaft të përmendet një simbiozë aktuale, nga ato që has shpesh në botën e kafshëve: Ristani si kryetar KQZ-je i dha Bashës bashkinë e Tiranës, që do ta ketë ende dhe për gjashtë muaj; Basha i dha Ristanit postin nr.2 të PD-së. Shkurt, njëra dorë ndyn tjetrën, të dyja bashkë bëjnë helaq një parti të tërë. Dhe nesër, me kismet, gjithë vendin.
Atëherë pse Berisha, që tani rri e kundron veprën e vet më të fundit, e pa të udhës ta katandisë partinë në këtë pikë? Pse e pa të domosdoshme të “ngrinte” dhe të “ftohte” të gjithë bashkëpunëtorët e vet besnikë, që mirë apo keq kishin krijuar edhe një profil të tyrin gjatë militimit të gjatë në këtë forcë politike, në opozitë por edhe në pushtet? Sepse humbën zgjedhjet dhe detyrimisht duhej të zhdukeshin nga skena politike dhe të merreshin me jetën e tyre përtej politikës? Kjo lidhje e natyrshme shkak-pasojë, mund të vlejë për Norvegjinë, për shembull, por jo për rastin tonë.
Sali Berisha këtë 23 vjeçar që ka dominuar jetën politike shqiptare, vazhdimisht ka kryer purga në PD. Por ka larguar (shoqëruar siç e do tradita, me sharje, ofendime e denigrim të figurës së të ikurve, më e pakta) njerëz që kanë patur rezerva ndaj tij, apo më keq, që i janë kundërvënë një moment të caktuar. Ashtu siç i ka rikthyer kur i janë dashur, me kushtin e panegociueshëm që të kenë zënë mend këtë herë. Të jemi të qetë, se në rrethana të tjera, Berisha as që kishte për t’i “ftohur” e as dëbuar bashkëpunëtorët e tij të deritanishëm, nëse do vendoste të qëndronte personalisht në krye të partisë. Maksimumi, do kishte kryer ndonjë operacion të pjesshëm kozmetik me disa të rinj e të reja plot dije e energji për të kontribuar në zhvillimin e vendit. Jo, këtë herë ishte ndryshe, sepse ishte marrë vendimi i tërheqjes vizuale, për të vazhduar të komandojë partinë në hije, duke lënë beniaminin e vet Basha të merret me punët e ditës. Por kuptohet sesa mund të respektohet një qehaja që qeveris çifligun nën vëzhgimin e kandidatëve të tjerë për qehallarë, të cilët jo vetëm nuk e respektojnë të zgjedhurin, por e qeshin, e tallin dhe mezi ç’presin t’i shkasë këmba. Sigurisht që Basha është i qetë, dhe Berisha po ashtu, tani që këtij i duhet vetëm të urdhërojë Bashën dhe ky çunat e gocat e përzgjedhur me dorën e vet. Një kotec ku të zotit i duhet të vërë rregull mes disa gjelave që zihen orë e minutë, nuk funksionon.
Sepse për fat të keq, e tillë është katandisur PD-ja, kotec. Nëse gjithë itinerari qeverisës dhe drejtues i Berishës në jetën publike shqiptare është përshkuar nga një fill i qartë diktatorial, me caktimin e udhëheqjes së re të partisë ai bëri gjestin e fundit të një diktatori: I pastroi rrugën të preferuarit të tij, për të mos u penguar nga besnikët e vet. Të cilët kanë qenë dhe ende janë gati të zbatojnë gjithçka thotë Berisha, por mund të rrudhnin buzët kur këto urdhra dilnin nga goja e Bashës.
Fshesa e Berishës, në fakt dëshmoi sesa iluziv ishte edhe vetë profili që ne kujtuam se kishin ndërtuan në PD dhe më gjerë eksponentë si Topalli, Patozi, Imami, Ruli e shumë të tjerë. Fakti që janë kaq të zëvendësueshëm, kaq të harxhueshëm, kaq “ushtarë” dhe aspak oficerë në skakierën e selisë blu, mund t’i ketë mërzitur ca. Por kjo është e vërteta; një e vërtetë që duket se ndër të parët e ka kuptuar Mesila Doda, “renegatja” e parë e denoncuar nga SHQUP-i. E cila për shumë kohë bëri të pamundurën për t’i pëlqyer Doktorit, por e kuptoi se vendi ishte zënë me kohë. Të paktën të kishin rregulluar Strazimirin…

Ke treguar aftesi profesionale ne kete analize, z. Alqi. Urime.