Opozita Berisha dhe lojërat me manekinë

redaktor

“Do të bëhej vërtet një reformë e madhe në politikë, sikur urtësia  të përhapej dot aq lehtë dhe aq shpejt sa përhapet  marrëzia”

– Uinston Çërçill –

 

Thënia e kryeministrit të madh britanik duket sikur ka parasysh atë që po përpiqet të na shfaqë  këto ditë ish-pushteti i tetë viteve të shkuara, menjëherë pas disfatës dërrmuese që pësoi në zgjedhjeje 23 qershorit. Nuk e priste njeri që pas një disfate aq të rëndë e aq të plotë në të gjithë territorin e vendit, të mundurit të mos pranojnë humbjen sikundër do të ndodhte në çdo vend normal të kësaj bote, por të përpiqen të justifikohen me anën e lojërave pa kripë me manekinë.

Sepse  humbja e atij lloj pushteti më 23 qershor, nuk ishte thjesht humbja e një pale politike, por ishte shumë më tepër se kaq. Ajo ishte humbja e një modeli të pushtetit, që nuk përpiqet të qeverisë punët e vendit, por behët copa vetëm për të qeverisur me sa më shumë leverdi punët personale e familjare të pushtetarëve , duke sunduar të gjitha fushat e jetës së vendit . Ai plebishit popullor nuk ishte thjesht humbja e një pale politike, qoftë edhe në këto palët tona politike të një tranzicioni të stisur e të komanduar nga mbetjet e diktaturës. Plebishiti popullor i 23 qershorit të këtij viti ishte rebelimi i një populli ndaj një modeli pushteti të shëmtuar, të ngritur e të mbajtur më këmbë me testamentin e trashëgimisë së Partisë së Punës. Ishte rebelimi i mbarë popullit shqiptar ndaj një tranzicioni të gjatë, që në vend të pluralizmit të natyrshëm, na kishte bërë peshqesh një pluralizëm të shpifur që nuk ishte pluralizëm politik, por ishte thjesht pluramizizëm, nëse mund të gjendet një fjalë shqipe e përshtatshme sa duhet për një stisje të tillë të shëmtuar të pasardhësit të fundit të diktatorit Hoxha, pasardhës që dëshmoi me të tepërt se nuk kishte shtat as për diktator e jo më për demokrat.

Plebishiti popullor i 23 qershorit të këtij viti, dëshmoi për të gjithë të punësuarit tanë në politikën e këtij tranzicioni, se nuk kanë pse të qahen që nuk i marrka vesh populli ngaqë ata na qenkan aq të mençur sa u kullon koka si zgjua blete dhe e keqja nuk është e tyre, por e popullit të prapambetur që nuk i kupton dot ” kokat e mëdha”, që zgjodhi me aq ligësi diktatori i fundit komunist i Shqipërisë për të komanduar politikën e traznicionit. Plebishiti i 23 qershorit dëshmoi faqe këtyre çitakëve të Partisë së Punës dhe faqe mbarë botës, se populli shqiptar nuk e meritonte këtë skotë të babëzitur pushtetarësh të paskrupuj. Dëshmoi ai plebishit popullor se populli i këtij vendi, pa përjashtuar as atë pjesë që u besoi verbërisht demokratikasve të tranzicionit të gjatë, është shumë më përpara se të punësuarit në politikë nga Partia e Punës.

Këtë duket që nuk e durojnë dot pushtetarët e sëmurë për sundim. Nuk e duron dot vendimin e popullit kjo skotë pushtetarësh të palyrë e të pafytyrë, sepse qenë të bindur se u mjaftonte testamenti i Partisë së Punës dhe i sundimtarit të saj të fundit. Me atë testament kanë shirë për më shumë se dy dekada në kurrizin e këtij populli aq të duruar dhe nuk u shkonte mendja se ky popull, aq shumë i vuajtur e i duruar, një ditë do t’i shporrte me votë plebishitare nga karriget e pushtetit . Nga ato karrige pushteti të sëmurë, që nuk i fituan kurrë me votë të lirë këto vite të gjata tranzicioni. Nuk u shkonte mendja pushtetarëve tanë të sëmurë për të sunduar, se një ditë  populli do të zgjohej e do t’i flakte tej megjithë marifetet e tyre të shumta për të manipuluar zgjedhjet .

Ca më keq për ta e ca më mirë për zgjimin e mëtejshëm të këtij populli. Për atë zgjim të bukur, që u kujton të gjithë llojeve të pushtetarëve se, kur e lëshojnë mjekrën sa u bëhet fshesë, populli nuk i duron dot më dhe i merr përpara më fshesën e plebishitit, si ai i 23 qershorit.

***

Në këtë gjendje të punëve, të gjithë njerëzit e zakonshëm të këtij vendi do të mendonin natyrshëm që ish-pushtetarët e dërrmuar nga plebishiti popullor i 23 qershorit, do të njihnin humbjen haptazi e do të nisnin analizën e shkaqeve që e shtynë popullin t’i  shporrë nga pushteti në të gjithë territorin e vendit. Se është e natyrshme që i munduri, ca më keq i munduri në ato përmasa që mundi populli pushtetin zullumqar të këtyre tetë viteve të fundit, do t’i thërriste mendjes, asaj të bukurës mendje që e kishte shpurë në një disfatë të tillë, dhe do të kërkonte falje publike për zullumet e kryera në dëm të demokracisë, të shtetit të mbarë shqiptarëve e tët drejtave dhe lirive themelore të mbarë popullit dhe do të bënte për herë të parë ca pakë gjëra të vërteta.

Për shembull:Do të jepte dorëheqjen e vërtetë brigadieri i pushtetit e nuk do të na jepte atë shfaqje më lot në sy, që na kujtoi të qarat e koreanoveriorëve kur u ikën një Kim e bëhen gati të këndojnë për Kimin tjetër…E tha bukur një penëmprehtë ato ditë, që ata artizanët, që na dhanë shfaqje me të qara, mbase do të kishin bërë më mirë të kishin qarë kur ndërroi jetë një artist i njohur e aq i mirë si Roland Trebicka dhe jo kur na thotë gënjeshtrën e radhës brigadieri i dështuar i pushtetit.

Pastaj mbase do të qe më mirë që të mblidhte atë që i ka mbetur nga garnizoni i tij dhe të qartësonte ata që ndjekin ende dhe mbarë shqiptarët se cilat qenë gabimet e zullumet që i sollën atë humbje dhe jo të na lëshonte në fushë ca manekinë, që dinë të shajnë fituesit, duke kujtuar se i kanë përsëri në opozitë dhe jo fitimtarë të zgjedhjeve. Mbase do ti shërbente më shumë shëndoshjes së opozitës një pranim i ndershëm i humbjes dhe i shkaqeve të saj dhe jo ajo shfaqje e shëmtuar me ca kostume boshe, që dinë vetëm të ulërijnë ndaj kundërshtarëve, sepse kanë frikë të pohojnë që fajtorë për humbjen e 23 qershorit  janë dhe ata, si pjesëtarë të asaj kaste pushtetarësh, që Shqipërinë e rrënuar nga krizat e gjithanshme na e renditën “pas Gjermanisë”, sepse na i kthyen dhe rrepet në “arrorë e në pjeshkore” e në të gjitha llojet e futoreve, që i kanë të gjitha të mirat, por kanë vetëm një cen të vogël : nuk lidhin dot futa për shqiptarët e thjeshtë, se “frutat” e tyre i kanë në majë dhe i hanë vetëm laraskat dhe pushtetarët…

 

Nuk e bëri dot këtë analizë pushteti i rrëzuar nga plebishiti popullor i 23 qershorit, sepse ai lloj pushteti nuk ka asnjë lidhje të natyrshme me popullin e me vendin e vet. Sepse, si popullin dhe vendin e vet, ajo skotë pushtetarësh të sëmurë për sundim e kanë llogaritur gjithmonë si plaçkë tregu për pazaret e tyre politike të radhës. Sepse kjo skotë pushtetarësh ka ardhur në pushtet me këmbën e majtë dhe prandaj përpiqet të justifikojë dhe humbjen duke nisur me këmbën e majtë…

Kujt nuk i kujtohet sesi  kjo skotë e babëzitur erdhi në pushtet në vitin 2005 me anën e skuadrës së parë të xhuveglave të Partisë së Punës? Po në vitin 2009 kujt nuk i kujtohet skuadra e dytë e xhuveglave të Partisë së Punës, që u siguroi shumicën, edhe pse në populll qenë pakicë? Po çqeverinë e tyre të rrëzuar në ditët e funduit të mandatit të dytë të tyre, kujt nuk i kujtohet sesi i mbajti me zor më këmbë  skuadra e tretë e xhuveglave të Partisë së Punës?…

Si të mos e nisin dhe njohjen e detyruar të humbjes me këmbën e majtë këta palo pushtetarë të sëmurë? Mjafton të hedhësh një sy në të shkuarën politike të atyre dy kostumeve bosh, që ka lëshuar në fushë këto ditë vape brigadieri i lodhur, por jo i dorëhequr sikundër u përpoq të gënjejë shqiptarët – ashtu siç i gënjeu dhe udhëheqësi i tij shpirtëror e ideologjik deri ditën që iku nga kjo botë- dhe kuptohet fare lehtë që kjo skotë pushteti, e mësuar vetëm me qelepire të gatshme, nuk e njeh dot humbjen. Kjo mbase është dhe arsyeja kryesore pse nuk përpiqet fare të shëndoshë opozitën e natyrshme, për të cilën ka aq shumë nevojë një demokraci funksionale. Prandaj dhe në vend që të njohin gabimet e fajet e veta, na bëjnë ca lojëra të shpifura me dorëheqje të stisura e me kostume bosh, dhe fajin ua lënë përsëri fitimtarëve. Nuk i dëgjoni si ulërijnë për të mbrojtur “punonjësit e administratës” së tyre partiake, po ata misërokë që sapo hynë në zyrat me votën e grabitur në mes të ditës, rrahën gratë e administratës për t’i përzënë nga puna? Se kjo skotë e sëmurë pushteti di vetëm të zbatojë enverizmin pa Enverin e nuk e njeh e as do ta njohë nevojën e vendit e të demokracisë për një opozitë të shëndetshme.

 

Share This Article
6 Comments
  • Te lumte mendja dhe dora.Mendoj se po te ishte ne doren tuaj sot do te ishit deputet ju dhe disa figura te tjera nga Partia juaj,por fatkeqesisht edhe ne Partine tuaj ekziston ‘uni’ dhe rezultati tashme dihet.Ne momentin kur kryetari i Partise vendos dhe jo forumet demokracia ka vdekur.Mendoj se keshtu ngjau edhe me Partine tuaj,fatkeqesisht.

  • o zoti disident, ne 1997 more nje post ne preidence, merre pereseri, nuk ka asnje problem, por nuk te pret askush qe ti me FRD te behesh forca e pare opozitare dhe te mos merresh me kostumet bosh apo miseroket . E ke me te lehte te bindesh popullin opoziar te vijne pas teje.Ti sikur ishe kandidate per deputet. Sa vota fitove. pse nuk merresh me humbjen tende. keta ishin 8 vite ne pushet dhe me siguri nuk e synuan shume mbajtjen e tij.

  • O tradite, qe s’je tradite, duhet te dish me te thjeshten gje: qe humbesi i shtrengon doren fituesit te gares (ndeshjes) dhe hiqet menjane e ben analizen e shkaqeve qe bene te humbte. Eshte kaq e thjeshte per kedo, vec teje. Nuk analizon fituesin duke shpikur lloj-lloj llogjesh se gjoja ai, fitimktari, e fitoi pa merite, se nuk do ta le te gezoje fitoren etj. etj. Meso pak edhe ti, moj tradite pa tradite.

  • Llapaqener qe s’mesuat kurre forcen e votes. Fitimtaret do e pesojne edhe me keq po nuk e filluan punen me ndryshimin e bordellos kushtetute e cila se pari perdhunon voten e shtetasit.

  • tradita apo injorant me kompjuter? Perpara lexohet artikulli studjohet dhe pastaj komentohet,shqip (pa)tradita jo si ti qe nga marazi qe ka humbur sali yt ke bere shume gabime.Shko mor legen ske byth me komentu shkrimet e Daut Gumenit ti nje cop injorant i pa shkoll

  • Zoti Gumeni te falenderoj per analizen dhe idete qe percjell me shkrimin tend…kur mendon qe ne qeverine e shkermoqur te Saliut,me 23 qershor, kishte ministra me nga 15 vjet ne karrige te kujtohen Anetaret e Byrose Politike te Partise famekeqe te Punes…..te tille ishin shnderruar udheheqesit e PD-se me Saliun ne balle…mund te mos bejne asgje keta qe po vijne ne pushtet ,por shyqyr qe Anetaret e Byrose politike me Udheheqesin e Madh po na zhduken nga ekrani nje here per njehere…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *