Nuk do jetë as Sheshi “Avni Rustemi” dhe as sheshi përpara Stadiumit Dinamo, por fusha “Ali Demi” ajo që do të mbajë emrin “Sheshi Çamëria”. Vendimi është marrë nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, pas shumë diskutimesh e debatesh. Fillimisht këshilltarët e PDIU, që njihet ndryshe edhe si partia e çamëve, kishin propozuar ndryshimin e emrit të Sheshit “Avni Rustemi” në “Sheshin Çamëria”.
Por ky propozim i tyre hasi në një kundërshtim të fortë nga ana e opinionit publik, por edhe nga një aleat i tyre. Ishte pikërisht kundërshtimi i ashpër i LSI që solli edhe zmbrapsjen e partisë së çamëve. Ndërkohë edhe PD me anë të Ferdinand Ponit ishte deklaruar pro nismës për ndryshimin e Sheshit “Avni Rustemi”.
Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, Tahir Muhedini, që është edhe kreu i këshilltarëve çamë, tha se ata janë tërhequr nga kërkesa e tyre, por duan që “Sheshi Çamëria” të quhet sheshi përballë Stadiumit Dinamo. Brenda pak minutash reagoi një lëvizje e re e lindur brenda komunitetin çam, e quajtur Lëvizja Çame. Ata theksuan se nuk ka shesh para Stadiumit Dinamo, pasi ai është me parcela private.
Kur ishte menduar se do të votohej pikërisht që ky shesh të mbante këtë emër, mësohet se do jetë fusha “Ali Demi që do të marrë emrin “Sheshi Çamëria”. Propozimi është miratuar në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë. Fusha “Ali Demi” është rikonstruktuar dhe kthyer në një hapësirë çlodhjeje për qytetarët