Dërguar me email
në adresën e redaksisë
Kam besim se opozita do kthehet në Parlament. Nuk ka asnjë arsye të lërë vendet bosh. Ato vende ia ka dhënë elektorati shqiptar dhe ai elektorat ua ka dhënë votat për të shprehur mendimet në Parlament. Natyrisht nuk është e drejta dhe as detyra e mazhorancës që të ftojë opozitën të hyjë. Jo, në radhë të parë mazhoranca nuk e ka këtë të drejtë. Mazhoranca ka punën e saj, programet e saj, ajo shpalos alternativat që në fund miratohen me shumicë votash. Opozita duhet të jetë në Parlament pasi atje është vendi ku thuhen mendimet e kundërta ndaj mazhorancës. Me postime në rrjetet sociale nuk zgjidhen problemet, por me votë pro ose kundër.
Rast i ligjit mbi ndarjen territoriale, mendoj se Basha ka gabuar. Nuk jepen shpjegime nga Basha pse nuk pranoi propozimin e shumicës që përfaqësimi në grupin e punën të ishte i barabartë dhe opozitës i jepej e drejta e vetos. Mendoj se një e drejtë e tillë nuk i është dhënë asnjë opozite për 24 vjet. Pse tani pasi ai kaloi ne Parlament bëhen lloj-lloj insinuatash? Jo, opozita, nëse ka qenë e përgatitur dhe nëse ka patur vullnet që të bëhej një ndarje e tillë territoriale, duhej të shkonte në komision, të shpaloste idetë, të vinte veton ku nuk ishte dakord dhe nuk do arrihej deri këtu. Opozita ka shansin të japë kontributet e saja në reformat që njerëzit e ndershëm i duan dhe i mbështesin. E kundërta mund të sjelle shqetësime tek mbështetësit e opozitës të cilët me siguri duan që në Parlament të jetë i pranishëm dhe kontributi i përfaqësuesve të tyre.
