Mbledhja e sotme e Komisionit të Ligjeve ka nisur me debate. Diskutimi i projektligjit për inspektimet është bërë arsyeja e largimit të deputetëve të opozitës nga mbledhja. Deputeti socialist, Pandeli Majko, tha se maxhoranca nuk ka sjellë ndryshimet e kërkuara nga opozita në lidhje me këtë projektligj dhe kërkon diskutimin e 77 projektligjeve në një paketë të vetme.
“Ligji ka rënë me këtë që po bëni sot, nuk keni sjellë asnjë propozim. Kërkuam që të sillni ndryshime dhe nuk e bëtë. Po diskutojmë në mënyrë të paprecedentë”,tha Majko, duke iu bashkuar deputeteve që lanë mbledhjen.
Socialistët e kundërshtuan shqyrtimin si një paketë e vetme të 77 projektligjeve për inspektimin, duke kërkuar diskutimin një për një të tyre. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, iu drejtua deputetëve të opozitës me fjalët: “Ndonjë zgjidhje alternative ju shkon ndërmend?”. Deputetët e opozitës u larguan nga salla, ndërsa Rusmali tha se “e gjetën zgjidhjen alternative”.
Deputetja e PS-së, Vasilika Hysi, kërkoi që për çdo ligj që ndryshohet të hartohet një relacion. Por kryetari Rusmali e hodhi poshtë kërkesën e saj, me argumentimin se kjo kompetencë i takon Kuvendit.
