Opozita në Kosovë nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj, duke vendosur për të mos lejuar as zhvillimin e seancës së radhës së Kuvendit. Seanca parlamentare është thirrur nga Kadri Veseli për në orën 16:00.
Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, tha se do të ishte e pakuptimtë të lejohet mbarëvajtja e seancës në një situatë ku koalicioni qeverisës po e ndanë Kosovën.
“S’ka kuptim t’i lejojmë punimet e Kuvendit dhe funksionimin normal të Qeverisë, nëse vendi po shkon drejt ndarjes etnike… Ne do ta vazhdojmë protestën në Kuvend dhe jemi të prerë që të mos lejojmë vazhdimin e seancës”, ka thënë Krasniqi.
Sipas Vetëvendosjes, nga marrëveshja me Malin e Zi, Kosova humbet 8 mijë hektarë tokë.
I pyetur se çfarë do të ndodhte në rast se policia ndërhynë për t’i larguar ata nga salla, ai tha se kjo, do të ishte tepër e rrezikshme.
“Kadri Veseli, para dhe gjatë seancës së kaluar e blindoi Kuvendin e Kosovës me roja dhe policë. Nëse vazhdon ndërhyrja policore në Kuvend dhe eventualisht rritet, ky do të ishte një precedent jashtëzakonisht i dëmshëm për demokracinë e vendit. Nuk mund të futet policia në Kuvend. Kjo do të ishte e papranueshme. Kjo do të tensiononte situatën jashtëzakonisht shumë”, tha ai.
