Opozita në parlament, jo të bëjë vrima në ujë

redaktor

Letër e nënshkruar

Preng Pjetri, Zejmen, Lezhë

 

Vrima në ujë. Mbledhje, konferenca, konventa e gjithfarë katrahurash po organizon PD-ja dhe pinjollët e saj. E gjithsesi asgjë konkrete, asgjë të re nga fronti i vjetër. Një mal me akuza, me ofendime deri nga ato të tipit alla berishiane. Kritika vend e pa vend ashtu në distancë. Larg nga tempulli i Kuvendit dhe ligjbërjes. Dikur në kohën e Sllobodanit, në Kosovë njihej de jure një qeveri që s’guxonte kurrë të shkelte në Kosovë. Pra njihej si qeveria në emigrim. Doemos edhe paguhej nga qytetarët e Kosovës kudo që jetonin. Kosova ishte nën ombrellën dhe nën thundrat e Serbisë dhe Millosheviçit.

Por gjithnjë kritikohej nga qytetarët për mosveprim dinamik. E solla këtë copëz nga historia në Kosovën e martirizuar, për arsyen e vetme që opozita jonë të bëhet më e ndërgjegjshme, më konstruktive e dinamike. Është detyrim moral e qytetar që të zgjedhurit e popullit me çdo kusht duhet ta përfaqësojnë sovranin, elektoratin që ju dha bekimin dhe besimin t’i dalë për zot pavarësisht situatës që paraqitet. Populli, i majtë apo i djathtë qoftë, do medoemos të dëgjohet zëri juaj, zëri i opozitës si e vetmja shpresë për të garuar në garën e madhe europiane si vendet motra që po garojnë. Ai që s’merr pjesë fizikisht në garë, e çdo lloji qoftë ajo, i humbur mbetet gjithmonë. Të vetëpërjashtuarit asgjë s’bëjnë, as më shumë e as më pak sesa vrima në ujë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *