Ndërsa nga politika edhe pritej, debati ‘moral-pragmatik’ rreth bashkëpunimit PS-LSI testoi deri në pozicione ekstreme mendimin analitik në vënd duke provokuar ndarje jo vetëm mes analistëve por dhe me vetveten (standarti i dyfishtë) të cilat, falë protagonizmit mediatik, lënë gjurmë në opinionin publik dhe kohezionin e kampit opozitar. Dhe me gjasa që të vijojë, duke spostuar vëmëndjen publike ndaj mazhorancës, sa kohë që koston politike të përçarjes së deritanishme, atë të ‘legalizimit’ të kalimit të ylberit politik apo kapitalizimit në politikë (ironikisht mbi bazën e kartës morale) prej diskretitimit të rivalit, nuk e merr askush.
E megjithatë… prapë nuk është e sigurtë
Ndërkohë që politika e tranzicionit nuk ka ‘brirë’ dhe arroganca e saj edhe në rastin e ‘pikiatave’ morale, trukohet me avokati gjysëm të vërtetash (pse jo edhe retushimin e së shkuarës – fjalime, konferenca shtypi, slogane elektorale, video, faqe të para gazetash etj), sikur të mos mjaftonte trazimi më i fundit emocional në kampin opozitar, vota e qershorit sërisht mbetet enigmë.
Partizanët e bashkimit besojnë se PS-LSI së toku, jo vetëm i kanë numrat për rotacion por për më tepër, si masë e stërmadhe opozitare (në analogji me forcën e gravitetit) për inerci do të mund të thithin më tej si (a) votues ‘fluid’ që mbeten rob të impulsit dhe ecin pas turmës në kërkim të identitetit, (b) votues ‘pragmatist’ që ndruhen se ndryshe vota mund t’u shkojë dëm (sindroma e ‘fishekut të vetëm’ apo difektit më thelbësor të sistemeve elektorale të tranzicionit që mund të eleminohet vetëm përmes sistemit të votës së transferueshme (STV), (c) votues ‘kamaleon’ që kanë ‘nuhatje’ për fituesin e rradhës etj.
Nga ana tjetër, bashkimi PS-LSI, nuk është i imunizuar nga firot eventuale elektorale. Duke filluar nga (a) votuesit ‘besnikë’ që ndjehen të përdorur (të të dyja palëve), të papërfillur dhe të lënduar në dinjitet teksa merren të mirëqënë dhe kjo në varësi të investimit moral dhe politik të tyre në përplasjet ende të freskëta mes palëve, (b) votuesit e ‘dilemës’ apo mëdyshës (për herë të parë, të pakënaqur njëlloj nga palët, apolitik etj), (c) votuesit ‘idealistë’ me kod moral solid, ‘ortodoks’ në pritshmëritë ndaj politikës e që besojnë se ‘burri lidhet nga fjala’, (d) votues të qëndrës apo të djathtë të gatshëm të sakrifikonin ideologjinë për një filozofi gjithëpërfshirëse por që me koalicionin të batuar dukshëm majtas, ndjehen të tepërt etj.
Pa llogaritur këtu ‘firon’ konstante të futjes së duarve të mazhorancës në proçes (apo hesapet pa ‘hanxhiun’) që mbeten të paparashikueshme pavarësisht palëve në koalicion, qoftë edhe me të ‘fortin’ e lagjes në krah.
Mes gjithëpërfshirjes dhe pozicionimit majtas
Kauza e rilindjes, sikurse dikur slogani ‘përtej të majtës dhe së djathtës’, pavarësisht se kishte si promotor një parti të majtë, nuk u paragjykua si e tillë dhe ishte premtuese për asocijim vullnetesh politike dhe votë plebishitare për normalitet demokratik. Ndërkohë, me bashkimin PS-LSI, koalicioni merr tipare ideologjike përforcuar kjo si prej ‘ftesës’ alibi të porositur ashtu dhe vizitave të emisarëve të internacionales socialiste në funksion të ‘hipnozës’ politike të ditës.
Ky pozicionim i ri ideologjik ngushton hapësirën e manovrimit në tregun politik si në drejtim të (a) zgjerimit të aleancës me parti të qëndrës apo të djathta (psh. AK, FRD, ftesa ndaj të cilave mund të konsiderohet e vonuar, për diferencë apo konsum mediatik sa kohë bëhet fjalë për bashkëpunim brënda ‘vathës’ së majtë) ashtu dhe (b) apelit tundues ndaj votuesit të djathtë që ndjehet ende ‘jetim’.
Iluzioni se shpëtimi vjen nga e majta, ndërkohë që sfidë mbeten rregullat e lojës në demokraci, përtej patetizmit dhe demagogjisë, me sponzorizimin e emisarëve rozë të përtejdetit provokon veprime analoge edhe nga mazhoranca duke mbjellur konfuzion në elektorat dhe intimiduar racionalitetin në votim.
Opozitë ‘teknike’ ad-hoc për rotacion
Sfida e qershorit mbetet jo thjesht divorci me politikën e vjetër në pushtet por dhe riciklimin tinëz të saj nën ‘ambalazh’ të ri, përmes praktikave që ironikisht huazohen prej tranzicionit që duam të lëmë pas. Politika shqiptare, nëse e motivuar për rilindje, duhet të bojkotojë gjithshka mban ‘era’ tranzicion duke filluar nga (a) demagogjia ideologjike, (b) PR abuziv mediatik dhe pozimet përkrah aleatëve ideologjik në perëndim, (c) tundime për manifestime groteske apo llogari të pjesmarrjes në mitingje të rivalit, (d) retorikat në takimet-monolog, (e) intimidimi i medias etj fenomene që demokracia perëndimore, veçanërisht ajo anglo-saksone, i ka arkivuar prej kohësh. Elektorati nuk pret mrekullira por nëse dikush ka kurajon të premtojë ato, duhet të ketë aq ‘cipë’ dhe kurajo të hapë krahun nëse nuk i përmbush në kohë.
Zhvillimet e fundit, ndonse testojnë seriozisht bashkëpunimin afatgjatë pan-opozitar, nuk duhet të kompromentojnë gjasat për rotacion politik përmes votës plebishitare. Kjo nënkupton uljen përkohësisht të flamujve ideologjik dhe arritjen e një detante për një opozitë ‘teknike’ në funksion të rotacionit, me premtimin solemn që më pas të rishihet ligji zgjedhor dhe realizohen zgjedhje të parakohëshme ku verdikti i sovranit do t’i vërë vulën dilemave ‘moralo-pragmatike’ të momentit dhe japë fund pengmarrjes në politikë.
Një bashkim ky afatshkurtër, rreth një tryeze të rrumbullakët dhe jo ftesa për ftesë për shtim ‘delesh’ brënda ‘vathës’ partiake të syresh, sepse vetëm zbrazja e ‘dollapeve’ partiake prej ‘skeleteve’ të së kaluarës, do të mund të përmbushte ambicien afatgjatë pan-opozitare për një cikël normal qeverisjeje më pas.
Një koalicion ad-hoc që nuk harron se 100 arsye për të ikur, janë po 100 arsye për të tunduar mazhorancën në abuzimin elektoral të rradhës, qoftë edhe me fishekzjarre e orkestër po ta lypë nevoja. Një pakt që garanton rotacion që me ‘gjuajtjen’ e parë sepse në të kundërt, opozita nuk ka as kartën morale të një seriali të ri ‘hapni kutitë’ dhe as garancinë përballë ‘Maliqit’ që ‘kopsit’ çdo ankimim ligjor.
Kur ka vullnet, ka rrugë
Lidershipi opozitar kësaj rradhe i vuri të gjitha ‘vezët në një shportë’ dhe po riskon gjithshka. Nëse opozita fiton, me shumë gjasa mund t’i bëhet bisht dilemave morale të paktit parazgjedhor por nëse humbet, do të ishte humbje pa dinjitet. Ndërsa muaj më parë, deklarohej se me masat e marra vota ishte e garantuar, përballë panikut të provokuar nga mazhoranca mjeshtre në alkiminë e votës, kthesa prej ‘U’-je ekspozon si lidershipin përkatës ashtu dhe ‘mikrofonat’ pas tyre. Një boomerang ky, dalja prej të cilit nuk vjen duke drejtuar gishtin dhe tentuar kompleksimin e atyre që dalin nga rreshti, por duke reflektuar në përulësi ndaj elektoratit që për hir të së ardhmes mund ta mbushë barkun edhe me një gjellë pa shije sa kohë nuk është ushqim i prishur që e bën të vjellë gjithshka më pas.
Nëse deri dje poli i tretë konsiderohej si shans për të ‘thyer akullin’ e tranzicionit bipolar, ai mbetet në pritje sa kohë opozita tradicionale dëshmon me vepra kauzën e rilindjes. Në të kundërt, nëse mazhoranca dhe opozita historike shihen si dy anë të një monedhe, atëhere poli i tretë, sesa i tillë, do të ishte një pol i dytë balancues përballë atij të vetëm të monopolizimit të politikës ‘Made in Tranzicion’. Numërimi mbrapsht ka filluar dhe opozita sapo dëshmoi se kur do, për të asgjë nuk është e pamundur.