Tregojnë për një familje të varfër e cila jetonte me punën e kryefamiljarit si argat në tokat e beut të fshatit. Si argat ishte i detyruar të bënte çdo punë. Ky beu na kishte ca fëmijë nopranë e të hazdisur se fundja nuk u mungonte asgjë. Gëzoheshin e krenoheshin kur rrihnin djemtë e argatëve, të cilët nuk u kthenin dorë pasi, ndonëse fëmijët e dinin që nga beu e merrnin bukën e gojës. Personazhit tonë, argatit, i vinte plasja kur mësonte se djali i beut kishte rrahur djalin e tij, por ç’të bënte. Fukarrallëku e bënte të duronte dhe shkelmat e djalit të beut mbi djalin e tij, që kishte të vetmin faj, ishte i varfër.
Një ditë djali i argatit vjen në shtëpi gjithë qejf dhe mezi priste të takonte të atin e diçka t’i tregonte. Vjen i ati nga arat, i lodhur e i këputur, shikon gëzimin në sytë e djalit dhe mendon me vete për ndonjë të mirë që mund të ketë ndodhur. Djali nuk e lë në mëdyshje dhe plot krenari i drejtohet :
– Or babë , e munda djalin e beut.
– Si e munde , – ngazëllehet babai ,- ia vure të dyja shpatullat në tokë ?
– Jo, jo, shpatullat në tokë i kisha unë, por për të mundur, e kam mundur.
– Aha, e paske mundur , mërmëriti babai dhe lodhja e mërzitia iu shumëfishua.
Na kujtohet kjo mesele sot , kur Luli , kryebashkiaku me procedurë, është derdhur si “dragua” në sallat me militantë e bën të fortin si “naço” lagjeje, Luli na kujton aq budallenj sa të besojmë se e mundi Edi Ramën në Tiranë? Jo, o Luli, populli beson dicka tjetër. Beson që “kush është mësuar nuk rri pushuar”. Dmth që kush vjedh pasurinë kombëtare , kush mbyll me procedurë gjyqet për qindra milionë euro , kush shet tokë e det , kush vret në mes të bulevardit , nuk e ka për gjë të vjedhë dhe votat , të përmbysë rezultatin me manekinë të KQZ. Këmba “me miell” e Ristanit u përdor për të ngritur nga toka mollaqet e lagura dhe shpatullat e përbaltura të Lulit. E kanë në gen “ udhërrëfyesit” e PD-së që ta quajnë gënjeshtrën të vërtetë absolute. Punë për ta. Populli tashmë e ka njohur ujkun me lëkurë dhelpre.
Letër e nënshkruar: Petrit Zili
