Një numër sondazhesh tregojnë se gara është duke u zhvilluar e ngushtë në shkallë kombëtare, por disa anketime shtetesh të veçanta tregojnë se zoti Obama udhëheq në shtetet më të rëndësishme, që mundet të përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve.
Presidenti Barack Obama dhe rivali i tij republikan Mitt Romney bën dje fushatë në orët e fundit para zgjedhjeve, në shtetet e pavendosura, në një përpjekje të fundit për të tërhequr mbështetësit e tyre dhe për të krijuar epërsinë e nevojshme për të fituar.
Analistët politikë thonë se vetëm një numër i vogël shtetesh do të përcaktojë rezultatin e zgjedhjeve. Zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara nuk vendosen nga vota popullore por nga një sistem i kolegjit zgjedhor, sipas së cilit rëndësia e çdo shteti në rezultatin përfundimtar është në përputhje me numrin e popullsisë.
Presidenti Obama mbajti dje tubime në Ëisconsin, Ohio dhe Ioëa. Kandidati Romney po ashtu shkoi në Ohio, si edhe në Virginia dhe Neë Hampshire.
Miliona vetë në gjithë vendin kanë votuar para ditës së votimeve (sistemi amerikan njeh votën e parakohshme) por shumica voton sot, në qendra votimi të ngritura nëpër shkolla, ndërtesat e zjarrfikëseve, apo kisha. Një numër sondazhesh tregojnë se gara është duke u zhvilluar e ngushtë në shkallë kombëtare, por disa anketime shtetesh të veçanta tregojnë se zoti Obama udhëheq në shtetet më të rëndësishme, që mundet të përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve.
Krahas me garën për postin e Presidentit, nesër zhvillohet edhe gara për të 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve dhe 33 nga 100 vendet e Senatit. Në përgjithësi, analistët thonë se republikanët do të vazhdojnë të mbajnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa Partia Demokrate mund të ruajë një shumicë të vogël në Senat.
Një portret i politikanit që shënoi një moment historik në vitin 2008 dhe me gjasa do ta përsërisë këtë fitore sot
4 vitet e Obamës
Para 4 vjetësh, Barack Obama u zgjodh presidenti i 44-të i Shteteve të Bashkuara.
Partia Demokrate e emëroi atë në një kuvend që u përqëndrua në pakënaqësinë e publikut me problemet ekonomike të vendit. Zoti Obama përfitoi nga kjo gjendje me moton e tij, “Ndryshime tek të cilat kemi besim”.
Gjatë administratës katër vjeçare të Presidentit Obama, ekonomia është përmirësuar, dhe disa ekspertë politikë thonë se zoti Obama ka mësuar ndryshimin e madh që ekziston mes fushatës dhe qeverisjes.
Jennifer Lawless drejton Institutin e Grave dhe të Politikave në Universitetin Amerikan. Ajo thotë për VOA: “Shumë prej premtimeve të tij vareshin nga ideja se në Uashington do të bëheshin përpjekje ndërpartiake. Dhe menjëherë pasi John Boehner u zgjodh Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve u pa qartë se objektivi numër një i republikanëve ishte që përpjekje të tilla të mos bëheshin”.
Një shembull i tillë ishte projektligji për imigrantët në bazë të të cilit do t’u jepej shtetësia imigrantëve që kishin ardhur ilegalisht në Shtetet e Bashkuara në moshën e fëmijërisë. Ky akt u mbështet nga presidenti, por nuk u miratua kurrë nga Kongresi. Në qershor, Presidenti Obama njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të ndalnin përkohësisht dëbimin e imigrantëve që mbroheshin nga deportimi në bazë të projekt-ligjit të imigracionit. Ndërkohë, administrata e tij ka deportuar më shumë imigrantë të paligjshëm se çdo president tjetër amerikan.
Presidenti Obama mbajti premtimin e fushatës për të reformuar kujdesin shëndetësor të vendit. Ndërsa ky ligj ngjalli shumë debate, Gjykata e Lartë, e cila diskutoi kushtetueshmërinë e tij, i mbështeti dispozitat kryesore të ligjit.
Presidenti kërkoi dhe Kongresi miratoi një paketë prej 787 miliardë dollarësh për stimulimin e ekonomisë dhe më pas zbatoi një program shpëtimi për kompanitë e automobilëve General Motors dhe Chrysler.
Në maj të vitit 2011, forcat speciale zbuluan vendndodhjen dhe me një operacion ushtarak vranë në Pakistan Osama bin Ladenin, organizatorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Presidenti tërhoqi forcat amerikane nga Iraku, shtoi numrin e trupave në Afganistan dhe nënshkroi një traktat të ri për kontrollin e armëve me Rusinë.
Barack Obama është presidenti i parë afrikano-amerikan i Shteteve të Bashkuara. Ai është gjithashtu presidenti i parë në detyrë që mbështet ligjërimin e martesës mes homoseksualëve.
Kur zoti Obama u përball me rivalin e tij republikan Mitt Romney në debatin e parë presidencial, Presidenti kishte një avantazh të vogël por të qëndrueshëm në anketat e opinionit në shkallë kombëtare, por ai nuk doli mirë në debat dhe zoti Romney avancoi.
Zoti Obama e ka përqëndruar mesazhin e fushatës kryesisht tek të rinjtë, gratë, pakicat dhe klasa e mesme. Gjatë javëve të fundit, ekonomia është përmirësuar, gjë që mund ta ndihmojë Presidentin Obama.
Në javët e fundit të fushatës, zoti Obama anuloi fushatën për t’u përqendruar tek përgjigja e qeverisë kundër uraganit Sandy. Guvernatori republikan i Nju Xhërsit, i cili më parë ka qenë kritik i ashpër i presidentit, lavdëroi zotin Obama për rolin e tij në përpjekjet pas uraganit.
Nënpresidenti Xho Bajden është edhe këtë radhë kandidati demokrat për nënpresident. Zoti Bajden ka shërbyer për gjashtë mandate si senator dhe konsiderohet si ekspert në politikën e jashtme.
FOTO FAMILJARE
Barak Obama lindi në Havai në 1961. Ai dhe bashkëshortja e tij Michelle kanë dy vajza, Malia dhe Sasha. Barack Obama është presidenti i parë afrikano-amerikan i Shteteve të Bashkuara.
New York Times: Arsye të forta pse duhet rizgjedhur Obama
E përditshmja prestigjioze amerikane, Neë York Times, është përcaktuar përmes një editoriali të saj për rizgjedhjen e presidenti aktual, Barack Obama, në krye të Shteteve të Bashkuara. Gazeta ka numëruar një sërë fushash, në të cilat është shënuar përmirësim, që nga zgjedhja e Obamës në vitin 2008. Ekonomia, sipas saj, ka shënuar rimëkëmbje të ngadaltë që nga viti 2008, dhe vendi mund të pësojë një recesion tjetër, po qe se zbatohen politika të gabuara.
Sulm ideologjik nga e djathta
“Një sulm ideologjik, nga e djathta ka filluar të dëmtojë ligjin jetik të reformave shëndetësore, të miratuara në vitin 2010. Këto forca po shkatërrojnë qasjen e grave në kujdesin shëndetësor, dhe të drejtën për të kontrolluar jetën e tyre.. Gati 50 vjet pas kalimit të Aktit të të Drejtave Civile, të drejtat e të gjithë amerikanëve janë zbehur nga vendosmëria e krahut të djathtë për të mohuar… Çuditërisht, edhe e drejta për të votuar është duke u sfiduar. Ky është konteksti i zgjedhjeve të 6 nëntorit, dhe si i zymtë që është, zgjedhja është e qartë”, – shkruan NYT.
Presidenti Obama ka treguar një angazhim të fortë në përdorimin e qeverisë për ta shpejtuar rritjen. Ai ka formuar politika të ndjeshme buxhetore, që nuk janë të dedikuara për mbrojtjen e të fuqishmëve, dhe ka punuar për të shpëtuar rrjetin e sigurisë sociale për të mbrojtur të pafuqishmit.
“Obama ka arritje mbresëlënëse, me gjithë murin e paepur të refuzimit të ngritur nga republikanët e Kongresit, që janë aq të dhënë për ta ndalur atë, sa që rrezikonin ta shtynin kombin në depresion, – shkruan në editorialin e disa ditëve më parë, NYT.
Romney, ide të diskredituara
Mitt Romney, ish guvernator i Massachusettit, shkruan NYT, deri më tash ka përqafuar një koncept mashtrues, duke thënë atë, që ai mendon se audienca dëshiron ta dëgjojë.
Por, ai e ka lidhur veten me forcat ultrakonservative që e kontrollojnë Partinë Republikane dhe ka përqafuar politikat e tyre, duke përfshirë shkurtime të pakujdesshme buxhetore dhe ide të diskredituara 30 vjeçare.
“Votuesit ende mund të jenë të hutuar në lidhje me identitetin e vërtetë të zotit Romney, por ata e dinë se një administratë e Romney-t do të reflektojë agjendën e Partisë Republikane”, shkruan NYT, duke potencuar se zgjedhja e Paul Ryanit si kandidat për nënpresident, e dëshmon këtë.
Gazeta thekson se e ka kritikuar zgjedhjen individuale të politikave të zotit Obama gjatë katër vjetëve të fundit, sikurse edhe mosgatishmërinë e tij për t’u hedhur në luftën politike. Por, siç thekson gazeta, ai e ka shkundur hezitimin e debatit të parë, dhe i afrohet zgjedhjeve në mënyrë të qartë dhe i gatshëm për betejat dypartiake, që do të pasojnë fitoren e tij. Zgjedhja e zotit Romney do të eliminojë çdo shpresë për reduktimin e deficitit që përfshin, rritjen e të ardhurave, shkruan NYT.
Atmosferë helmuese elektorale
Në atmosferën helmuese të kësaj fushate, është e lehtë që të shihen arritjet rëndësishme të zotit Obama, duke përfshirë stimulimin ekonomik, ruajtjen e industrisë së automjeteve, përmirësimin e standardeve të karburanteve dhe duke bërë dy emërime shumë të mira në Gjykatën Supreme, shkruan e përditshmja amerikane.
Duke numëruar fushat si kujdesin shëndetësor, ekonominë, politikën e Jashtme, Gjykatën Supreme dhe të Drejtat Civile, dhe të arriturat gjatë adminstratës Obama, NYT shkruan se për këto dhe arsye të tjera, “ne e mbështesim presidentin Barack Obama për një mandat të dytë, dhe shprehim shpresën se fitorja e tij do të shoqërohet me vullnetin e Kongresit për të punuar për politikat që i duhen amerikanëve”.
Shqiptarët e SHBA: Pro Obamës
Në Nju Jork, një grup shqiptaro-amerikanësh të njohur të komunitetit kanë shprehur mbështetjen e tyre për rizgjedhjen e kandidatit demokrat Barack Obama. Ata bënë thirrje që edhe shqiptarë të tjerë të mbështesin rizgjedhjen e presidentit Obama. “Zëri i Amerikës” citoi njeriun që ka drejtuar organizatën “DC Vote” në Uashington, Ilir Zheka të thoshte se, presidenti Obama është përpjekur të shpëtoje ekonominë e të ringjallë ëndrrën amerikane, por në të njëjtën kohë i ka dhënë përkrahje edhe shqiptarëve në Ballkan.“Politika e jashtme e Obamës konsiderohet se është në interes të paqes dhe të sigurisë, nga e cila mund të përfitojnë edhe shqiptarët, – tha z. Zheka.
Grupi përmendi mbështetjen që shefi i Shtëpisë së Bardhë i ka dhënë komunitetit të shqiptarëve dhe të drejtave të tyre. Aktiviteti u organizua në zyrën e fushatës së shefit te administratës amerikane në Nju Jork. Kandidati për këshillin e qytetit të Nju Jorkut, Ken Biberaj i inkurajoi në këtë kontekst të gjithë shqiptarët që jo vetëm të votojnë për presidentin, por edhe të japin kontribute me fonde, të bindin edhe miqtë dhe familjarët e tyre që të mbështesin Obamën.