Padyshim lojtari më veteran, njëherësh edhe në cilësinë e lidershipit te Skënderbeu në këtë edicion të ri, portieri, njëherësh dhe kapiteni i korçarëve, Orges Shehi ishte sot përkrah trajnerit Ilir Daja, në konferencën e fundit për shtyp të dhënë nga kampi bardhekuq, në vigjilje të ndeshjes ndaj Sant Julia, të Andorras, e vlefshme për turin e parë eliminator të UEFA Europa League.
Sikurse citon vetë faqja zyrtare e klubit të Skënderbeut, kapiteni Shehi ka folur në lidhje me atmosferën te korçarët pas vendimit të Komisionit të Etikës, që i ka hequr bardhekuqve titullin kampion të sezonit 2015-2016, veç penalizimit me pikë të reduktuara në sezonin e kaluar, por që nuk patën asnjë efekt në klasifikimin e korçarëve.
Gardiani i Skënderbeut ka folur edhe në lidhje me të ardhmen e tij, sikurse dhe për parashikimin e tij në lidhje me ecurinë e ekipit në arenën europiane.
Shehi, pas vendimit të Etikës, a është i qetë ekipi?
Unë mendoj që ai vendim nuk ka lënë gjurmë, pavarësisht se nuk na vjen mirë kur na hiqen tituj që ne i kemi fituar në fushën e lojës. Ne jemi kampionë prej gjashtë vitesh dhe kjo është e rëndësishme. Tani duhet të fokusohemi te e ardhmja dhe këtë do ta bëjmë duke qenë të përqëndruar në ç’do ndeshje.
Jeni shprehur më herët se mund të lini futbollin e luajtur. I qëndroni këtij mendimi edhe në këtë moment?
Vazhdoj t’i qëndroj këtij mendimi dhe ata njerëz që më qëndrojnë pranë, besoj se e dinë vendimin tim. Por kjo nuk është e rëndësishme në këtë moment. Ajo që është e rëndësishme është fakti që Skënderbeu duhet të vazhdojë rrugën e nisur.
Ky është viti juaj i gjashtë me Skënderbeun në Europë. A e keni përvojën për të kaluar këto ekipe të vogla?
Skuadra ka lojtarët e duhur me bagazh shumë të madh dhe me eksperiencë të madhe në Kupat e Europës. Besoj se kemi grupin e duhur për të kaluar këto ndeshje.
Sa ka ndryshuar Skënderbeu me këta futbollistë që janë afruar në ekip?
Ç’do ekipi i bëjnë mirë përforcimet. Skuadra është përforcuar atje ku ka pasur nevojë dhe mendoj që lojtarët kanë potencialin e duhur dhe do ta ndihmojnë shumë skuadrën.
Nesër ndaj Sant Julia dhe turin tjetër me Kairat apo Atlantas. I shihni të kalueshëm këto dy ture?
Në futboll është shumë e rëndësishme e tashmja dhe tani duhet të prqëndrohemi vetëm te Sant Julia, pa menduar për takimet e tjera.
I trembeni Sant Julia?
Në futboll ç’do kundërshtari që ke përballë sado i vogël që të jetë gjithmonë kërkon përqëndrim. Në Europë, në përballje të tilla për të kalur një tur duhet të japësh maksimumin dhe të kesh vlerësim maksimal për kundershtarin.
Së fundi cili është apeli juaj ndaj futbollistëve pasi jeni kapiteni i skuadrës?
Nuk mendoj që kapiteni i ekipit duhet t’u bëjë apel futbollistëve në media. Jam i sigurtë që ekipi e ka vlerësuar kundërshtarin. Unë e di që ne kemi një skuadër me lojtarë me eksperiencë dhe nuk ka nevojë për apel.
