Ortofotoja e 2007, në fuqi deri në fund të vitit

Dita

Deri në fund të këtij viti, vendi do të ketë fotografinë e re ajrore. Një ndër funksionet e mënjehershme që do të ketë kjo foto do të jetë ajo e vënies në funksion të procesit të legalizimit të ndërtimeve informale.

Ndryshe nga më parë, fotografia e re ajrore e vendit do të jetë e konsultueshme elektronikisht nga të interesuarit ndërsa institucionet e vendit do të ofrojnë në të njëjtën mënyrë edhe shërbimet.

Por ndërsa procesi i fotografimit ndodhet në fazë përfundimtare, Këshilli i Ministrave ka bërë disa ndërhyrje në vendimin e vitit 2008 duke saktësuar se ortofotoja e përftuar nga fotografimi ajror digjital i territorit do të përdoret deri në aplikimin e produktit të fotografimit të ri ajror. Shqipëria ka përfunduar tashmë fazën e parë të procesit të ri të fotografimit ajror. Zonat e fotografuara deri më tani janë ato urbane, ndërsa faza e dytë ku ndodhet aktualisht procesi është ajo e fotografimit të zonave rurale, raporton Scan TV.

Ndryshe nga fotografimi i vitit 2007, fotografimi i këtij viti është 3 dimensional dhe po zhvillohet me teknologji bashkëkohore. Fotografim i ri ajror do të shërbejë si hartë­bazë e unifikuar për të gjithë territorin shqiptar dhe do të jetë i dobishëm për njohjen e gjendjes aktuale të veçorive gjeografike shqiptare, procesit të legalizimeve dhe formulimin e planeve kombëtare lidhur me territorin.

Përveç kësaj, është e mundur të kryhen kërkime shkencore dhe të analizohen situata të rëndësishme, duke krahasuar ortofoton ekzistuese të vitit 2007 dhe ato të zhvilluara rishtazi në vitin 2015. Projekti i fotografimit ajror të vendit po realizohet nga një kompani gjermane dhe pritet të përfundojë deri në fund të këtij viti.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *