Zhvillimi i bujqësisë së qendrueshme është bazë për zhvillimin dhe stabilitetin e Shqipërisë.
Këtë tha Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Ambasadori Florian Raunig, gjatë takimit të zhvilluar në Komisionin Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin për zhvillimin bujqësor në Korçë
Gjatë fjalës së tij, Rauning tha se, Prezenca e OSBE-së e ka mbështetur prej kohësh Komisionin Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin në përpjekjet për të forcuar rolin e tij legjislativ dhe mbikëqyrës në çështje të qeverisjes lidhur me mjedisin, të tilla si menaxhimi i mbetjeve dhe ndotja e lumenjve.
“Ky takim bashkon në të njëjtën sallë palët kryesore të interesuara. Kjo është një mundësi që komisioni, përfaqësuesit e ministrive, agjencitë shtetërore, grupet e interesit dhe fermerë
t të diskutojnë së bashku mbi çështje kyçe si mungesa e një tregu bujqësor, subvencioneve qeveritare, diversitetit bujqësor, si edhe më e rëndësishmja, për të formuluar zgjidhje të problemeve”, vijoi Kreu i OSBE-së.
Ambasadori Rauning theksoi se kontributi ekspertëve është thelbësor në këtë proçes. “As ligjvënësit, as qeveria nuk mund t’i trajtojnë veçmas këto çështje kaq të ndërlikuara. Ato kanë nevojë për kontributin e çmuar të ekspertëve të fushës, akademikëve, grupeve të interesit dhe publikut të gjerë për të përgatitur politika sa më të mira e për të marrë vendime të mençura në dobi të shqiptarëve”, tha Rauning.
“Prezenca mirëpret qasjen pozitive e të orientuar drejt rezultateve që komisioni ka si synim të ndërmarrë për sa i përket çështjeve të ndjeshme që do të adresojmë sot. Ne mbetemi të gatshëm për t’i ofruar komisionit mbështetje të mëtejshme në përpjekjet e tij”, vijoi ambasadori i OSBE-së.
