Daut Gumeni flet për situatën politike dhe arsyet që e shtyn të bëhet pjesë aktive e FRD-së
“Me varrime të tilla pushteti vetëm sa i bën më qesharakë Zogollët”
Daut Gumeni shpjegon pse zgjodhi FRD-në si parti politike dhe çfarë pret prej saj. “Besnikët e diktaturës në krye të së djathtës, ndaj nuk ka pasur kurrë të djathtë. Një e djathtë që ka punuar kundër ish-pronarëve dhe të persekutuarëve apo të përndjekurve”. OSBE sipas tij sjell vetëm “derdimenë” për zgjedhje. Pranon se rotacioni është i nevojshëm në këtë situatë dhe se këtë herë “kungulli” Berisha do të thyhet rrugës. Farsa me Ahmet Zogun, tallja me 100 Vjetorin e Pavarësisë prej Berishës dhe pse ai i duket si “brigadieri që urdhëron çifçiun” rasti Berisha-Ruli.
Jeni bërë tashmë pjesë aktive e politikës, si nënkryetar i FRD-së. Pse vendosët të angazhoheni? Ishte kërkesë nga ana e z. Topi, apo një dëshirë juaja?
Prej 22 vjetësh politika e tranzicionit shqiptar, për mendimin tim, ka qenë një lojë e ngjashme me atë serialin vizatimor “Tomi dhe Xherri”. Por personazhet e vizatimorit politik të Shqipërisë së tranzicionit të porositur në zyrat e diktatorit të fundit, nuk kanë pasur fisnikërinë e personazheve aq të këndshëm të serialit hollivudian. Përkundrazi, jo vetëm që nuk i kanë bërë shqiptarët për të qeshur, por i kanë bërë për të qarë dhe na kanë bërë gazin e botës si vend e si popull. Mbase të gjithë lexuesit tuaj e dinë dhe e kanë përjetuar këtë e nuk është nevoja të zgjatem. Kryesore është të jem i drejtpërdrejtë në përgjigjen për pyetjen tuaj: Më duket se u lodhën dhe “Tomi” me “Xherrin” e politikës së tranzicionit tonë të shpifur dhe ka ardhur koha që të mbledhim të gjitha energjitë ndërtuese të këtij vendi për t’i dhënë fund tranzicionit rraskapitës. Në çdo bashkëpunim për shërbime qytetare – dhe politika për mua është një shërbim qytetar – duhet të ketë besim dhe respekt të ndërsjellët mes pjesëmarrësve. Jam angazhuar pikërisht kur i kam gjetur këto kushte të natyrshme e prandaj dhe bashkëpunimi me z. Topi dhe pjesëmarrja ime e drejtpërdrejtë në Frymën e Re Demokratike, mendoj se është në këtë hulli të mbledhjes së të gjitha energjive ndërtuese, për t’i dhënë fund traznicionit të pambaruar e për të nisur dhe vendi ynë erën e re të demokracisë funksionale. Mbase ka ardhur koha që shqiptarët të ngrenë Republikën e Katërt, pasi u kanë dështuar plot tri Republika. Kryesisht për faj të tyre, por jo vetëm aq…
Si e gjykoni të Djathtën aktuale? Mendoni se FRD-ja do të jetë një parti, ku do të gjejnë aspiratat e tyre të djathtët në Shqipëri?
Kam bindjen se ajo që ju e quani e “Djathta “aktuale, nuk ka qenë kurrë e Djathtë e mirëfilltë. Qysh në përmbysjen e diktaturës së vjetër, ajo që duhet të përbënte Alternativën e Djathtë të natyrshme e aq gjatë të ndaluar në Shqipërinë e diktaturës komuniste, kishte vetën emrin e “Djathtë”, por ishte një riorganizim i ngutshëm i Frontit Demokratik të Nexhmijes. Ishte i kryesuar nga besnikët e diktaturës dhe kishte për detyrë të merrte peng Alternativën e të Djathtës së natyrshme në Shqipëri. Këtë detyrë duhet ta pranojmë se e kanë kryer me zell të madh drejtuesit e Frontit Demokratik të riorganizuar e të makiazhuar për të drejtuar sa më gjatë varrezën e të Djathtës së natyrshme shqiptare. Kjo është dhe arsyeja e vërtetë pse pronarët e ligjshëm kjo “e Djathtë” bolshevike i ktheu në ish-pronarë të shpronësuar për së dyti dhe të burgosurit e të përndjekurit politikë të diktaturës i ndau e i përçau në dyzet shoqata. Mendoj se ka ardhur koha që pronarët dhe të burgosurit e të përndjekurit politikë të diktaturës të kenë strehën e tyre dhe besoj që Fryma e Re Demokratike është e nderuar të ketë dhe prurjen e tyre në programin e saj politik.
Cilat janë objektivat e FRD-së?
Fryma e Re Demokratike ka për objektiva të saj po ato që kanë për objektiva të veta edhe partitë politike të Qendrës së Djathtë europiane. Partitë Popullore të Europës së lirive janë shembulli që ndjek e do të ndjekë në çdo hap të saj FRD-ja. Por do të jetë gjithmonë një nxënëse kokulur e tyre dhe një përfaqësuese e përgjegjshme e atyre shtresave të popullsisë shqiptare, që e besojnë dhe e kanë për zemër idealin e alternativës së Djathtë. Pra, nuk besoj se do të dëgjoni kurrë ndonjë përfaqësues të FRD-së që t’u japë “mësime” Partive Popullore të Europës, por do të përpiqet ta sjellë në Shqipëri atë pjesë të shëndetshme të Europës politike. E kam fjalën, sikurse e kam thënë dhe gjetiu, që Alternativa e Qendrës së Djathtë ka si kolona të vetat familjen, pronën, Atdheun dhe besimin tek Zoti. Por mos prisni që ndonjë përfaqësues i FRD-së ta mbarojë ndonjëherë fjalimin e tij me thirrjen:”Rroftë Zoti!” dhe as të mburret meqë partia e tij ngjaka shumë me Partinë Komuniste të Kinës. Nuk do të ndodhë kurrë kjo me FRD-në, sepse në këtë parti janë afruar, po afrohen e besoj shumë që do të afrohen gjithnjë e më shumë demokratë të bindur e jo ish-komunistë të kthyer brenda natës në demokratikes.
Pakë ditë më parë një grup të burgosurish politikë të diktaturës u futën në grevë urie dhe dy prej tyre u vetëflijuan duke u djegur me benzinë. Madje njeri prej tyre humbi jetën. Por qeveria nuk pranoi dialogun me ata qytetarë të saj. Mendoni se PD-ja e ka tradhtuar shtresën që e solli në pushtet 22 vjet më parë?
Të burgosurit politikë të diktaturës, që u futën në grevë urie për një muaj të tërë, kërkonin vetëm zbatimin e ligjit për dëmshpërblimin e tyre, një ligj që e kishte miratuar po ky pushtet. Mirëpo doli që edhe zbatimi i ligjit në këtë komunizmin e dytë të demokratikasve tanë nuk dëgjohet kur vjen nga “armiqtë e popullit”, të dënuar nga diktatura. Ku mbetet më vend pastaj për të pyetur nëse i ka tradhtuar apo jo PD-ja shtresat që e sollën në pushtet 22 vjet më parë? Kasta drejtuese e PD-së nuk ka pasur kurrë ideale të mirëfillta demokratike, sepse ka qenë dhe mbetet edhe sot e këtë ditë një kastë misionarësh besnikë të diktaturës. Ka qenë qysh në krye të herës dhe mbetet dhe sot e këtë ditë një kastë e sëmurë për pushtet. Ka qenë dhe mbetet një kastë e etur për t’u kthyer në milionerët e rinj të parakapitalizmit të drejtuar nga komunistët më fanatikë të Partisë së Punës. Si të pranojnë dialog me të burgosurit politikë të diktaturës këta çirakë të diktaturës, që e kanë humbur mendjen fare nga abuzimet me pushtetin dhe nga pasurimi me pronat e pronarëve dhe me pronat publike?
Ju jeni ndër intelektualët më të njohur në vend. Këtë vit kemi 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Si ju duket mënyra se si po përcillet zyrtarisht ky vit jubilar?
Mënyra se si po sillet pushteti aktual i Tiranës edhe në këtë përvjetor të Pavarësisë, të jep përshtypjen se edhe 100-Vjetorin e Pavarësisë ky lloj pushteti i sëmurë kërkon ta privatizojë si pronat e pronarëve të ligjshëm. Ky palo pushtet i mbajtur me të keq nga një ekonomi e rrënuar, që po “konkurron me Gjermaninë e me Kinën”, po përpiqet me duar e me këmbë që dhe 100-vjetorin e Pavarësisë ta kthejë në një nga ato parakalimet festive të “popullit të lumtur përpara udhëheqjes së ndritur”, që e kishte kthyer dikur “Shqipërinë Socialiste në Fanar të Kuq në mes të Europës kapitaliste të mbarsur me revizionizëm”… Mjafton të shohësh ca çarçafë të çuditshëm që kanë mbuluar fasadën e Pallatit të Kulturës në qendër të Tiranës dhe e kupton se cili është koncepti që ka ky pushtet për festimin e përvjetorëve aq të rëndësishëm si 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë.
Qeveria po i bën një jehonë të madhe periudhës së mbretërisë, ndërsa është lënë në hije Ismail Qemali, Fan Noli e figura të tjera. Ju duket kjo si strategji për të zhvleftësuar disa figura historike e për të ngritur shumë ato që ka interes kryeministri?
Kur dëgjon njeriu i shkretë se brigadieri i pushtetit aktual urdhëron çifçiun e ngarkuar me bujqësinë që të therë 1000 qengja e 1000 deshë, nuk u beson veshëve dhe i duket sikur Shqipëria jonë qenka zhvendosur diku nga pyjet e errëta të kohës së fiseve që jetonin me gjuetinë e kafshëve! Por ja që ky lloj pushteti nuk ka caqe për fantazinë e tij të sëmurë. Mbase kërkon të kujtojë dasmën e Zogollit, kur ishte bërë mbret se i dukej pak posti i presidentit të vendit… Gjithsesi, me duken përpjekje të kota, ato që synojnë të lënë në hije male të tillë si Ismail Qemal bej Vlora dhe Noli me shokë. Sado që ta nxjerrin dhe shtatoren e Ismail Qemalit e ta caktojnë si roje pranë Kuvendit topall të Ruzhdijes, Ismail Qemal bej Vlora mbetet po ai mali i lartë i shqiptarisë, që trembte dhe kancelaritë e fuqive të mëdha, kur u dërgonin mesazh përfaqësuesve të tyre në Vlorë:”Kujdes se mos ju fut në xhep Ismail Qemali!”…
A shikoni një paralele mes shitjes së Shën Naumit nga Ahmet Zogu dhe dhënies së detit nga Sali Berisha?
Për ta bërë sa më të prekshme atë paralele që thoni ju, është kujdesur e po bëhet copa vetë brigadieri i pushtetit aktual të Tiranës. Madje ai as që përpiqet fare ta fshehë gjakimin e tij për t’i ngjarë sa më shumë mbretit të vetëshpallur. Përkundrazi. Harron që vetëm pakë vjet më parë e përzuri të birin e Zogollit nga Rinasi si të ishte një kontrabandist në kërkim ndërkombëtar dhe sot kujtohet për ceremonira të bujshme, që i duhen për pushtetin e vet e jo se e ha meraku vërtet për varrimin e Zogollëve. Zogollët kanë mjaft kusuret e tyre dhe nuk është as e udhës e as e hijshme që të hidhet mbi ta më shumë baltë, duke u shfrytëzuar në dobi të pushtetit edhe të vdekur për t’u rivarrosur. Me varrime të tilla në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë, pushteti aktual i Tiranës vetëm sa i bën më qesharakë Zogollët e të gjitha kohëve. Do ishte më serioze që me këtë rast të silleshin që të preheshin në Atdhe eshtrat e mjaft shqiptarëve të shquar, të cilët nuk e kanë braktisur Atdheun në ditë të vështira, por i ka braktisur pushteti i radhës që ka pushtuar Atdheun dhe i ka lënë pa varre. Atëherë po që do të kapërdihej vetëm me përcjelljen e natyrshme edhe arkivoli me eshtrat e Zogollit. Ndaj me duket se mundohet kot dhe këtë radhë pushteti me ceremonira të qëmtuara varrimi. Se shqiptarët nuk i harrojnë dot me urdhër të pushtetit ata që vdiqën pa varre, ngaqë e deshën Shqipërinë më shumë se të tjerët. E sepse hijen e hidhur të harresës nuk e hedh dot një palo pushtet mbi ata burra të mëdhenj të kësaj toke, që 100 vjet më parë mbajtën Kuvendin historik të Vlorës dhe shpëtuan ç’mund të shpëtohej nga Shqipëria e dënuar me vdekje.
Ndaj në këtë përvjetor duket më e shëmtuar se kurrë ajo paralele që bëni ju mes shitjes së Shën Naumit dhe dorëzimit të shelfit tonë bregdetar për hir të zgjatjes së jetës së pushtetit. Një shëmtim që bie mbi ata që i kryejnë tradhti kaq të shëmtuara, por nuk lë pa njollë edhe shoqërinë e kohës, një shoqëri e sëmurë që bën sehir. Një shoqëri shpinëthyer, që ka më tepër mëri me të pathyeshmit sesa me ata që i kanë thyer shpinën e saj.
Fushata e ardhshme zgjedhore në raportin vjetor të OSBE-së parashikohet se do të jetë shumë e egër. Ju si e shikoni?
Kemi 22 vjet tranzicion që nuk bëjmë dot një palë zgjedhje me standardet e njohura ndërkombëtare. Kemi 22 vjet që kasta jonë politike bën atë që thonë kinezët për të mos pranuar zgjedhjet e lira e të drejta:”Qentë hanë qentë dhe të gjithë lehin si qentë, duke penguar zhvillimin e vendit e duke fryrë xhepat e tyre, të oborreve partiake, familjare dhe personale”. Në këtë katrahurë të qëllimshme, që mban peng zhvillimin e vendit për më tepër se dy dekada, nuk është pa pjesën e vet dhe OSBE-ja, kur na kungon nga një Kod të Ri zgjedhor për çdo palë zgjedhje dhe bën sehir sesi vjedh e rrëmben votat pushteti i radhës. Për të na thënë që zgjedhjet e ardhshme “do të jenë të egra”, nuk kemi aq shumë nevojë, se e heqim ne në shpinë dhe jo derdimenët që na dërgon OSBE-ja në Tiranë si në grazhd. Me këtë pushtet, që mburret se i vjedh zgjedhjet edhe në mes të ditës e në mes të Tiranës, dhe pastaj ka paturpësinë proverbiale të tundet faqe botës se “do të korrim një fitore si ajo e bashkisë së Tiranës më 8 maj”, është utopi e rrezikshme të besosh se mund të zhvillohen zgjedhje me standarde ndërkombëtare. Megjithatë, këtë herë duket se kungulli nuk ka për t’u sosur më në krua, pa u thyer udhës. Se e kanë përplasur vetë pushtetarët. Dhe nuk e kanë përplasur për dheu, por ua kanë përplasur për koke si opozitarëve edhe vetë tifozëve të tyre. Të gjithë në votime e të gjithë në mbrojtje të votës, them se mund të na sjellë një palë zgjedhje më pranë standardeve ndërkombëtare. Një palë zgjedhje që do të sillnin dhe rotacionin e nevojshëm.
Opozita që udhëhiqet nga PS-ja kërkon të marrë pushtetin në vitin 2013. Mendoni se Edi Rama është kryeministri që i duhet vendit në këto momente?
E para e punës, çdo opozitë e ka synim themelor ardhjen në pushtet për të zbatuar në praktikë alternativën e vet politike qeverisëse. Thënë kjo, nuk besoj se mund të shihet si njëfarë gjynahu që opozita “kërkon të marrë pushtetin në vitin 2013”. Po qe se me zgjedhje sa më normale, opozita që përmendët ju vjen në pushtet, është e drejta e saj që të ketë për kryeministër kryetarin e partisë. Unë vetë nuk e kam parë Edi Ramën në postin e kryeministrit, që të mund të gjykoj se sa do t’i duhet vendit në këto momente. Unë nuk i shoh si armiq kundërshtarët e mi politikë dhe, në këtë vështrim, do të uroja që në zgjedhjet e vitit 2013 të kemi një rotacion sa më të qytetëruar të pushtetit. I takon pastaj forcës politike që merr shumicën e votave popullore të vendosë për strukturën e qeverisë. Di mirë që vendit i duhet doemos rotacioni politik, në mënyrë që pushteti të mos mbetet më gjatë peng i trafikantëve vendas të mandateve popullore dhe i trafikantëve rajonalë të pasurisë së popujve, trafikantë e kontrabandistë të të gjitha zullumeve, që po realizojnë synimet e vjetra të fqinjëve me duart e pista të pushtetit vendas.
Në gjykimin tuaj, cilat janë piketat që qeveria e re e dalë nga zgjedhjet e vitit 2013 do të duhet të ketë në qendër të vëmendjes? Nga duhet filluar, që ky vend të ecë përpara?
Mua më takon të përpiqem për të bërë më të mirën, që të realizohen synimet e forcës politike ku bëj pjesë, por meqë përgjegjësia e pyetjes nuk është imja, do të thosha se çdo qeveri e dalë nga zgjedhje sa më normale të vitit 2013 duhet të bëjë çmos për vendosjen e rendit e të ligjit, aq keq të tronditur aktualisht nga pleksjet e krimit me politikën dhe e osmozës midis tyre. Do të ishte detyrë e parë e qeverisë së re vendosja në udhë normale të ekonomisë së rrënuar, kthimi i kujdesit të saj për mëkëmbjen e prodhimit bujqësor e blegtoral, që të mos importojmë më dhe barin nga fqinjët. Sikurse mendoj se është urgjente vendosja e një moratoriumi për ruajtjen e pyjeve e të shtretërve të lumenjve, që po shkojnë të dyja palët drejt një rrënimi të pariparueshëm. Duhet një kontroll ligjor i rreptë ndaj të gjitha transaksioneve të dyshimta me pasurinë kombëtare, sikurse është urgjente një nismë për pastrimin e mjedisit tonë të shpërfytyruar nga etja për fitime dhe nga mungesa e zbatimit të ligjit. Shkurt hesapi, mendoj se qeveria e re duhet të merret seriozisht me reforma e jo me deformime. Janë reformat e mirëfillta në të gjitha fushat ato që e shpien vendin përpara. Ky është dhe objektivi themelor i Frymës së Re Demokratike.
PO mire o zoti Daut, ti je nenkryetar i FRD, si eshte e mundur qe kryetari yt Bamir Topi, shkoi bashke me Oketen e Biberajn ne rresht me Berishen dhe bene homazhe te eshtrat e qelbura te tradhetarit Ahmet Zogu???
Dauti eshte Kurveleshas dhe jo mocalor!
Percaktimi se cili eshte ne te vertete pushteti i sotem dhe i Shqiperise se sotme, eshte shume i drejte nga ana e z. Daut: “Kur dëgjon njeriu i shkretë se brigadieri i pushtetit aktual urdhëron çifçiun e ngarkuar me bujqësinë që të therë 1000 qengja e 1000 deshë, nuk u beson veshëve dhe i duket sikur Shqipëria jonë qenka zhvendosur diku nga pyjet e errëta të kohës së fiseve që jetonin me gjuetinë e kafshëve!” . Saliu dhe çifçiu (Genc Ruli) do therrin 2000 qengja e desh, po kujt i intereson kjo therrje? Ku do shkojne keto therrje? Kuptohet: ne restorantet e klanit qeverises dhe parate i paguan populli. Tamam Mesjete e me thelle akoma, epoka e gurit, ketu e ka sjelle Shqiperine maloku yne.