Ka nisur sot trajnimi i punonjësve të policisë për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit.
Në fjalën e tij, Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj ka kërkuar angazhim maksimal të punonjësve të policisë në respektim të misionit që i është ngarkuar në mbarëvajtjen e procesit dhe të respektojnë ligjin dhe të Kodin Zgjedhor.
“Kërkoj nga ju vlerësim maksimal ne këtë proces trajnimi si kusht për realizimin me sukses të misionit tona dhe realizimin me sukses të detyrës sonë në këtë proces” tha Burgaj
Drejtori i përgjithshëm i policisë Burgaj paralajmëroi se do të ketë penalitete për të gjithë ata punonjës policie të cilët nuk zbatojnë ligjin.
“Punoni për zbatimin e ligjit, Kodit Zgjedhor dhe udhëzimit të KQZ, askush nuk mund të dalë mbi ligjin”tha ai duke shtuar se çdo punonjës dhe çdo strukturë policie do të ketë një udhëzues në formën e një libri xhepi për ta pasur gjithnjë me vete.
Ndërsa ambasadori i OSBE-së në Tiranë Eugen Wollfarth kërkoi që të gjithë personat që përfshihen në këtë proces, duhet të bëjnë të mundur përmbushjen e standardeve, me qëllim që vendi të ecë përpara.
“Do doja të deklaroja që puna juaj, e policisë gjatë procesit zgjedhor është absolutisht thelbësore. Zgjedhjet parlamentare demokratike përfaqësojnë një aktivitet me rëndësi, kam besim se ju do bëni më të mirën në mbështetje të këtij procesi demokratik. Presim që klasa politike, administruesit dhe kushdo është i pranishëm në procesin zgjedhor të përmbushin standardet e kërkuara ndërkombëtare në mënyrë që Shqipëria të ecë përpara”, tha ambasadori.
Por ambasadori i OSBE-së Wollfarth kërkoi nga punonjësit e policisë që gjatë fushatës zgjedhore të mos neglizhojnë edhe luftën ndaj krimit.
““Edhe pse zgjedhjet janë një ngjarje kyçe, policia duhet të vijojë punën normale, duhet të sigurojë luftën e lartë ndaj krimit dhe trafikut, siç është e nevojshme edhe në kohë zgjedhjesh” shtoi Wollfarth.
Ndërkohë punonjësit e policisë të angarkuar në procesin e zgjedhjeve do të trajtohen për detyrat që nga ato të natyrës përgatitore para fillimit të fushatës, dorëzimin e kutive në vend numërimin e votave dhe detyrat pas shpalljeve paraprake dhe përfundimtare të zgjedhjeve.