Përpos faktit që “jo çdo gjë që shkëlqen është flori” çmimet Oscar të këtij viti nxorrën në pah do anë të mira të kinemasë amerikane. Një film si Dallas Buyers Club (me buxhet minimal) rrëmbeu dy nga trofetë më të rëndësishëm të kësaj mbrëmje, Aktori më i Mirë Protagonist dhe Aktori më i Mirë Joprotagonist.
Skenari më i Mirë Origjinal shkoi tek Spike Jonze për Her. Duke i dhënë kështu një hov të madh drejt njohjes një regjisori që deri më dje është konsideruar si ekscentrik (pra jo i përshtatshëm për të gjithë).
Kurse Gravity me të drejtë do të çojë në shtëpi më shumë trofe nga të gjithë të nominuarit e tjerë. Një film fantastiko-shkencor “ndryshe” nga Alfonso Cuaron.
Sa për “12 Years A Slave”, dihet që këto lloj subjektesh marrin vëmendjen historike që ju takon në të gjitha rastet, por kush ka parë “Hunger” të të njëjtit regjisor Steve McQueen, e di se ky nuk është maksimumi i tij, megjithëse u nderua me trofeun më të rëndësishëm të mbrëmjes Filmi më i Mirë.
Personalisht prisja që ndonjë kupë e vockël të shkonte tek Nebraska, megjithatë një sërë nominime të këtij filmi në kategoritë më të rëndësishme nuk janë pak.
Cate Blanchett rrëmbeu Oscarin si Aktorja më e Mirë Protagoniste për rolin e saj në Blue Jasmine të Ëoody Allen. Kurse Lupita Nyong’o si Aktorja më e Mirë Joprotagoniste për rolin e saj dytësor, por të rëndësishëm në “12 Years A Slave”. Dukej se ishte më e emocionuara e mbrëmjes për trofeun.
Frozen u shpall Filmi i Animuar më i Mirë. Sipas të gjitha parashikimeve në faqet me më peshë të kinemasë ishte një gjë e pritshme.
Filmi më i Mirë i Huaj iu dha “La Grande Bellezza”, një film që s’duhet humbur.
Performancat muzikore si dhe batutat natyrale të Ellen DeGeneres e lezetosën mbrëmjen.
P.S.: Filmi fitues në kategorinë Filmi i Animuar me Metrazh të Shkurtër ka qenë në përzgjedhjen zyrtare të Tirana International Film Festival të vitit të kaluar.
Mos humbisni:
Janë shumë filma të nominuar në të gjitha kategoritë e sipërpërmenduara, por mendoj se 4 janë ata që nuk duhen humbur për shkak të emocioneve të mëdha që mbartin, jo thjesht për rolin e tyre argëtues:
-Nebraska
-Gravity
-Dallas Buyers Club
dhe – La Grande Bellezza
Shikim të këndshëm ![]()
