Aksioni për futjen e sistemit energjetik në shina i ka dhënë frutet e tij. Të paktën këtë tregojnë të dhënat statistikore të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE). Edhe pse në këtë vitin e fundit, aksioni për energjinë është fokusuar në mbledhjen e detyrimeve të prapambetura apo te reduktimi i humbjeve në rrjet (pra pa një investim të deritanishëm), të ardhurat në këtë sektor janë rritur ndjeshëm.
Madje sipas treguesve të mbledhjes së të ardhurave në buxhet, OSHEE rezulton të ketë sjellë të ardhurat më të mëdha. Në vitin 2014, OSHEE i ka përmirësuar ndjeshëm treguesit e saj. Sipas të dhënave nga bilanci, të ardhurat e OSHEE ishin 47.2 miliardë lekë në 2014-n, me një rritje prej 25% me bazë vjetore. Shpenzimet zbritën me 22.5%, në 49.3 miliardë lekë.
Kjo bëri që dhe humbjet të reduktoheshin ndjeshëm me 92% në 2.1 miliardë lekë, nga 26 miliardë lekë në 2013-n. Për tremujorin e parë 2015, kompania ka deklaruar se ka dalë me një fitim prej 2.1 miliardë lekësh, për herë të parë që prej 2009-s.
Humbjet në rrjet gjithashtu janë reduktuar; ka filluar shlyerja e detyrimeve të prapambetura, ndërsa investimet pritet të zgjerohen ndjeshëm. Burime pranë këtij institucioni bëjnë të qartë se rritja e fitimeve do të çojë dhe në rritjen e investimeve në këtë sektor.
Po si e gjeti OSHEE situatën energjetike?
Viti 2012 dhe 2013 konsiderohen si periudha më e keqe historike për operatorin e shpërndarjes së energjisë elektrike te klientët fundorë. Ishte periudha e administrimit nga CEZ. Kompania rezultoi me humbje prej gati 67 miliardë lekësh (450 milionë euro) për dy vitet së bashku, të ardhurat ngecën, ndërsa detyrimet ndaj furnitorëve dhe humbjet arritën rekorde.
Ishte kjo dhe periudha e nisjes së konfliktit mes saj dhe qeverisë, që çoi në prishjen e kontratës me operatorin çek të shpërndarjes CEZ, që e kishte blerë operatorin e shpërndarjes së energjisë (75%) në 2008-n nga shteti, por që nuk arriti dot ta menaxhonte atë.
Investimet e parashikuara për vitin 2015
991 milionë lekë në ndërtim nënstacionesh
2.73 miliardë lekë në ndërtim rrjeti TM dhe kabina transformimi
820 milionë lekë në ndërtim rrjet TU ABC
711 milionë lekë në sistemin e matjes

PER NDONJE ULJE CMIMI, KUR BEHET FJALE?????!!!!!!!!!!!