Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), rinisi importin energjisë për mbulimin e humbjeve në gjysmën e dytë të këtij muaji në pamundësi për të marrë sasitë e nevojshme nga KESH, i cili nuk ka tepricë në prodhim nga reshjet më të pakta. OSHE ka njoftuar se, ka blerë 82,080 MWh energji për periudhën 12- 30 qershor dhe e konvertuar në vlerë monetare 3.1 milion euro. Garën e fituan katër kompani GEN-I Tirana, GEN-I Beograd, GSA shpk, dhe EFT AG, ku 60 për qind të sasisë e ofruan GSA dhe EFT. Çmimi mesatar me të cilin u ble energjia për këtë periudhë ishte 38.7 euro për MWh, nivel i krahasueshëm ky me bursën e Hungarisë HUPX. OSHE bën të ditur se, kompanive fituese në njoftimin përkatës iu bë e ditur se, “Për periudhat 21-30 qershor 2015, konfirmimi final për sasitë që do të pranohen të lëvrohen do të bëhet deri në datën 18 qershor 2015.
Por si ka qenë prodhimi në vitin 2014?
Prodhimi i energjisë elektrike nga hidrocentralet gjatë vitit që lamë pas ka shënuar rritje. Situata optimale dhe reshjet e shumta bënë që, prodhimi vjetor të arrijë në rreth 4.7 teravatorë, ndërsa piku maksimal është arritur gjatë muajit dhjetor me 492 mijë megavatorë të prodhuar. Në vitin 2013, energjia e prodhuar në vend kapte një vlerë prej 4.5 teravatorë, ndërsa diferencën në rritje duket se ka ndikuar energjia e prodhuar nga hidrocentralet private. Për vitin 2014, 3.4 teravatorë energji elektrike u prodhuan nga hidrocentralet publike dhe 1.3 teravatorë nga ato private. Në vitin 2013, energjia e prodhuar nga hidrocentralet private arrinte në 0.9 teravatorë. Pritshmëritë janë që edhe viti 2015 të ketë një bilanc pozitiv përsa i përket prodhimit të energjisë elektrike, duke marrë në konsideratë se do të rritet numri i hidrocentraleve private që do të hyjnë në fazën e gjenerimit. Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Energjisë së Rinovueshme, prodhimi nga hidrocentralet private do të zërë 18% të totalit gjatë këtij viti. Megjithatë, edhe pse prodhimi i energjisë në vendin tonë vazhdon të jetë në rritje, sistemi i furnizimit vazhdon të jetë i varur nga importi, pasi i gjithë gjenerimi energjetik nuk mjafton për të mbuluar nevojat për konsum, edhe pse kjo varësi ka ardhur në rënie nga viti në vit.
