Administratori i OSHEE-së, Adrian Çela, inspektoi sot Zyrat e Kujdesit ndaj Klientit, ku paguhet fatura e dritave dhe ofrohet shërbimi ndaj abonentëve.
“Siç e shikoni dhe vetë, pasi keni qenë dëshmitarë të radhëve pafund për të paguar dritat dhe lidhur aktmarrëveshje me OSHEE për pagesat me këste, si pasojë e afrimit të skadimit të datës 28 shkurt, sot që flasim situata duket e normalizuar.
Por sot dua të ndalem pikërisht të ky afat, te data 31 mars, e cila do të jetë e fundit. Konstatoj një normalizim të fluksit, të numrit të aktmarrëveshjeve, diku te 2000 kontrata në ditë, nga 9000 që ishte në ditët e fundit të shkurtit.
Afat tjetër nuk ka, prandaj askush të mos e lerë në ditën e fundit të hyjë në marrëveshje me OSHEE për pagesat me këste dhe ulje me 80% të kamatës”, deklaroi administratori Çela.
Në ditët e para të muajit mars janë lidhur rreth 6000 aktëmarrëveshje mes debitorëve dhe OSHEE, numër ky që pritet të rritet.
