Operatori i Shpërndarjes së Energjisë thotë se ka deklaruar në mënyrë transparente të dhënat financiare të saj. Në reagim për një artikull të BIRN dhe akuzave të Partisë Demokratike, OSHEE thotë se të dhënat janë të verifikueshme lehtësisht.
“Së pari, këto janë dy të dhëna të ndryshme, ku Arkëtimet janë shuma e Lekëve të arkëtuara nga pagesat e klientëve të OSHEE dhe deklarohen me TVSH, ndërkohë Të Ardhurat janë vlera e energjisë së faturuar të cilat në Pasqyrat Financiare të shoqërisë paraqiten pa TVSH”, sqaron kompania.
Sipas deklaratës, arkëtimet prej 59.4 Miliardë Lek për 11-mujor të përmendura në artikull, janë tërësisht të sakta dhe janë të deklaruara përfshirë TVSH, shifër kjo e bazuar në pagesat e kryera nga Klientët e shoqërisë.
Arkëtimet totale-sipas deklaratës- arritën në 65,4 miliardë. “Vlen të ritheksojmë që shoqëria OSHEE raporton çdo muaj të dhënat e saj financiare duke i bërë ato publike për çdo palë të interesuar dhe verifikimi i tyre mund të kryhet në çdo moment. Deklarata të tilla të papërgjegjshme për diferenca miliona Euro, nuk vlejnë për asgjë përveç përbaltjes në mënyrë të padrejtë të gjithë punës dhe arritjeve të jashtëzakonshme dhe historike që kjo shoqëri ka arritur të regjistrojë gjatë vitit 2015”, thuhet në reagim. /Dita/
