Osman Haxhiu në luftën e Vlorës 1920

Ornela

Prof. dr. Bardhosh Gaçe

Zhvillimet historikë dhe politikë në Shqipëri, pas Shpalljes së Pavarësisë ishin të shpejtë dhe thelbësorë, jo vetëm në tokën e shqiptarëve, por në Ballkan dhe më gjerë. Në zhvillimet ndërkombëtarë, të cilët në fillimvitet 1900 përkojnë me tendencat e njohura të zhvillimit kapitalist në Evropë, por edhe në botë, Fuqitë e Mëdha dhe vendet e zhvilluar, kryesisht Italia dhe Gjermani, kishin shfaqur para njerëzimit ambiciet për territore dhe zona të influencës. Në njëfarë mënyre kjo tendencë ishte shfaqur që me Krizën Lindore, e cila me shqiptarët lidhej edhe Rilindja Kombëtare, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe një produkt i madh gjatë fundvitet 1800, ku ndjenja kombëtare dhe lëvizja kombëtare kishte marrë një ritëm të madh. Këto ngjarje, kjo dakordësi sociale dhe kulturore e Rilindjes dhe ajo kombëtare politike e lidhjes kishin përgatitur terrenin dhe nevojën e domosdoshme të Pavarësisë së Shqipërisë. Natyrisht, kjo periudhë historike lidhet edhe me zhvillime të tjera të brendshme të vendit, ku në jetën politike të tij dolën personalitete të rëndësishëm, ashtu siç dolën edhe shoqëri, klube apo organizata të shumta, që përbënin një mjedis dhe një zhvillim të ri të pakthyeshëm pas.

Periudha e fund-viteve të shek. XX dhe ajo e fillimshekullit XX shërbeu gjithashtu edhe si një shkollë e madhe politike, historike kombëtare, ku u rritën, u motivuan dhe u frymëzuan dhjetëra luftëtarë të mendimit dhe të veprimit, të cilët do të vinin më vonë në shërbimin e tyre të vyer të atdheut dhe kauzave të tij të rëndësishme. Në këtë rrjedhë kohore dhe zhvillimesh do të shfaqet edhe njëri nga personalitetet e shekullit XX, Osman Haxhiu, i cili arriti të lërë shenjën e të tij të vyer në shërbimin e atdheut si njeri i i dijes, si drejtues, si shtetar, si politikan, si ligjbërës, si luftëtar dhe si një njeri human me një motivim të vazhdueshëm dhe i frymëzuar nga veprat kombëtare.

Lidhur me figurën e Osman Haxhiut ka rëndësi kompleksi i ngjarjeve dhe rrethanave historike në të cilat ai u lind, u shkollua, u edukua dhe ku veproi. Janë rrethana komplekse në të cilat preken çështjet e fateve të vendit, preket thellësisht vendlindja e tij Vlora, shfaqen pamje interesante lidhur me zhvillimet e gadishullit dhe të shquar Osman Haxhiut është komplekse dhe e rëndësishme për kohën, historinë, pasurinë e personaliteteve të shquar të vendit, për studiuesit, historianët dhe çështje të tjera.

Në këtë lidhje të rëndësishme dhe bashkëvepruese të tij, njerëzve të shquar të Vlorës dhe të vendit, jeta dhe veprimtaria e Osman Haxhiut është e lidhur ngushtë edhe me një shtresë të njohur intelektuale, atdhetare dhe patriotike të Vlorës, por edhe të hapësirës shqiptare, në Shkodër, në Kosovë, në qendra të tjera si: Tiranë, Elbasani apo Korça. Natyrisht kjo lidhet me një “kod” të rëndësishëm të kohës, pasi pas Shpalljes së Pavarësisë, në Shqipëri shtresat intelektuale të vendit, po ashtu edhe ata jashtë vendit kishin filluar të bënin prezent në opinionin e kohës, interpretimet politike, si një stad i rëndësishëm i zhvillimeve në vend.

Kronika jetësore e Osman Haxhiut është e gjerë, dhe e lidhur fort me kontekstet e zhvillimeve shoqërore, diplomatike, politike dhe historike të kohës. Ai është një personalitet, i  cili ka lënë shenjën e tij prej burri atdhetar, i mençur, i pjekur, me njohje të gjera dhe aftësinë për t’i kuptuar me mjaft inteligjencë zhvillimet e befasishme që dy dekadat e para të shekullit XX ishin të vazhdueshme në mjedisin politik shqiptar.  Pavarësisht “kurtheve” në të cilat koha kishte zënë dhe zinte mjaft nga njerëzit e rëndësishme të vendit tonë, Osman Haxhiu ka shkëlqyer në pjekurinë dhe qëndrimet ka mbajtur, duke qenë dhe njëri nga njerëzit më të rëndësishme të qytetit të Vlorës, qytet, i cili që në fillim-shekullin XX mori vëmendjen dhe u shndërrua në një nga qendrat më të rëndësishme të zhvillimeve historike. Shpallja e Pavarësisë, krijimi i qeverisë së parë, përplasjet me faktorin ndërkombëtar dhe atë nacional- shovinist ballkanik, mosdakorëdia me diplomacinë ndërkombëtare, e cila vijonte të mbante qëndrime historike si me Lidhjen e Prizrenit, përplasja  me faktorin politik të brendshëm, një pjesë e të cilit ishte përfshirë në pazare dhe mekanizma minuese të zhvillimeve politike në vend, e kishte ekspozuar Vlorën dhe Qeverinë e Ismail Qemalit para një fronti të gjerë marrëdhëniesh, alternativash dhe presionesh. Osman Haxhiu ishte njëri nga njerëzit e rëndësishme të kohës në këtë rast, ku u zhvilluan dhe rrodhi më së shumti dhe veprimtaria  e tij jetësore.

Në një opinion të gjerë, në kujtimet dhe burimet e rëndësishme dokumentare që jo pak autorë librash, burime të tjera të kulturës popullore, por edhe në kronikat e huaja, Osman Haxhiu shquhet për shpirtin e madh kombëtar, për qytetarinë dhe integritetin moral. Në kontaktet e shumta që ai pati gjatë veprimtarisë së tij shquajnë personalite të kohës, diplomatë të huaj, njerëz të dijes, luftëtarë dhe shtetarë. Osman Haxhiu kishte miqësi të vazhdueshme me atdhetarin e njohur të jugut, Sali Butkën e Kolonjës, Namik Delvinës, Kadri Gjatën, Azis Pashë Vrionin, Shahin Kolonjën, Feim Mezhgoranin Sali Butka kishte në aktivitetin e tij një veprimtari atdhetare të rëndësishme në krahinën e Korçës dhe me figura të njohura, të cilat kishin luajtur një rol të rëndësishëm në lëvizjen kombëtare shqiptare. Osman Haxhiu e kishte pritur dhe përcjellë disa herë Sali Butkën, ndërsa në bllokun e tij gjenden dhe vargjet që Butka i kishte shkruar me dorën e tij, ku spikat motivi atdhetarë patriotik, përmes këtyre vargjeve: “Shqipëria do të bëhet,/ po vallë, a do ta shoh unë,/ kush të rrojë do të prehet,/ është e ditur kjo punë…”, shënime përmes të cilave kuptohet mjaft mirë se sa shumë i lidhte dy burrat e dëgjuar me njëri – tjetrin.

Osman Haxhiu dhe atdhetarë të tjerë të njohur, të cilët zhvilluan një veprimtari të gjerë në dy dekadat e para të shekullit XX, patën fatin e madh të përjetojnë dhe të përfshihen në ngjarje madhore, të jenë bashkëpunëtorë dhe mbështetës të atdhetarit, burrështetasit më të madh shqiptar, Ismail Qemalit. I lindur në Picar të Vlorës në vitin 1889, Osman Haxhiu preku me rininë dhe moshën e tij të pjekurisë zhvillimet më të rëndësishme historike të Shqipërisë. I shkolluar më së miri për kushtet në të cilat ai u lind dhe u rrit, në shkollën qytetëse të Vlorës dhe në “Robert Kolezh” të Stambollit, ai u lidh shpejt me qarqet patriotike të kohës, me Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, Shahin Kolonjën, Nexhip Dragën, Azis Gjirokastrën, Zihni Kaninën, Mulla Xhaferr Drashovicën, që do të ndikonin fort në krijimin e ndërgjegjes së një atdhetari dhe patrioti të vërtetë. Veprimtaria e tij patriotike do të ndëshkohej menjëherë nga osmanët, të cilët kërkuan që ta dëbojnë në Arabinë Saudite, por me ndihmën e miqve, patriotëve dhe atdhetarëve shqiptarë në Turqi dhe vende të tjera ku ata vepronin, organizuan arratisjen e tij nga Turqia për në Shqipëri. Ismail Qemali, pas ngritjes së flamurit në Vlorë dhe Shpalljen e Pavarësisë, e përfshiu në administratën e qeverisë së tij si ndihmës i ministrit të Bujqësisë Pandeli Cale.

Vlora ku ai kaloi pjesën më të madhe të jetës dhe të veprimtarisë së tij prej atdhetari dhe patrioti pati zhvillime të mëdha, organizime të natyrave të ndryshme me qëllimin e mirë, për të krijuar organizime patriotike dhe atdhetare, të cilat i vinin në ndihmë çështjes sonë kombëtare. Në jetën e askujt nga luftëtarët e kësaj kohe, dhe të Osman Haxhiut nuk ka munguar dhe nuk mund të mungojë prania politiko- atdhetare e Klubit “Labëria”, duke qenë një dallëndyshe e rëndësishme në rrjedhën e ngjarjeve që do të vijonin para dhe pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Klubi “Labëria” është formuar në kulmin e zhvillimeve politiko-diplomatike të fillim-shekullit XX. Vlora, duke qenë një qytet me një të kaluar tradicionalisht patriotike, pasi shekujt kishin lënë në kujtesën e saj dhe të këtij qyteti ngjarje të shumta, kishte ndjesinë, refleksin, edukacionin e nevojshëm për t’iu përgjigjur zhvillimeve, të cilat kishin një ritëm të madh, jo vetëm përbrenda vendit, por edhe në zhvillimet ballkaniko – evropiane, të cilat dukej qartë se kishin në agjendën e tyre zhvillimet e Shqipërisë AIH.

Për shkak edhe të prezencës së shumë autoriteteve intelektuale, politike dhe me vokacion diplomatik kombëtar nga qyteti dhe krahina  e Labërisë në administratën e lartë të Perandorisë Otomane, Vlora përbënte një qendër dhe një vatër të nxehtë të zhvillimeve të kohës. Po ashtu, Labëria, si një krahinë tipike etnologjike shqiptare me një lloj reputacioni në rang kombëtar, kishte treguar një inteligjencë të madhe lidhur me përjetimin në kohë të zhvillimeve historike – politike, për të krijuar gjetje, për t’iu përgjigjur zhvillimeve, gjë që ajo e kishte bërë tradicionalisht që nga koha e pushtimeve të mëhershme perandorake.

Klubi “Labëria” ishte një ogur i mirë dhe i nevojshëm për çfarë do të ndodhte më vonë në Vlorë dhe në Shqipëri. Në mes vlonjatëve të mençur dhe trima kishte një dakordësi të madhe, një dakordësi historike; njerëzit u bënë bashkë në idetë përparimtare, për t’i bërë mirë Shqipërisë. Personalitete të tilla si: Zihni Abaz Kanina, Ibrahim Abdullai, Hamza Isai, Ymer Radhima, Abaz Mezini, Alem Mehmeti, Osman Haxhiu, Jani Minga, Elmaz Xhaferi, Arshi Selfo, Hamit Lumi, Kristo Karbunara, Ali Asllani, Spiro, J. Koleka, Ibrahim Shyti etj. i dhanë gjallëri lëvizjes kombëtare të kohës

Natyrisht, Vlora, si një vend i zgjedhur nga Perëndia për të qenë e bukur, e begatë, strategjike, një nyjë e lakmueshme me detin dhe tokën, ku lidhen dhe zgjidhen bashkë Lindja dhe Perëndimi, që nga sundimet dhe pushtimet e perandorive të hershme, ishte shndërruar në një vend të lakmueshëm  dhe të pandalshme për çdo pushtues. Tashmë në fillimshekullin e kaluar ajo ishte një nga synimet më të rëndësishme të Italisë fqinje. Vlonjatët, ata që jetonin në Vlorë apo larg saj  e dinim mirë këtë tendecë dhe projekt italian.

Klubi “Labëria” që në dekadën e parë të viteve 1900, kur në vend kishte një angazhim dhe një shpërfaqje të gjerësishme dhe të zhvillimeve kulturore e arsimore, por edhe me elemente të tjerë të rëndësishëm të nocioneve të shtetit dhe të kombit, solli hapur dhe të mirëmotivuar kërkesën dhe nevojën e ngutshme të Pavarësisë Kombëtare, pasi zhvillimet  në vend, lëvizjet ballkanike, zhvillimet  e brendshme në Perandorinë Otomane ishin të shpejta dhe të papara më parë, d.m.th të paparashikueshme. Shqipëria ishte në një rrezik të madh.

Klubi atdhetar “Labëria” ishte një lloj thirrjeje, për një aksion kombëtar për çështjen kombëtare. Duke qenë pjesë e një vijimësie historike, kryesisht atë të Lidhjes së Prizrenit, ao klubeve patriotike të Bukureshtit, Kajros, Sofjes, Manastirit, Janinës. Klubi “Labëria” ishte një vazhdim i rëndësishëm i luftës politike dhe diplomatike, duke u mbështetur mbi aktet madhore kombëtare të njohura që lidheshin me shtetin, territoret tokësore, pavarësinë, independencën në kuptimin diplomatik të komunikimit me faktorin ndërkombëtar, e cila ishte shfaqur ndër shqiptarët dhe patriotët e Labërisë, që me daljen në skenë të Rilindjes Kombëtare dhe me programin politik të Lidhjes së Prizrenit.

Klubi “Labëria” përbënte një qendër orientuese  dhe motivuese për patriotët dhe popullin atdhetarë , pasi atë e krijuan njerëz me dije  të qarta, njerëz të kulturuar dhe mendimtarë të mençur, të cilët dinin se ç’është liria, atdheu, shteti, pavarësia etj. Vënia e tyre në shërbim të atdheut ishte një shembull i rëndësishëm në këtë kohë delikate. Po t’i hidhnim një sy kohës kur u themelua Klubi “Labëria” (1908) mund të kuptohet mirë një situatë komplekse politike, një situatë në të cilën vepronin planet e fqinjëve të Shqipërisë për ta copëtuar atë, plane aneksimi, plane pushtimi, plane për të zhdukur identitetin  e shqiptarëve, që ishin prezent në programin e mëhershëm dhe në kushtetutën osmane, pasi shqiptarët përmes “trashëgimisë turke të Ballkanit” nuk njiheshin me emrin e tyre të vërtetë, çka e rrezikonte identitetin e tyre të lashtë.

Këtë rrezik të madh, këtë emergjencë kombëtare dhe historike mund ta kuptosh lehtësisht, duke njohur burimet politike dhe diplomatike që e ushqyen Klubin “Labëria”.  Pa dyshimin më të vogël, klubi kishte një informacion të gjerë për ç’ndodhte brenda Perandorisë Otomane dhe diplomacisë evropiane. Ismal Qemali ishte (kryetar nderi), ndërsa kryetari ekzekutiv i klubit ishte Xhemil Vlora dhe sekretar  Leonidha Naçi, Ismail Qemali ishte ndërkohë dhe politikani dhe diplomati më i i mirë që kishte Shqipëria, por edhe vendet e tjera ballkanike-evropiane.  Ai shquante për një angazhim evropian në marrëdhëniet dhe zhvillimet diplomatikë, duke e “ekspozuar” atë si një njeri të “regjur” në zhvillimet politikë ndërkombëtarë. Klubi “Labëria” kishte lidhje dhe komunikim të rregullt me plakun e Vlorës, por edhe me klube të tjera në Janinë, Filat, Korçë, Bukuresht, Sofje, Kajro, Stamboll, Gjirokastër e gjetkë. Në këtë aspekt, nuk ka asnjë dyshim, se klubi “Labëria” ishte një element i rëndësishëm i “skemës” së zhvillimeve historikë të kohës, për të mbajtur aktive ndjenjën dhe aksionin politik kombëtar lidhur me çështjen fondamentale të Pavarësisë.

Veprimtaria atdhetare dhe luftarake e klubit “Labëria” mori vëmendje të madhe ndër rrethet patriotikë të kohës. Veprimtaria e klubit buronte nga qëllimi, programi dhe arsye pse ishte krijuar. Në zhvillime të tillë, jo pak anëtarë të klubit u përndoqën, u ndëshkuan dhe e keqtrajtuan nga shteti xhonturk i kohës. Kështu, Ibrahim Avdullahu, Elmaz Kanina, Muço Sharra, Duro Shaska dhe Ali Beqiri u kapën dhe u dërguan në Stamboll, por veprimtaria e klubit nuk u shua. Klubi kishte terren veprimtarie në Lumin e Vlorës, në Kaninë, Drashovicë, Dukat, Brataj, në Smokthinë etj, ku vepronin patriotë të njohur si dr. Koleka, Zaçe Xhelo, Hamit Lumi, Jani Minga, Arshi Selfo, Toto Hosi, Murat Tërbaçi, Alem Mehmeti, Memo Mete, Sali Hallkokondi në spektrin e të cilës aktiviteti  patriotik ishte zgjeruar dhe me shpërndarjen e librave në shqip, duke propaganduar shkollën shqipe si një nevojë jetike atdhetare. E gjithë veprimtaria atdhetare – kulturore dhe shoqërore e klubit “Labëria”, kishte synimin madhorë të 28 nëntorit 1912, Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Pavarësisht zhvillimeve të mëvonshëm klubi “Labëria” nuk u shua, përkundrazi ai mbeti një produkt i rëndësishëm i kohës, në të cilin u mishërua koha, kërkesat e saja jetike, shpirti liridashës, angazhimi për independencën e Shqipërisë, krijimin e një vatre veprimtarie për t’i solidarizuar njerëzit dhe për t’i dakordësuar për zhvillime të tjerë historike. Përveçse në radhët e klubit të njohur u farkëtuan njerëz të cilët i shërbyen vendit deri në pikën e fundit të jetës, ai, klubi, shërbeu si një shkollë dhe një shembull i shkëlqyer për kohët e mëvonshme kohë që qe e mbushur me zhvillime të shumta. Klubi shërbeu si një profil i rëndësishëm, madje jetik për një veprimtar vlonjat, si Osman Haxhiu, të cilin e mbushte me frymëzim, me besim dhe me guxim, se shpirti i popullit, sado i pakët të jetë në numër, në të vërtetën dhe të drejtën e tij, ai nuk mposhtet

Gjatë periudhës së vështirë historike 1912-1920, e cila konsiderohet një nga periudhat më tragjiket sipas historianëve, Osman Haxhiu ka qenë i pranishëm gjatë gjithë këtyre zhvillimeve. Ai hyri në bisedime me përfaqësuesit e Haxhi Qamilit në Frakull të Fierit për të ndaluar gjakderdhjen përmes vëllavrasjes, duke u këmbëngulur dhe kërkuar përfaqësuesve të tij mbajtjen e flamurit shqiptar. Ndërsa në kohën e qeverisë së Esat Toptanit Osman Haxhiu ishte në Vlorë, ku me shpërndarjen e Komisionit, në detyrën e administratës së Prefekturës, Osman Haxhiu u caktua zv. prefekt dhe më vonë prefekt, detyrë të cilën ai e mbajti deri në muajin shkurt të vitit 1917.

Në këto kushte të vështira, Osman Haxhiut iu desh të përballojë situatën e rëndë të muhaxhirëve të ardhur nga Kurveleshi, Përmeti, Kolonja, Tepelena, Kardhiqi, Libohova e Rrëzomat e Delvinës, të cilët kërkuan të strehoheshin dhe të trajtoheshin nga perfektuara e Vlorës. Ndërsa një shembull jashtëzakonisht i veçantë për kohën, por në shërbimin e një qëllimi madhor, strategjik që iu përgjigje kërkesave të Rilindjes kombëtare ishte hapja e shkollave fillore, ku mësohej dhe shkruhej shqip me vetë shpenzimet e Osman Haxhiut, me ç’rast u krijua mundësia që të mësonin fëmijët e Vlorës dhe fshatrave të saj.

I lidhur mjaft me çështjen e shkollës, gjuhës dhe shkrimit shqip, si një element i rëndësishëm i origjinës dhe shtetit të ri shqiptar, Osman Haxhiu kundërshtoi pushtuesit italian, që në administratën shqiptare, kryesisht atë që ai drejtonte të mos flitej italisht dhe asnjë dokument të mos shkruhej në atë gjuhë. Ky konflikt qe kaq i nxehtë sa Osman Haxhiu e grisi para autoriteteve italiane, duke mos e mirëpritur një marrëveshje të tillë me italianët. Për këtë arsye dhe të tjera, që binin ndesh me pushtuesin, autoritetet italiane, me firmë të gjeneralit Ferrero, Osman Haxhiu u pushua nga puna me disa nga përkrahësit e tij, dhe u kërkua internimi i tij, por populli i Vlorës u ngrit në këmbë, duke i detyruar autoritetet italiane të tërhiqnin vendimin.

(Vijon)

 

Osman Haxhiu nuk e ndërpreu kurrë  aktivitetin atdhetar, duke qenë i lidhur vazhdimisht me eksponentët e njohur të lëvizjes përparimtare shqiptare, që nga Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Aqif Pashë Elbasani, Vehbi Dibra, Dom Nikollë Kaçorri dhe patriotë të tjerë. Në këto rrethana kishte dalë në dritë dhe organizata “Lidhja Fshatare e Labërisë”, që ishte krijuar nga Halim Xhelua, dhe ishte vënë në krah të lëvizës atdhetare në Vlorë dhe në krahinat e saja. Një akt i lartë dhe shprehës gjatë kësaj kohe të errët, ku lëvizja atdhetare e shqiptarëve dhe vlonjatëve ndalohej me çdo lloj mjeti nga pushtuesi, Osman Haxhiu, Jani Minga, Kristo Karbunara, Hamza Isai, Sali Hallkokondi dhe Halim Xhelo e realizuan duke vendosur që më 28 nëntor të vitit 1919 të festonin me flamuj në dorë në sheshet dhe rrugët e qytetit, e cila u shndërrua në një ditë historike, për shkakun e përleshjes së përgjakshme me pushtuesin italian.

Figura komplekse, siç është ajo e Osman Haxhiut, kërkojnë një hapësirë dhe qasje të gjerësishme për t’i sjellë në plotësinë e tyre. Siç është shënuar në të gjithë objektin e këtyre shënimeve, pasi për këtë personalitet kombëtar është shkruar shumë, madje dhe libra monografik, figura, veprimtaria, intelektualizmi, profili dhe autoriteti i këtij burri nuk mund të shihen jashtë kontekstit të gjerësishëm të vendit dhe të Vlorës, me ngjarjet, zhvillimet, opinionet, marrëdhëniet e brendshme dhe ato të jashtme sociale, politike dhe diplomatike. Në këtë rrjedhë kohore, në këtë kohë me shumë ngjarje gati ekstreme, Osman Haxhiu ka lënë shenjën e tij, është formuar me këto ngjarje dhe zhvillime, por ka qenë dhe njëri nga aktorët e rëndësishëm të tyre.

Pjesa më e madhe dhe më e rëndësishme e vendimeve, takimeve, vendimmarrjeve dhe kontakteve zyrtare, lidhur me ngjarjet e Vlorës, që kulmuan me luftën e armatosur 5 qershor deri në shtatorin e vitit 1920, u bënë përmes statusit të Komitetit  “Mbrojtja Kombëtare”. Komiteti i njohur paraprakisht si “Komiteti i Fshehtë”, u formua në vjeshtën e vitit 1919 nga atdhetarët dhe intelektualët e njohur të Vlorës si: Osman Haxhiu, Abaz Mezimi, Ymer Radhima, Jani Minga, Hamza Isai, Spiro J. Koleka, Qazim Kokoshi, Arshi Selfo dhe Halim Xhelo, të cilët kishin shpallur qëndrimin politik të “mos shkëputjes së Vlorës e të krahinave të saj nga trualli shqiptar.”

Komiteti përdori forma dhe mjete të shumta komunikimi me kohën si: protesta, memorandume, demonstrata (28 nëntorë 1919 një nga më të njohurat në vend në këtë kohë në Vlorë), por jo vetëm në Vlorë por në qendra dhe pika të nxehta të Vlorës, ku Komiteti kishte degët e tij, si në Mesaplik, Dukat, Kudhës, Mallakastër, Topallti etj. Komiteti, shpejt u shndërrua në një zë shprese dhe mbështetjeje për lëvizjen kombëtare atdhetare, për shkakun e njohjes dhe përhapjes së aktivitetit të tij në të gjithë mjediset atdhetare deri në Tiranë. Ai zgjeroi kontaktet dhe bashkëpunimin me eksponentë të njohur të çështjes kombëtare si në Berat, Korçë, Gjirokastër, Tepelenë, Delvinë, Mallakastër gjatë kohës kur po përgatitej dhe mbledhja e Kongresit të Lushnjës.Takimet drejtoheshin nga Osman Haxhiu, Qazim Koculi, Myqerem Hamzaraj, Halim Xhelua, Hamza Isaj, Ali Asllani, Ibrahim Abdullai dhe eksponentë të tjerë të kësaj lëvizje me një frymë të hapur bashkëpunimi lidhur me çështjen kombëtare dhe çlirimin e Vlorës.

Në të gjithë takimet shquante shqetësimi i rrezikut të madh të copëtimit të trojeve dhe mbrojtja e tyre me luftë të armatosur. Komiteti dhe udhëheqësit e tij mendonin se kishte energji dhe aftësi luftarake për ta larguar pushtuesin me luftë, si një nga mjetet më të nevojshme në këtë rast. Në këtë rrjedhë ngjarjesh Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” u krijua më 10 mars 1920 në Vlorë, vendimi më i rëndësishëm i të cilit ishte, që çështja e Vlorës do të zgjidhej vetëm me armë. Një muaj pas Kongresit të Lushnjës, në shtëpinë e Osman Haxhiut u krijua organizata1 “Mbrojtja Kombëtare”, i cili do të përgatiste kryengritjen e përgjithshme të armatosur. Shpejt ajo krijoi degët e saja në Tepelenë, Mallakastër, Përmet, Berat, Tiranë dhe në pika të tjera të nxehta të jugut të vendit. Në rrethanat e reja që u krijuan, lidhur me përgatitjen e përplasjes me armë me pushtuesin italian, Osman Haxhiu, duke pasur njohje të thella për çështje të tilla, u kujdes në  punën e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” të kishte kontakte dhe marrëdhënie shtypi i kohës, i cili duhej t’i sensibilizonte vazhdimisht njerëzit për atë që ndodhte dhe çfarë duhej të bëhej, t’i sensibilizonte dhe t’i motivonte njerëzit në drejtësinë e kësaj lufte që po përgatitej me shpejtësi si një kryengritje e armatosur. Kështu gazetat “Drita” dhe “Albania” apo “Kuvendi” njoftonin vazhdimisht opinionin publik dhe atë të huaj se çfarë po ndodhte në Vlorë, me veprimtarinë e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”, i cili kishte marrë rolin e rëndësishëm dhe organizmin e kryengritjes.

Osman Haxhiu dhe krerët e Komitetit, në nivel qendror dhe lokal vazhdonin komtaktet në qytetet dhe në qendrat e tjera të revoltës popullore në të gjithë jugun e Shqipërisë, duke përfshirë në këto kontakte dhe krerë të tjerë që gëzonin mbështetje popullore, pasi lufta kërkonte një lloj uniteti kombëtar dhe për asnjë arsye nuk duhej të dështonte para një kundërshtari të fuqishëm ushtarakisht. Në Vlorë, gjatë gjithë kësaj kohe Osman haxhiu shihej të komunikonte me Ali Asllanin. Ibrahim Abdullahin, Hamza Isain, Toli S. Arapin,  Shtjefën Gjeçovin, Dom Mark Vasën, Abaz Mezinin, Jani Mingën, duke pasur gjithashtu kontakte të vazhdueshme me Sulejman Delvinën, kryeministrin e vendit dhe Spiro J. Kolekën.

Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” dhe Osman Haxhiu në një kohë të shkurtër arritën të marrin kontakte me faktorin mbështetës të luftës kundër pushtuesit në Jug, pa harruar kontaktet me faktorë të tjerë larg Vlorës, deri në Veriun e vendit, ku kishte një gatishmëri për të shkuar në luftë në Vlorë. Po kështu edhe me faktorët diplomatik të kohës edhe pse komanda ushtarake italiane, që siç shihej dhe dihej kishte një terren të gjerë në Vlorë dhe periferitë e saj, që e monitoronte me forca ushtarake, garnizone dhe në pika strategjike të larta, e cila kishte lëshuar urdhra për arrestime, bllokim rrugësh, ndërsa anëtarët e  Komitetit i përgjigjeshin me mitingje dhe me protesta të shumta. Osman Haxhiu gjatë fillim vitit 1920 bëri disa takime me Suljeman  Delvinën, ndërsa Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” kishte zgjeruar spektrin e veprimtarisë atdhetare, në radhët e tij kishin zënë vend eksponentë të rëndësishëm dhe me ndikim në të gjithë jugun  e Shqipërisë.

Pavarësisht kohës së shkurtër, por duke qenë vatra e nxehtë e luftërave të hershme, vendi ku idetë e Rilindjes Kombëtare dhe Lidhjes së Prizrenit ishin kthyer në ikona burrërore, familjare dhe jetike njerëzore, ku ishte krijuar Klubi “Labëria”, si një lajm i rëndësishëm për Pavarësinë, Komiteti i Fshehtë, po ashtu dhe Komiteti “Mbrojtja Kombëtare”  kishte nxjerrë në skenë dhjetëra burra trima dhe atdhetarë të cilët përbënin dhe fuqinë  madhe të kryengritjes që po i afronte ora. Në takimet e Mesaplikut, Mallakastrës dhe të Kurveleshit, Osman Haxhiu njoftonte që kishte ardhur sahati për të shpëtuar Vlorën nga thonjtë e “lugatit”. Këtë refren lufte Osman Haxhiu do ta shpallte në të gjithë takimet e krahinave dhe qendrat ku po përgatitej kryengritja.

Në kujtesën popullore, kjo periudhë e rëndësishme historike është përjetësuar në këngë, ku personaliteti i Osman Haxhiut  ndrin si dielli dhe yjet, ashtu siç ndrin thirrja e tij e famshme: “Ju bëjmë të ditur, se nevoja e rrezikut që ka marrë në sy Vlora dhe Atdheu, na thërrasin për bashkim e kuvendim në malin e Barçallasë më 29 të majit. Nxitoni të jini atje: Me lutje- Osman Haxhiu”.1. Në momentin kur vendimi dhe betimi për liri a vdekje kishte ardhur. Dhe populli do t’i këndonte: “Lule o Osman Haxhi,/ të ishin dy-tre si ty,/do të bëhej Shqipëri”.

Lufta e Vlorës është një nga ngjarjet historike në historinë shqiptare, jo vetëm në planin kombëtar, por atë ballkanik dhe më gjerë. Është lufta e cila shërbeu si parathënie për çfarë do të ndodhte më vonë, jo vetëm në Shqipëri, por në Ballkan dhe në Evropë, pasi Italia në këtë kohë përbënte një pjesë të fuqisë ekonomike dhe ushtarake të rendit kapitalist në botë. Bashkë me shtetet të tjera të fuqishme, që do të bënin dhe protagonizmin e dy luftërave botërore në një hapësirë kohore të shkurtër. Italia përbënte një dëshmi të qartë të lëvizjes ekonomike- ushtarake dhe politike për nga po lëvizte Evropa. Vlora, si një pikë strategjike për Perëndimin dhe Lindjen kishte fatin e keq të përplasjes së interesave të fuqive evropiane të kohës. Po ashtu, lufta e Vlorës, duke qenë një luftë komplekse dhe më interesantja që u zhvillua në trojet shqiptare, ka shërbyer si një pasqyrë e rëndësishme, ku kanë gjetur vetveten personalitete historikë të luftës dhe dijes, tribunë dhe prijës popullorë, diplomatë dhe politikanë të kohës, tribunë të mendimit bashkëkohor të kohës.

Duke qenë një luftë e gjatë, lufta e Vlorës bën të mundur për të lexuar mirë mënyrën si ajo u zhvillua, si ajo i qëndroi kohës, kur përballë një populli të vogël dhe të varfër ishte vendosur një fuqi ushtarake e kohës. Si ishin raportet historikë dhe ato politike, të cilat u përvetësuar mjaft mirë nga një popull kryengritës. Në këtë epope lexohet roli i udhëheqjes politike dhe ushtarake. Vetë shtypi evropian pohonte,  si ishte e mundur që të mbahet kaq gjatë një dakordësi popullore për të mos iu nënshtruar një pushtuesi, i cili në shumë raste merrte rolin qeverisës të vendit, për të kuptuar sa mjeshtërisht, mençurisht dhe me vlera janë shumë nga figurat luftarake dhe politike të kohës që iu vunë në krye kësaj lëvizjeje, pa harruar dhe një numër të veçantë mekanizmash të kohës dhe diplomatike, që nuk munguan në këtë luftë të rëndësishme.

Shqipëria kishte shpallur Pavarësinë e saj më 28 nëntor 1912, pak vite para këtij pushtimi. Përmes një sakrifice të madhe Ismail Qemali ishte përpjekur të merrte fatin e popullit shqiptar në dorë, për t’i dhënë atij prosperitet, një qeverisje të sforcuar për shkakun e disa kushtëzimeve të brendshme dhe të jashtme, në kohën kur diplomacia ndërkombëtare dhe Fuqitë e Kohës, do të lejonin copëtimin e trojeve shqiptare, sipas një projekti të njohur që më parë. Në këto kushte, kur njerëzve që kishin marrë fatin e shqiptarëve në dorë, kur vendi po përballej me një situatë të vështirë njohjeje nga faktori ndërkombëtar, Lufta e Vlorës dukej se kishte dhënë një sinjal të rëndësishëm për vendin. Dakordësia që po përcillnin këto ngjarje luftarake, merrnin një vlerë jashtëzakonisht të madhe, jo vetëm për faktorin e brendshëm, por edhe atë të jashtëm, i cili vështrohej me shumë kujdes nga Perëndimi dhe Lindja. Lufta e Vlorës duhet kuptuar në kompleksitetin e saj, jo vetëm atë luftarak.

Pas një varg betejash Lufta e Vlorës kulmoi në 3 shtator të vitit 1920, një vit që kishte një spektër të rëndësishëm politik në Shqipëri. Përmes Luftës së Vlorës, historiografia shqiptare, lexuesit, monografët dhe njerëz të dijeve arkivore, mund të marrin një informacion të rëndësishëm për figura të rëndësishme të kohës, të cilët ishin kryesisht nga Vlora me periferitë e saj, ku shquajnë krerët dhe drejtuesit e “Komitetit Mbrojtja Kombëtare” që nga Osman haxhiu, që ishte kryetari i këtij komitet, Qazim Kokoshi (nga Vlora), Alem Mehmeti (nga Tragjasi), Beqir Sulo Agalliu (nga Vlora), Ali Beqiri (nga Velça), Murat Miftari  (nga Tërbaçi), Hamit Selmani (nga Dukati), Hysni Shehu (nga Sevasteri), Hazbi Cano (nga Mavrova), Duro Shaska (nga Koculi) Myqerem Hamzarai (nga Lepenica), Sali Bedini (nga Armeni), Ahmet Lepenica (nga Lepenica) dhe shumë të njohur të kësaj lufte të madhe, për të cilën shkruajtën të gjithë gazetat e kohës.1.

Lufta e Vlorës kishte motivuar një energji të madhe luftarake për gati tre muaj luftimesh, duke zënë një terren jashtëzakonisht të madh në të cilin ishin vendosur forcat italiane në Vlorë dhe në rrethinat e saj, si në denstinacionin Vlorë-Kaninë, Gjorm, Kalaja e Matohasanajt, Kalaja e Tepelenës, Llogara, Himarë, Selenicë. Gjirin e Vlorës,  në Brataj, Drashovicë, Penkovë, Treblovë, Picar, Rexhepaj, Sevaster, Tragjas, Dukat, Ramicë, Kuç, Bolenë, Progonat etj. Në këtë hapësirë të madhe territoriale, Komitetit i duhej të zhvillonte veprimtarinë dhe të organizonte luftën për të larguar pushtuesin italian, me qëllimin për të zotëruar qytetin e Vlorës dhe për të mbrojtur Vlorën nga copëtimi total prej pushtuesit.

Në këtë kohë të rëndësishme veprimtaria e Osman Haxhiut, duket se ka qenë një gurë prove për personalitetin e tij si njeri me dije, inteligjent, njeri i guximshëm, i aftë për të bashkuar njerëzit e shumtë në një qëllim të vetëm. Përplasja është e madhe, një republikë e re si Shqipëria ishte vënë përballë Mbretërisë Italiane, ndërsa udhëheqësit e Luftës së Vlorës, Ahmet Lepenica, Toto Hosi, Memo Mete Brati, Abdurrahman Çiraku, Ismail Haki Kuçi, Riza Runa, Kanan Maze, Mehmet Fega, Ibrahim Selimi, Ali Dauti, Beqir Velo, Alem Mehmeti, Sheme Sadiku dhe Selam Musai ishin vendosur përballë ushtarakëve me përvojë të ushtrisë italiane, të cilët ishin shkolluar në akademitë më të mira ushtarake të kohës. Rreth katërmijë forca luftarake shqiptare, ishin vënë përballë një ushtrie të mirë-armatosur me rreth 20000 forca, që mbështeteshin nga 200 mjetë të fuqishme artilerie. Ashtu siç kishte ndodhur dhe më parë gjatë aksionit luftarak dhe përplasjeve luftarake të Lidhjes së Prizrenit, për mbrojtjen dhe ruajtjen e territoreve tokësore shqiptare në Veri dhe në Jug, Lufta e Vlorës ndezi një zjarr të madh luftimesh me një qëllim të përbashkët dhe në Koplik, Sarandë, Durrës, Dibër dhe në Shëngjin, vende strategjike ku ishin kalimet detare të vendit me Perëndimin.

Osman Haxhiu ishte njëri nga njerëzit që kishte qëndruar afër Ismail Qemalit, kështu që Komiteti i Mbrojtjes drejtohej nga një person i rëndësishëm, i cili njihte shumë mirë politikën e kohës, ashtu siç kishte aftësinë për të kuptuar fuqinë dhe unitetin në popull, që zakonisht krijojnë këto ngjarje. Në një periudhë të shkurtër kohore, pra në hapësirën e tre muajve, Osman Haxhiu arriti të marrë kontakt të plotë me të gjithë faktorët vendorë, me eksponentët e njohur që do të viheshin në krye të luftës, të cilët përveçse njohjeve që kishin për luftërat, kishin një formim të fortë patriotik dhe atdhetar. Osman Haxhiu kishte shkelur gjithë terrenin dhe kishte marrë informacionin e plotë të pikave strategjike ku ishte vendosur ushtria italiane, ashtu siç kishte zhvilluar takime të shumta diplomatike me qeverinë shqiptare të kohës, por edhe me drejtuesit e ushtrisë italiane në Vlorë, për t’i ditësuar se ç’kërkonin vlonjatët, dhe se ata do ta merrnin Vlorën dhe me luftë qoftë.

Populli e ka gdhendur në epikën e tij historike epopenë e Vlorës të vitit 1920 dhe Osman Haxhiun: “Osmani ç’i hipi kalit,/seç mori rrëzën e malit/dhe i foli gjeneralit: breshkamadh i breshkamadhit,/ del steresë e jo limanit,/të shoç të zotë e vatanit/djemtë e Ismail Qemalit,/të Skënderbe faqebardhit…”. Betejat e luftëtarëve shqiptarë në Kotë, Gjormë, Llogara, Drashovicë, Matohasanaj, Sherishtë, Kaninë, Bestrovë, Panaja, Shashicë dhe Qafën e Koçiut dëshmuan shpirtin e madh atdhedashës e liridashës të tyre. Sekretari i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”. Halim Xhelo do të shkruante në gazetën “Politika”: “Në pati Greqia e moçme një Spartë e një Thermopile, Shqipëria e Re na la një Labëri dhe Qafën e Koçiut” (Gazeta “Politika”, Vlorë, 3 shtator 1924). Në këtë teatër të mdh lufte pushtuesit italianë kishin 20 mijë ushtarë. Në Vlorë, Sarandë dhe Tepelenë ishte përqendruar Divizioni 36 i Këmbësorisë me 14 mijë ushtarë. Në Bregdetin e Himarës ishte Divizioni i 13 i Këmbësorisë me 6000 ushtarë, si dhe artileria e aviacioni luftarak. Ndërsa Osman Haxhiu dhe Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” qëndronin më ballinat e luftës, në krye të 6 mijë luftëtarëve, duke shkruar në devizën e tyre: “O Vlorën, o vdekjen”.

Gjatë gjithë kësaj kohe, Osman Haxhiu ka shkëlqyer në të gjithë qëndrimin, orientimin, largpamësinë dhe aftësinë që ai tregoi për të krijuar një shtab luftarak fitues. Në rastin konkret, kjo qasje nuk mund të prekë strategjinë luftarake, që e bëri fituesi, Luftën e Vlorës për vlonjatët, por emrat që spikasin në këtë shtab (nëse mund ta quajmë të tillë), tregojnë një angazhim, i cili ishte i pagabueshëm. Në një gjeografi të gjerë, ku ishte shtrirë qëndresa dhe luftimet, nën udhëheqjen e Osman Haxhiut me komandant Ahmet Lepenica, nga Qazim Koculi, sipas vendimeve të Barçarllasë, luftën e mbështetën pesë çeta të mëdha luftëtarësh të paepur; Çeta e Shullërit, Çeta e Kudhës, Çeta e Dukatit, Çeta Lumi i Vlorës dhe Çeta e Fëngut, por dhe shumë njësi të tjera luftarake në Kaninë, Topallti, Nartë, Çeta e Salarisë, Kurveleshi, Fterra. Mallakastra, Skrapari, Peqini, Gjirokastra, Berati, Çamëria, Tirana, ku vepronin me mijëra luftëtarë shqiptarë, të cilët përveçse i dhanë një përmasë kombëtare kësaj lufte të drejtë dhe të rëndësishme, i dhanë një sinjal të fortë diplomacisë dhe ushtrive të huaja, se ky vend nuk mund të zotërohet lehtë.

Në këtë “ansambël” luftarak, ku luhej me jetët njerëzore, me Atdheun dhe nderin e një qyteti historik,  roli i Osman Haxhiut është jashtëzakonisht i madh. Krijimi i një fronti kaq të gjerë, funksionimi i tij, lidhej mjaft me autoritetin dhe njohjen e madhe që ai kishte në të gjithë trevën e Jugut, në Tiranë dhe në veriun e vendit. Gjatë kësaj kohe dhe në funksion të luftës ishte krijuar policia (drejtuar nga Shero Emini dhe Ahmet Lepenica), “Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare” kishte 12 anëtarë dhe kishte komandant të përgjithshëm, Qazim Koculin, ishte ngritur gjykata, që drejtohej nga gjyqtar Neki Xheneti dhe prokuror Rasim Babameto dhe Abdyl Kuçi, çfarë tregonte funksionimin deri në detaj të gjithë mekanizmit të kësaj lufte. Lufta e Vlorës u përkrah nga qeveria e Sulejman Delvinës, pasi ajo kishte përfaqësuesin e saj pranë qeverisë së kohës, që ishte Spiro Jorgo Koleka, kishte përfaqësues në shtetin grek, ashtu siç ishte dhe kampi i robërve të luftës në Vajzë. Lufta gjeti mbështetje të madhe te “Vatra” në SHBA, e cila dërgoi në Vlorë dhe trupa vullnetare për të luftuar, pati mbështetje nga kleri fetar si: Babai i Teqes së Tepelenës Ahmet Turhani, Baba Xhaferri (Përmet), Don Marku, At Shtjefën Gjeçovi, myftiu Osman Muka etj.

Portreti historik i Osman Haxhiut dhe Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”marrin përmasa të mëdha historike sidomos në betejat  e ashpra të Luftës së Vlorës kundër ushtrisë italiane. Pas Kuvendit të Barçallasë, 29 maj 1920, O. Haxhiu dhe anëtarët e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” u gjendën në pllajën e Beunit. Që aty, ata i dërguan ultimatumin gjeneral Piaçentinit dhe Komandës së Ushtrisë Italiane në Vlorë: “Sot, populli shqiptar, i bashkuar më shumë se çdo herë, duke mos mundur të durojë të shitet si bagëti nëpër pazaret e Europës, si shpërblim italo – serbe – greke, vendosi të marrë armët në dorë dhe të cilat do t’i dorëzohen me të shpejtë Qeverisë Kombëtare  në Tiranë”.

Ultimatumi i shqiptarëve, i botuar edhe në librin historik “Le truppe italiane in Albania anni 1914-1920”, në Romë, shënohet, se komandës së trupave italiane, i kërkohej një përgjigje e prerë, deri në orën 1900 të datës 4 qershor 1920. Me mbarimin e afatit të ultimatumit, Osman Haxhiu dhe Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” urdhëruan nisjen e sulmeve mbi garnizonet armiq në Kotë, Gjormë, Llogora, Matohasanaj e gjetkë. Në ballinat e këtyre betejave, ishin vetë Osman Haxhiu dhe anëtarët e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”. Kështu u gjendën ata edhe në Drashovicë, Kallafet, Vreshtat e Mëdha, Kaninë, Bestrovë, Qafën e Koçiut, ullishtat e Vlorës e gjetkë. Sulmet dhe kundërsulmet me 11 qershor 1920 në Kaninë dhe Qafën e Koçiut, atë të 18 qershorit në Sherishte dhe sidomos betejat e 22-23 korrikut treguan qartë, shpirtin e madh liridashës të luftëtarëve shqiptarë, që shkruan faqe heroizmi dhe trimërie në istikamet përballë armikut.

Pas nënshkrimit të protokollit të Tiranës me 2 gusht 1920, midis qeverisë së Romës dhe asaj të Tiranës, me 3 shtator, u organizua manifestimi i fitores së luftës së Vlorës. Në mitingun e organizuar me këtë rast, Osman Haxhiu deklaroi: “Vëllezër, sot është një ditë e shenjtë, më parë ditë e fitimit në historinë e Shqipërisë së Re. Marr nderin ta lajmëroj gjithë këtë popull të nderuar që gjendet këtu, si dhe atyre që u ndodhën a s’u ndodhën në sheshin e luftës, kjo luftë u fitua me ndihmën e Perëndisë e me ndihmën e të gjithë Shqipërisë, që është jashtë Vlorës, me çdo mënyrë lufte dhe materiale. Por mund të them të vërtetën, që luftën më të madhe e bëri fshatarësia me gjak dhe me atë çikë mbathë të tij. Nuk u kursye, por me dëshirë e derdhi gjakun për të mirën dhe shpëtimin e Atdheut”.

Në vjeshtën e vitit 1920 kryeministri Sulejman Delvina dha dorëheqje, pasi në shtatë prefekturat e vendit, njëra nga të cilat ishte edhe ajo e Vlorës, kërkonin një ndryshim të ri në jetën politike të vendit. Ndër firmëtarët e Vlorës ishte dhe ajo e Osman Haxhiut, ku tekstualisht shënohej: “…neutralizmi i politikës personale të disa ministrave dhe organizmi i administratës publike me njerëz të ndershëm…”.1. Ishte krijuar nevoja e krijimit të një qeverie të re, ndërsa “Mbrojtja Kombëtare” e Vlorës kërkonte gjithashtu , se duhej t’i liheshin hapësira në jetën politike e shoqërore opozitës shqiptare. I këtij debati, në këtë kohë është dhe opinioni i Osman Haxhiut, i cili thoshte se: “Tarafet, kur cenojnë miqësinë, prishin fiset e rrethin e tyre, ndërsa kur ka tarafe në prefekturë, bashki e ministri, ata çikulin themelin e shtetit.”.2.

Në këto rrethana të debatueshme, që përbënin edhe një zhvillim të rëndësishëm për kohën, Osman Haxhiu propozohet për deputet në parlamentin shqiptar. Ai e pranoi propozimin e shoqërisë “Mbrojtja Kombëtare”, të cilin ai do ta përcjellë me një qëndrim të rëndësishëm prej shtetari dhe një shërbëtori të popullit të tij. Në një shënim të gjatë, ndër të tjera ai shkruan: “Duke u kumbisur mbi fjeshtërinë e atij qëllimi dhe unë si një djalë i lindur e rritur në këtë tokë të bekuar ndenj me zell fort të nxehtë për t’i shërbyer këtij atdheu për të cilin kurrë ndonjëherë nuk jam kursyer dhe do të kursehem.”.3

Më 5 prill 1921 Osman Haxhiu u zgjodh deputeti i Vlorës në parlamenti shqiptar të kohës. Më 24 prill Osman haxhiu është në radhët e deputetëve të Partisë Popullore Kombëtare, me ç’rast do të miratohej edhe programi i ri i saj, ku shquan deviza, se kjo parti synonte modernizmin e parlamentit dhe demokratizimin jetës së vendit, duke u radhitur në anën “e popujve evropianë të Perëndimit”, ku u dakordësua në 11 çështje të rëndësishme të zhvillimit të vendit në pikëpamjen ekonomike, shtetërore, legjislative, kulturore, sociale, financiare, të rendit dhe çështje të tjera. Në këtë program militonin njerëz të njohur me reputacion të madh politike intelektual, mbështetës dhe me origjinë të njohur në historinë  popullit shqiptar, njëri nga të cilët ishte dhe Osman Haxhiu.

Gjatë gjithë kohës që ushtroi detyrën e deputetit (1921-1923) u tregua i guximshëm, i pjekur, një shtetar i vërtetë, debutues, i drejtë dhe i qartë, i pjekur në trajtimin e çështjeve delikate, mbështetës i ligjit, një person që ushqeu iniciativat ekonomike të zhvillimit të vendit, i pa kompromis etj.

Duke qenë një parlament, i cili kishte dalë nga zgjedhjet më demokratike dhe në mënyrë debutuese në mjediset popullore dhe të organizatave të caktuara të kohës, ishte edhe një mundësi dhe një fat për ndërtimin e shtetit shqiptar mbi parime demokratike, me njerëz dhe personalitete të besueshëm, me një administratë që do t’i shërbente strukturës së shtetit dhe popullit që i kishte zgjedhur. Kjo psikologji dhe praktikë e ka udhëhequr deputetin Osman Haxhiun, i cili mbante qëndrim kritik që nga kryeministri deri tek administrata më e ulët lokale, i ushqyer nga parimet moderne të kohës të një shoqërie demokratike dhe të përfaqësuar nga njerëz të ndershëm dhe bashkëpunues. Kritikat ndaj ambicieve personale, nevoja për të votuar të lirë, lidhja e deputetëve me popullin për të zgjidhur hallet e tyre, ishin disa nga vlerat që Osman Haxhiu i demonstroi gjatë kësaj kohe në parlamentin shqiptar.

Duke qenë njëri nga deputetit të komisionit të Arsimit e Punëve Botore, Osman Haxhiu ishte një aleat i madh i dijes dhe i zhvillimit, ku kontribuonin dhe personalitete të tillë si Luigj Gurakuqi, Sulejman Delvina, Ibrahim Xhindi, Qazim Koculi, Spiro J. Koleka dhe të tjerë personalitete të kohës. Në parlamentin e kësaj kohe, janë të njohura iniciativat dhe debatet që deputeti Osman Haxhiu ka ngritur dhe shtruar në parlamentin shqiptar lidhur me themelimin e një Banke Kombëtare Shqiptare, debate mbi buxhetin, mbi zhvillimin e bujqësisë, industrisë, arsimin (veçanërisht për hapjen e shkollave të reja fillore në kushtet e analfabetizmit në të cilin gjendej vendi), mbi çështjet e rendit dhe statusin e xhandarmërisë, policisë, ushtrisë. Ato ishin debate dhe mendime prej parlamentari të cilat i përshkonte logjika e një shtetari me përvojë, pasi ai arsyetonte se përdorimi i fondeve të buxhetit dhe investimeve duhet të funksiononte mbi projekte të sakta dhe duke shmangur abuzimet.

Osman Haxhiu gjatë gjithë jetës parlamentare kërkoi që programi i partisë Popullore Kombëtare duhej të realizohej, çka do të përbënte një frymë dhe një përvojë të mirë të të bërit politikë, por edhe një marrëdhënie bashkëbesimi me elektoratin që e kishte votuar, i cili do të bëhej më i madh nëse programi i saj do të realizohej. Nga kjo marrëdhënie, Osman Haxhiu mendonte se buronte edhe përgjegjësia dhe e deputetit, një pjesë e të cilëve pas zgjedhjes shkëputeshin nga jeta politika apo interesat e votuesit të tyre dhe zonës që përfaqësojnë. Gjatë kësaj kohe Osman Haxhiu i erdhi në ndihmë zgjedhësit të tij. Ai zgjidhi problemin e ndërtimit të urës së Penkovës, rindërtimin e urës së Gjormit, furnizimin me drithë  të zonës së Dukatit dhe Himarës, çeljen e shkollave të reja në disa fshatra, nxitjen e ndërtimit të punishteve të vajit, çka nënkuptonte, se Osman Haxhiu e respektonte devizën e tij, se “nuk jemi deputetë të qeverisë, por të popullit.1

Osman Haxhiu do të jetë një shembull i rëndësishëm për politikën dhe misionin e një deputeti para popullit, detyrës dhe realizimit të zotimit. Ai duke parë se Partia Kombëtare kishte humbur rolin e saj në jetën e vendit, në mars të vitit 1923 dorëhiqet, duke e shpallur veten deputet të pavarur. Po ashtu, janë të njohura përfshirjet në debate të gjera të Osman Haxhiut në projektligje të tilla si ai i ndalimit të gjakmarrjes, faljes së kundërshtarëve politikë, marrëdhëniet e shtetit me fenë, shtimin e pensioneve për veprimtari patriotike, ku shquan një oratori brilante, një diapazon i madh, por edhe një njohje e thellë e problemeve të vendit, interpretimi i tyre në dritën e zhvillimeve të kohës.

Osman Haxhiu ishte një njeri i hapur, debutues, komunikues, refraktar, një personalitet me ide të rëndësishme, një njohës i mirë i aktualitetit ekonomik, politik dhe social. Në jetën dhe veprimtarinë e Osman Haxhiut ka ngjarje dhe detaje interesante, me çfarë kuptohet sa e ngjeshur, sa e lidhur ka qenë ajo me njerëzit, ngjarjet, me zhvillimet që nga kontaktet me Sali Butkën, rastin e vdekjes së Ismail Qemalit, qëndrimin për Kosovën dhe Çamërinë, kontaktet me Jusin Godardin dhe A. Herbertin, Miss Durham, Pitard, kontaktet me Fan Nolin, apo me refugjatët e Jugut dhe ata kosovarë, takimet dhe nderimin për Sulejman Delvinën etj, duke e bërë atë një figurë dhe një personalitet kombëtar të rëndësishëm jo vetëm gjatë kohës që ai ka shërbyer dhe kontribuar, por dhe përtej kësaj kohe.

Osman Haxhiu mbetet një figurë politike dhe historike kombëtare, që vazhdon të rrezatojë dritë dhe në zhvillimet e sotme historike- politike të vendit për shkakun e modelit që ai praktikoi në punë, në politikë, në parlament dhe në jetë, ku shfaqinjë shpirt të madh kombëtar.         

  1. 1. “Osman Haxhiu” (Monografi), Tiranë 2001, fq. 105.
  2. 1. Halim Xhelo, Gazeta “Politika”, nr. 25, datë 3 shtator 1924.

1.2. Gazeta “Mbrojtja Kombëtare”, Vlorë, nr. 6, datë 18 nëntor 1920.

  1. 3. Gazeta “Mbrojtja Kombëtare”, Vlorë, nr. 10, datë 13 shkurt 1921.
  2. 1. “Bisedimet e Këshillit Kombëtar”, fq. 533, datë 12 prill 1923.
Share This Article
3 Comments
  • Historia me renditje emrash te shquar,si bashkeshoqerues te HEROIT,eshte histori province.
    Me vjen keq,megjithe gradat e Bardhoshit,por keta Justin Godartin,A.Hebertin,Miss,Durhamin,e ca te tjere,,Osmeni mund te mos i kete takuar kurre..Nuk ja ulin vlerat Osmenit,as nuk ja ngrene.
    E ke bere si histori Skrapari,ku te gjithe herojte duhet me patjeter te kene njohur Riza Ceroven.
    Jam dhi tuj qeshe me nje prof.Dr.Pr,ASS.qe shkruante se nen drejtimin e bRiza Ceroves,Kahreman Ylli ishte rregjistruar ne shkollen Normale.
    Po Kahreman Ylli ishte kerthi,,i binte maces me luge,kur vdiq Riza Cerova.
    Lufta e Vlores eshte nje Lufte e Madhe..
    Mbi te gjitha i dha Shpirt gjithe kombit ne periudhen e Dilemes se egzistences.
    Osmen Haxhiu eshte nje Burre i larte i Kombit,
    Kurse shkrimi eshte per faqe te zeze,shkrim SHABLLON DHE FSHATARESK.

  • Demo, e lexova me pak vonese shkrimin e Pr. dr. GAÇES , sepse ndodhem larg, por lexova edhe komentin tuaj. Te dyve ju kam miq te mire. Nuk mundesh kurre ta mohosh aftesine hulumtuese te profesorit. Figurat e medha te kombit evidentohen edhe me c,kane shprehur njerwz te medhenj per Shqiperine. Madje historia keshtu shkruhet, me referenca kohe e njerzish, me dekumente arkivorw te cilat nuk i mungojne artikullit.

  • Nuk ka as nje dyshim se Osman Haxhiu eshte nje nga figurat ne te shquara patriotike te Vlores. Edhe gjate regjimit komunist, megjithese djali i tij Muhedin Haxhiu ishte nje nga naziskinet me te te afishuar bashke me Vizhdan Risiline dhe ne e shpinen e tyre rendojne krime te renda, Osman Haxhiu eshte dekoruar me Urdherin per Veprimtari Patrotike te Klasit te Pare si dhe emrin e tij e kishin ne Vlore shkolla, rruge e lagje. Pra ai nuk eshte lene as ne harrese as ne hije. Persa i perket Prof. Dr Gaces, nuk eshte hera e pare qe per ti lartesuar sa me shume personazhet e tij, mbush faqet e librave dhe te shkrimeve me sajesa te tilla qe te krijojne neveri. Kete gje ben edhe ne kete shkrim. Keshtu ndodh kur vendi eshte mbushur me Prof e Doktore shkencash qe nuk dine asnje gjuhe te huaj, qe ne vend te shfrytezojne literature te huaj, brockullisin si tju vije per mbare. Mjere shkenca shqiptare ne c’derexhe ka mbritur. Bardhoshi leviz tere diten me cante ne dore. Mire eshte ta mbush me fakte dhe jo me folklorozma qe te mos vazhdoje te degradoje si studjues.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *