Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila njihet si njëra nga zërat më kritikë të koalicionit qeverisës (PDK – LDK), nga radhët e deputetëve të pozitës, ka konfirmuar përsëri se do të kundërshtojë kandidaturën e Hashim Thaçit si president.
“Nuk kam njohuri se si do të veprojnë deputetët e tjerë, por është me rëndësi që secili të veprojnë sipas bindjes dhe ndërgjegjes së tyre, e në përputhje me vullnetin e elektoratit”, ka thënë Osmani.
Ajo ka theksuar se “tashmë dihet qartë që e vetmja mundësi për të pamundësuar zgjedhjen e Thaçit është t’i prishet kuorumi”, citon Telegraf.
Ndryshe, deputetët tjerë, që nuk janë pjesë e opozitës, që kanë thënë se nuk do të jenë në seancë kur do të votohet për kandidaturën e Thaçit për president, janë: Adem Salihaj, Alma Lama dhe Gëzim Kelmendi.