Ndryshon ligji për “Për transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare”, duke i dhënë më shumë kompetencë pronarit të pronës shtetërore.
Projektligji i propozuar përbëhet nga dy nene. Në nenin e parë bëhet një shtesë në nenin 4, të ligjit nr.7926, shtohet se “ushtrimi i së drejtës së përfaqësuesit të pronarit të pronës shtetërore, përfshirë edhe të drejtën e emërimit të anëtarëve të këshillave mbikëqyrëse, në shoqëritë elektro-energjetike, bëhet në përputhje me përcaktimet e ligjit 43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, dhe, në shoqëritë e gazit natyror, bëhet në përputhje me përcaktimet e ligjit nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”.
Neni i dytë parashikon ndryshimin e paragrafit të katërt, të nenit 8, ku cilësohet se “anëtarët e këshillave mbikëqyrëse të shoqërive aksionare shtetërore caktohen: a) 2/3 e numrit të anëtarëve caktohen nga përfaqësuesi i pronarit për pronën shtetërore; b) 1/3 e numrit të anëtarëve propozohet nga ministri i linjës administrative apo nga organi i qeverisjes vendore, që përfaqëson shtetin, për shoqërinë shtetërore përkatëse”.
Në ligjin e vitit 1995 anëtarët e këshillit mbikqyrës i përkisnin më shumë ministrive pasi neni 8 kishte të përcaktuar se “a) 1/3 e anëtarëve propozohet nga Ministri i Financave; b) 1/3 e anëtarëve caktohet nga Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës; dhe c) 1/3 e numrit të anëtarëve propozohet nga ministria e linjës administrative apo nga organi i qeverisjes vendore, që përfaqëson shtetin për shoqërinë shtetërore përkatëse”.
Pse ky ndryshim ligjor?
Në relacionin e qeverisë për këtë ndryshim ligjor shpjegohen dhe arsyet pse është e nevojshme ndërhyrja në ligj. Sigurimi i pavarësisë së operatoreve të energjisë është argumenti kryesor që ka çuar në këtë ndryshim. Sipas relacioni një prej masave që siguron pavarësinë e këtyre operatorëve është ndarja nga pikëpamja ligjore dhe funksionale e veprimtarive të prodhimit, transmetimit, shpërndarjes dhe furnizimit të energjisë elektrike.
Ndarja e këtyre veprimtarive nuk nënkupton vetëm ndarjen nga pikëpamja operacionale, ligjore e financiare por edhe ndarjen e organeve që ushtrojnë kontroll mbi shoqëritë që ushtrojnë këto aktivitete, sikurse është organi i Këshillit Mbikëqyrës dhe Asambleja e Aksionarëve. “Bazuar në ligjin nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, ndarja e veprimtarive dhe e kontrollit të këtyre shoqërive përbën një prej kërkesave thelbësore paraprake për fillimin e procedurave të certifikimit të Operatorit të Sistemit të Transmetimit”.
Konkretisht, në bazë të nenit 53, të këtij ligji, përcaktohet se Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) duhet të jetë i pavarur nga aktivitetet e prodhimit apo furnizimi dhe në shërbim të këtij qëllimi qeveria ngarkohet për përcaktimin e autoritetit publik që përfaqëson shtetin si pronar të aksioneve të OST. /DITA/
