“Mbreti Otto” ka reaguar me dhimbje kur i kanë kujtuar humbjen nga Shqipëria nëntë vjet më parë, duke u shprehur se nuk ende nuk e ka kapërcyer. Otto Rehhagel erdhi në Shqipëri më 4 shtator 2004, në krye të Greqisë, të cilën e kishte drejtuar në mrekullinë evropiane vetëm dy muaj më parë, duke fituar titullin në Portugali. Por, në ndeshjen e parë kualifikuese për botërorin Gjermani 2006, Greqia e pamposhtur e evropianit u mund 2-1 nga Shqipëria, falë golave të shënuar nga Edvin Murati dhe Adrian Aliaj. Humbja i kushtoi shtrenjtë Greqisë, pasi në fund nuk shkoi në finalet e botërorit që u zhvilluan në atdheun e trajnerit të saj. Por ishte një humbje e veçantë edhe për Rehhagelin, i mundur nga një armik personal i tij, Hans Peter Briegel, i cili në atë kohë drejtonte kuqezinjtë. Fundjavën e kaluar, ish-trajneri ka vizituar trupat gjermane të KFOR-it në Prizren dhe aty e kanë ngacmuar për humbjen e pësuar në “Qemal Stafa”. “Oh, më ka dhembur shumë ajo humbje”, reagon menjëherë Rehhagel, madje pa pritur që përkthyesi të përfundojë përkthimin e pyetjes në gjermanisht. Natyrisht që për shqiptarët ishte festë, jo thjesht për fitoren në fushë kundër kampionëve të Evropës, por më së shumti për antipatinë e përgjithshme kundër Greqisë. Kur bashkëbiseduesit i bëjnë të ditur gëzimin e provuar nga shqiptarët, ai përsërit: “për mua ishte e dhimbshme”. Por sigurisht që shqiptarët nuk janë kundërshtarë të ish-trajnerit, i cili ishte mik në Prizren, ku drejtoi skuadrën e trupave gjermane të KFOR-it në ndeshjen me Lirinë e Prizrenit. Takimi u mbyll 3-3 dhe Rehhagel e pranoi se skuadra kosovare luajti më mirë, megjithatë barazimi u konsiderua si rezultat i drejtë. Sigurisht që nuk ishte rezultati i ndeshjes gjëja më e rëndësishme, pasi vizita e trajnerit të njohur vlen shumë për ndërkombëtarizimin e futbollit të Kosovës, për të cilën tha se do t’ua rekomandonte njerëzve për ta vizituar. Gjermani ka shprehur habinë kur ka mësuar se Kosova nuk mund të marrë pjesë në ndeshje ndërkombëtare, pasi ende nuk është bërë anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s. “Nuk e di pse nuk keni të drejtë të luani”, iu tha Rehhagel gazetarëve kosovarë. “Nuk më duket e drejtë. Sikur në botë të kishte vetëm futboll e muzikë, me siguri që nuk do të kishim pasur kurrë luftë”. Ish-trajneri shton edhe se njeh lojtarët kosovarë që luajnë në Gjermani, si Shaqiri e Xhaka. “E di që janë nga Kosova, duke që ky rajon nxjerr futbollistë të mirë”, komenton mysafiri i nderuar në Prizren.
