Blerja më e shtrenjtë në historinë e Arsenalit, Mesu Ozill u prezantua me fanellën e topçinjve vetëm pak ditë para përballjes me Sunderlandin, ku përkrah turko-gjermanit qëndronte trajneri Arsen Venger, njeriu që në orët e fundit të merkatos bëri të mundur goditjen e madhe. Me këtë rast 24-vjeçari dha një konferencë për shtyp, ku shprehu emocionet e të qenit pjesë e një skuadre të madhe në kampionatin më të fortë në botë. “Ndihem shumë mirë që jam pjesë e skuadrës. Qyteti është i këndshëm, klubi i pabesueshëm, dhe nuk është e vështirë për ta kuptuar atmosferën familjare që ekziston këtu. Të gjithë më kanë mirëpritur kur mbërrita tek Arsenali. Trajneri është super, ai do të më ndihmojë që të përmirësohem si lojtar. Ndihem krenar që jam këtu.” Më pas ish-mesfushori i Realit e pranoi se largimi nga klubi mereneges ka qenë i papritur për tifozët por edhe për shokët e tij të skuadrës. “Arsenali është një nga klubet më të mëdha në botë. Mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur që u transferova këtu. Sigurisht që te Reali kalova një periudhë të këndshme, atje kam lënë shumë miq. Nga reagimi i tifozëve dhe i futbollistëve kuptohet që ata kanë mbetur të befasuar nga largimi im, por ky është futbolli. Tashmë do të luaj në ligën më të fortë në botë dhe unë duhet të tregoj veten dhe të përmirësohem më shumë. Kjo është arsyeja pse jam në këtë klub.” Mesfushori i kombëtares gjermane siguron se është gati për ta përballuar lojën e fortë fizike që karakterizon futbollin anglez. “E kam ndjekur shumë premier Ligën, sepse ndeshjet e kampionatit spanjoll transmetoheshin vonë. Sigurisht që këtu mbizotëron loja fizike, por fundja futbolli është sport burrëror. Jam shumë i lumtur që do të luaj në Ligën më të fortë në botë”. Në fund një mesazh i Ozill për tifozët e Arsenalit: “Jam topçi”!
