Pa disiplinë nuk ka reformë arsimore

anazapta

Të gjithë jemi para një fakti të pakundërshtueshëm. Pas orës 08.00, kohë kur fillon procesi mësimor-edukativ, shikon nxënës të 9 vjeçares, po sidomos të gjimnazit që ecin ngadalë, naze-naze në drejtim të shkollës. Disa të tjerë i sheh në klube duke rrufitur kafen e mëngjesit, ndoshta diçka tjetër, se thonë që thithin cigare ndryshe nga të zakonshmet.

Dëgjon mësues(e) që ankohen se në klasë nuk ka më rregull, nxënësit bëjnë zhurmë sikur të jenë në pazar (mjerë nxënësit që duan të mësojnë). Nuk dua të përgjithësoj, sepse ka shumë mësues(e) që punojnë në mënyrë sistematike dhe me përkushtim. Por ka edhe mësues(e) që u thonë nxënësve të largohen (sidomos orët e fundit), ka mësues(e) që nuk përgatiten dhe nuk shpjegojnë lëndën e re, ka nga ata që i vënë notat sipas opinionit, që bëjnë teste dhe nuk i korrigjojnë ose i shikojnë në mënyrë sipërfaqësore dhe në regjistër sheh nota të pamerituara.

A mund të bëhen reforma në arsim që të jenë efikase, kur në rrugët e Tiranës dhe në qytete të tjera (me popullsi 100 mijë banorë) shikon fëmijë të moshës shkollore që zgjatin dorën për një 10 lekësh, ose fëmijë që shesin çakmak, çokollata, stilolapsa etj.? Sa ironi, sa fallco ishte kur dëgjoje (e dëgjon) ish-ministrat Genc Pollo e Myqerem Tafaj të artikulonin se në arsimin 9 vjeçar nuk duhet të ketë braktisje të shkollës nga fëmijët e moshës 6-16 vjeç.

Aty në Tiranë, ish-ministrave, ndonjë fëmijë lypës ndoshta u ka kërkuar (lypur) ndonjë 10 lekëshe. Në mos kështu, ata i kanë parë këta fëmijë që enden rrugëve apo që fshijnë xhamat e makinave etj.

Nga dikasteri që drejtonin, u dërgonin shkresa me nr. protokolli drejtorive dhe zyrave arsimore për të mësuar se sa nxënës kanë braktisur shkollën (ndonjë shkresë kërkonte “nxënës të braktisur”). Vërtet ka pasur (edhe ka) nëpër qytete e fshatra, që mund të jenë sa gishtat e njërës dorë, por jo si atëherë që nën hundën e ish-ministrave kishte pa fund fëmijë që nuk shkonin në shkollë. Po sot? Nuk ka ndryshime. Pse? A nuk janë fëmijët prezent në rrugë e klube? Atëherë si do të realizosh reformë efikase kur problemet janë qartazi prezent? Këtë e di fare mirë ministrja Nikolli. Reforma nuk bëhet në salla të pajisura me gjithçka, kur në shkolla nuk ka sistem ngrohjeje dhe shumë gjëra të tjera.

Duhet një kontroll deri në detaj në shkolla (kujto shkollën profesionale të Pogradecit). A-ja e reformave fillon nga disiplina në punë dhe ajo shkencore.

 

Letër e nënshkruar

Sheref Mata, Kuçovë.

Share This Article
1 Comment
  • ARTIKULLSHKRUESI KA PLOTESISHT TE DREJTE!
    PROBLEMI ESHTE SE SI DO TE DALIM NGA KY KAOS E ANARSHI E KRIJUAR NE 8 VITET E FUNDIT.KA NXENES QE PUNOJNE TE ITALI,GREQI,ETJ.DHE NE FUND KLASIFIKOHEN “KALOI KLASEN’!?!!!!!!!!!!!!!!!???????????????????????.Une qe shkruaj jam Mesuese prej 30 e ca vitesh ne te njejten shkolle te mesme ne qender te Qytetit dhe me emer te madh deri para ca vitesh.
    Flm qe lexuat keto rreshta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *