Pa titull..

J L

I bardhë si bora të jesh,

i ndritur, i larë me flori,

prapë do të shajnë, patjetër,

pa sharë nuk mbetet njeri!..

 

Pa titull..

 

Dhe këmbët gjithnjë më kanë çuar,

ku ndizet flaka dhe zjarri,

nga lufta kam ikur i fundit,

në luftë kam shkuar i pari..

 

Pa titull..

 

E hodhën floririn, e tretën,

në llum e llagëmin e zi,

një shekull kaloi dhe e gjetën,

floriri kish mbetur flori..

 

Pa titull..

 

Mos lër mënjanë miqtë e vjetër,

që vlejnë sa bota e tërë,

se miqtë e rinj që do gjesh,

janë si kështjella në rërë..

 

Pa titull..

 

Mbi tërbimin e shtrëngatës,

mbi greminën pus të errët,

ndrin një yll në mes të natës,

kur janë shuar gjithë të tjerët..

 

Pa titull..

 

Eh, dallëndyshet, dallëndyshet,

i kam nektar të poezisë,

ato gjithë jetën shtegëtojnë,

veç në kërkim të dashurisë..

 

Pa titull..

 

Të kërkosh gjithë jetën,

do mundohesh kot,

një tjetër si veten,

nuk do ta gjesh dot..

 

Pa titull..

 

U gdhendën fjalët në letër,

kështjella të larta qëndrojnë:

“Ca njerëz, një jetë e kanë tepër,

të tjerëve dhe dhjetë s’u mjaftojnë!..”

 

 

Pa titull..

 

Të mira bëj në këtë jetë,

për to nevojë kanë të tërë,

po kur ta bësh hidhe në det,

ose ta shkruash veç në rërë..

 

Dhe asnjëherë, tek asnjeri,

mos e përmend të mirën tënde,

të mirën që të bëjnë ty,

në shkëmbin më të lartë gdhënde!..

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *