Nëse dikë,
e dashuron,
asnjë të metë,
nuk i shikon!
Nëse dikë,
ti e urren,
asgjë të mirë,
tek ai s’gjen!
Kur sheh me syrin,
e dashurive,
çdo gjë tek tjetri,
është relative!
Çfarë është për ty,
helm e mynxyrë,
për dikë tjetër,
është ëmbëlsirë!
Ç’është re e zezë,
për ty në qiell,
për mua është,
dritë edhe diell!
Gjuha e syve,
s’ka të kuptuar,
ndaj krahasimet,
s’kanë të mbaruar!
Kush është i keqi,
apo i miri,
vulën e fundit,
nuk e vë syri!
Po sytë gjithmonë,
na hapin punë,
ata na ndezin,
zjarr e furtunë!
Dashuria është kudo!…
Dhe pse lashë aty,
gjithë ditët e mia,
ende nuk e di,
ç’është dashuria?!
Dashuro pa fund,
vetëm dashuro,
dashuria s’duket,
po është kudo!
S’duket ngrohtësia,
që mban ndezur zjarrin,
ajrin nuk e shohim,
të gjithë ajër marrim!
Zoti kurrë s’duket,
qe na ta shikojmë,
po dhe pa e parë,
Zotin e besojmë!
Dashuria s’duket,
s’është kollaj ta gjeni,
po është kudo,
porsi oksigjeni!
Se e para ishte fjala…
Se e para ishte fjala,
ndaj asaj me shpirt ju fala,
dhe e di në të vërtetë,
se sa vlen fjala në jetë!
Fjalë e ëmbël-të shëron,
fjalë e hidhur-të lëndon,
kur e thua mendo mirë,
është helm-a ëmbëlsirë?!
Si njihet deti nga vala,
njeriu njihet nga fjala,
fjala ka të gjitha ngjyrat,
dhe dy anë si pasqyrat!
Ç’ke në zemër-s’ta shikoj,
ç’del nga buza ta dëgjoj,
fjala të bën mal të lartë,
fjala të zhyt dhe në baltë!
A.DUKA
