“Paanshmëri” e njëanshme…

anazapta

Më vjen keq ta them me ironi, por institucionet e pavarura më së fundmi filluan të justifikojnë veten në Shqipëri. Z.Llalla ja bëri fora me arrestimet e ditëve të fundit. Për të vënë k..qet që i mungojnë presidentit, prokurori vendosi të bëhet simbol i balancimit në jetën politike e institucionale shqiptare. Dy urdhra arresti brenda një dite në të dy kampet e politikës në institucione analoge. Nuk mund të gjykoj në është shashkë alla berishjane, apo lajthitje e prokurorit. Kam frikë se është e para, që është edhe më e keqja.

Z.Hoxha ka të paktën dy vjet që është i denoncuar për shkelje e abuzime. Me sa dimë, z.Dajti nuk e ka këtë stazh. Mendoj se z.Llalla mund të priste disa ditë për vendimin e tij. Aq më tepër që ky i fundit nuk përbënte ndonjë rrezik imediat publik. Mendoj se ka mjaft dosje të bëra publike e me bujë që flenë apo zvarriten në sirtarët e prokurorit ekuilibrist.

Kjo farë “paanshmërie” e njëanshme është bërë padyshim një shfaqje bajate që neverit dhe më të durueshmin. Mega vjedhja e Rrugës së Kombit, Gërdeci apo 21 Janari presin përgjigje ligjore e jo makinacione të Prokurorisë apo Gjyqësorit. Nuk besoj se edhe në këto raste prokurori duhet të ruaje ekuilibrin, se ndryshe i takon që bashkë me z.Basha, si ministër në vrasjen e 4 qytetarëve pa faj, të arrestojë edhe rreth 100.000 mijë qytetarë pjesëmarrës në atë ditë masakre.

Askush si edhe unë nuk dalim në mbrojtje të krimit, përkundrazi, por zgjimi i beftë i z.Llalla në të njëjtën orë e ditë në arrestimet e fundit, të kujton gurin e budallait. Problemi qëndron tek ne që e kërkojmë. Ne e dimë që tregohemi më budallenj se budallai, por ja që e bëjmë. Me sa duket, prokurori e njeh mirë psikologjinë e atyre që do ta kërkojnë gurin e tij. Duket se mësimet e doktorit kanë rënë në tokë pjellore. Përgëzime zoti Prokuror i Përgjithshëm.

Letër e nënshkruar

Muhamet Fishku

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *