Nga Agim F. Dalipi
Nga reagimi në “Dita” prej z.Fitim Çaushi mora vesh për një “rrëfim” të poetit Agim Shehu. E kërkova dhe e gjeta por që në fillim thashë me vete se “ku e shpie mushka “ këtë njeri. Ai thotë pikërisht “Atë rrëfim të tij unë nuk dua ta marr me vete. Le ta dinë njerëzit më gjerë si një të vërtetë të brendshme. Kam bindje se gjersa ma tha mua lirisht, pa më porositur si zakonisht që të mos ia them njeriu tjetër, kjo qe dhe dëshira e tij në s’gaboj- le ta dijë kush të dojë!”Kush të dojë do të thotë të gjithë : ata që mund ta kenë respektuar e respektojnë edhe sot Haki Toskën dhe ata që i nxorën emrin në gazetë si “shpërdorues” se ishte operuar jashtë shtetit.
Së pari duhet të them se i kam njohur të dy: z. Shehu si profesor i gjuhës e letërsisë në gjimnaz ( kam akoma fletoren e hartimeve që sot i thonë esse me korrigjimet e tij ) dhe të ndjerin dhe shumë të nderuarin Haki Toska për gati dyzetë vjet, që kur kam qenë fëmijë e deri sa u nda nga jeta.
Them se kam patur fat të madh, megjithë që shkova aty nga Tirana, që kam studjuar në gjimnazin “Asim Zeneli” të Gjirokastrës. Ajo shkollë , ish liceu francez themeluar me kërkesën e banorëve të qytetit në 1923 , ka qenë një nga shkollat më elitare të vendit , qoftë para dhe pas luftës së dytë botërore. Aty kanë dalë figura të shquara të inteligjencës shqiptare boll të përmendësh dy-tre syresh si Ismail Kadare, Dritëro Agolli e shumë të tjerë në thuajse të gjitha fushat e jetës. Kjo ,sidomos, për plejada të tëra mësuesish duke filluar nga drejtori francez Victor Kutan, Frederik Marshand, Thoma Papapano, Iliaz Hoxha, Asaf Çipi, Bastri Beqiri, Iliaz Hoxha, Asaf Çipi, Bastri Beqiri, Ilia e më pas Lefter Dilo , themelues i muzeve të Gjirokastrës e shumë të tjerë përfshirë këtu edhe z.Agim Shehu. Dhe ajo shkollë i bënte vetvetiu më të mirë edhe nxënësit edhe mësuesit dhe vetë Shehu pasoi një legjendë të mësimdhënies së gjuhës shqipe si i jashtëzakonshmi Thoma Papapano , një rilindas nga të fundit.
Shehun e patëm vlerësuar për dy gjëra, së pari që kishim pedagog një poet dhe që “mbahej” pak si lartë e së dyti për sjelljen e tij, që në atë shkollë përdorej thuajse nga të gjithë, të lirë e të komunikueshme pavarësisht se kishte “qejf” të të jepte ndonjë goditje me stilograf në kokë kur gaboje. Megjithatë mësuam shumë prej tij ashtu si prej mësuesve të tjerë të brezit të tij si Sotir Vardhami, Nasho Ksera , Tajar Kokalari , Omer Harshorva e plot të tjerë deri tek ai i rusishtes e trainer i volejbollit Kristo Ndrico, të tërë ata mësues të nderuar që e bënë atë shkollë nga më të mirat e vendit.
Ndërsa Haki Toskën, pavarësisht lidhjeve familjare e kam njohur shumë më tepër si mik dhe bashkëluftëtar të babait tim të cilët kishin luftuar në rreshtat e partizanëve në të njëjtat njësi. Pas familjes sime dhe motrës , mund të them se jam rritur edhe në shtëpinë e tij ku më ka trajtuar njëlloj me fëmijet e vet. Ka qenë një njeri që fillimisht ( fëmijë) e mora për të ashpër por duke u rritur gjeta tek ai që kjo “ashpërsi” , njëlloj me tim atë , ishte korrektësi dhe kishte për bazë rritjen e fëmijëve me norma e parime ku më e rëndësishmja ishte ndershmëria. Aq sa e kam njohur unë nuk ka qenë i ashpër por i drejtë dhe këtë e kërkonte nga të gjithë, nuk ka qenë as i heshtur e i tërhequr por ka qenë fjalëpak , donte të bisedonte me njerëzit por nxehej fort nga ndonjë thashethem dhe të “bënte për një lek”. Për atë mund të thuhet ajo shprehja se ai që do të dëgjojë dëgjon edhe me sy. Këtë bëri gjithë jetën i pa njerëzit në sy. Me këdo që kam folur nga ata që e kanë njohur , qoftë para e qoftë pasi u nda nga jeta , kam marrë vesh se “ka qënë njeri që nuk e lëshon fjalën të bjerë në tokë”. Punët e tij , partiake e shtetërore , nuk janë bërë kurrë objekt bisede në shtëpi aq më tepër në sy të fëmijëve. Them me bindje kurrë. Sa për “shpërdorues” mund të them se kur u largua nga blloku , në shtëpinë e tij ishte çdo gjë e paguar , që nga librat e deri te qeraja e shtëpisë, që nga perdet e rrobat e trupit dhe deri te medikamentet që përdorte për sëmundjen që kishte.
Mund të flas për të shumë, deri te protestat e para të demokracisë kur , njerëzit që protestonin e hynë në rrugët e bllokut e kaluan para shtëpisë së tij dhe e gjetën në trotuar ku shëtiste i sëmurë prej kohësh me bastunin në dorë. Shumica e pa me habi , asnjeri nuk i tha një fjalë , as të mirë e as të keqe por shumë prej tyre e përshëndetën. Nuk mund të thuhet sot se ka qënë i tillë e i atillë e të bëhen pandehma me që në 1981 ( kishte kërkuar që në vitin 1976) u largua nga të gjithë detyrat pavarësisht se i kërkuan të rrinte në postet e larta që kishte mbajtur. Çdo spekullim, ku bën pjesë dhe ky i z.Agim Shehu , nuk qëndron. Ka dhe ai meritat dhe përgjegjësitë e tij për çfarë u bë dhe ndodhi në atë që sot e quajmë koha e socializmit por ai ishte dhe qëndroi një njeri i bindur se , duke filluar që nga rinia, lufta partizane e deri në fund të jetës kishte vepruar me ndërgjegje të plotë e ndershmëri për të mirën e vendit të tij. Dhe besoi në atë që bëri gjatë jetës.
Ndofta është lapsus kur z.Shehu thotë se e ka takuar në vitin 1987 dhe unë e besoj se kështu duhet të jetë. Nga viti 1981 Haki Toska ishte pensionist dhe nuk mund ta gjente tek Banka e Shqipërisë kur ishte Ministër i Financës po në ato vite. Por kjo nuk ka rëndësi. Mundet që datat e vitet ti ngatërrojë. Nuk ka rëndësi se Haki Toska mbante mend se martohej dikur Shehu sepse edhe mund të jetë e vërtetë por edhe në mos qoftë s’prish ndonjë punë se Hakiu kishte një kujtesë jashtë normales dhe mbante mend shumë më tepër ato që kishin të bënin me Gjirokastrën. Nuk prish punë as se Hamit Kokalari jetonte akoma kur po bëhej kjo “bisedë e pabesueshme” ndërkohë që dhe libri i tij “Kosova djepi i shqiptarizmit” ishte botuar nga Lidhja Kosovare që në vitin 1962 dhe duket e “pabesueshme” që “ ata lart” ti kërkonin mendje Agim Shehut për botimin e tij. Por si nuk mban mend që një anëtar i Byrosë Politike ( ata lart) i jep një libër për ta redaktuar, aq më tepër për temën disi të veçantë të marrëdhënieve me minoritetin , dhe nuk thotë as ku e çoi as ç’u bë me të: “Nuk di ç’u bë më tej…”
Le të vimë tek ajo kryesorja , “rrëfimin” e Haki Toskës tek ky poet që kishte qenë edhe disa kohë “i dënuar” ( për “dënimin i vinte dhe turp” ) por siç thotë e kishte kaluar këtë “dasmë”. I tregon dy ngjarje të cilat kishin të bënin me sjelljen e partizanëve gjatë Luftës. Njera përmban aludimin se dy nga krerët e Luftës në Labëri paskëshin kaluar vijat armike në mënyrë të dyshimtë . Mënyra e të thënit është se kishin dezertuar për të shpëtuar kokën e pastaj , me qetësimin e ujërave duhet të jenë kthyer prapë (më tha dhe emrat e tyre, po s’më takon t’i publikoj unë). Dezertorë ka çdo luftë dhe mund të ketë ndodhur megjithë se unë nuk e besoj. Por sot , që janë hapur “letrat” e po flitet mbarë e mbrapsht për luftën e partizanëve dhe kolaboracionistët po dalin heronj dhe luftëtarët po i bëjnë diktatorë të ardhshëm , po ashtu dhe që z. Shehu nuk është shquar për “mbajtjen e gjuhës në dhëmbë” për atë periudhë ( nëse duam një Shqipëri të mirë e të sigurt për sot e për nesër, duhet nisur nga dënimi i krimeve të shtetit komunist) përse nuk i thotë emrat e tyre ?
E dyta ka të bëjë me imoralitetin e një partizaneje me një sërb . Po a kishte në Zagori “misionarë” të tillë në vitin 1943 se nga viti 1944 Brigada e Gjashtë për të cilën flet Shehu nuk është kthyer më në ato zona deri sa arriti në Vishegrad të Jugosllavisë ? Por edhe po të ishte kështu , domethënë që ngjarja të jetë e vërtetë dhe dihet se për këto gjëra shkoje deri në plumb në atë kohë , cila do të ishte arsyeja që një nga “ata lart” do t’ia rrëfente Agim Shehut “ si shkrimtar dhe pedagog” dhe “ i dënuar” ? Mos vallë Haki Toskën e vriste ndërgjegjja për këto “faje” të së kaluarës dhe gjeti Agim Shehun “kishë” ku të falej? Dhe për ta besuar Agimin e sotëm i ve titullin e “pabesueshme” se dhe vetë ai nuk e beson edhe sot këtë që ka ndodhur? A mos vallë po merr pjesë tërthorazi në “betejën” e nisur nga pinjojtë e kolaboracionistëve për të purifikuar paraardhësit që gjetën mënyrën më të mirë për të shmangur diktaturën që po shfaqej në horizont dhe u futën në “gjirin e pushtuesit”? ( Kush të dojë le të shikojë shkrimin tim tek “Dita” – “Balli dhe lufta”) . Në qoftë kështu do të preferoja të ishte lajthitje pleqërie .
Agim Shehu nuk ka bërë një “bisedë të pabesueshme”. Nuk ka qenë nga ata njerëz që e linte ti shkonte dëm “filli” i lidhjeve me dikë në sferat e larta të pushtetit. Por po i them se , megjithë luhatjet që kam patur në karrierën time , kurrë nuk kam kërkuar dhe as më ka shkuar mendja për ndihmën më të vogël nga ky njeri që qenka “rrëfyer” tek Agim Shehu , duke qenë në nomeklaturën më të lartë të Partisë së Punës , për ngjarje të ndodhura para gati një gjysmë shekulli dhe për tw cilat duhet tç mblidhje mendjen që t’i bëjë dhe brenda shtëpisë. Ai që fëmijët e tij i çoi në sektorët më të vështirë të punës dhe ju la si pasuri vetëm emrin e tij dhe një bibliotekë. Ai që mori në shtëpi deri sa vdiq një evgjit ( të më falin për shprehjen po kështu i kemi quajtur) me të cilin qe rritur. Ai që në Gjirokastër nuk vajti kurrë nga “lart” dhe plakave të qytetit të tij u thërriste zonjë si qëmoti. Ai që kur mori vesh se kisha shoqëri me Sabri Godon dhe i çova librin “Prova e zjarrit” që Sabriu kishte bërë për brigadën ku kishin luftuar të dy më tha “mbaje shoqërinë se është i mirë e i zgjuar”. Dhe ky njeri i paska lënë “amanet” Agim Shehut dy ngjarje të cilat , tashmë në pleqëri ( i uroj jetë të gjatë) , nuk i mban dot brenda dhe do t’ia lerë (ta marri vesh kush të dojë) shqiptarëve nëpërmjet këtij rrëfimi . Vlerën e di ai vetë. Siç duket i ka mbajtur deri në fund brenda vetes dhe , për rëndësinë e tyre në luftën kundër komunizmit , po i thotë në pleqëri. Do të ishte mirë të kishte mbetur ai poeti që ja kemi ditur e ja kemi vlerësuar e ja vlerësojmë veprën . E thashë do të ishte më mirë një lajthitje pleqërie se sa një gënjeshtër e sajuar sado mirë. Qoftë dhe “e pabesueshme”. Profeti Muhamed ( për të mos përmendur filozofët) thotë se hipokriti ka tre gjëra që e dallojnë : “kur flet-gënjen, kur premton nuk mban premtimin dhe kur i beson të tradhton”. Ndofta i lexon këto fjalë profesori im i dikurshëm që do të kisha dëshirë ta mbaja mend siç ishte dikur.

Z. Caushi jeni shume i sakte.(ne kete rast).
Pershendetia Agim F Dalipi, Me falni se nuk ju njoh direkt, po me sa lexova ju njoha.Jeni;- I cilteri qe duhet besuar,folur zemra. Mos qofsha i gabuar,…Ne ka njeri qe nuk duhet perfolur per keq nga ajo “udheheqie”ishte Haki Toska.Kush nuk e njihte,i atyre viteve bashkejetuar.
Haki Toska i ndiere,i kishte shoket te rralle;ETALON SINQERITETI.
Citimi Profetit Muhamet eshte me i gjeturi per hipokritin.
Pershendetie z.a shoku, Agim F.Dalipi.
Dashamiresi D.
Te ishin te gjithe si Haki Toska … po llumi Berishes nxiu gjithshka, komunistet e vertet ishin patriote por antikomunizmi Berishes dhe plehrave qe akoma qajne per te nuk ishte ne emer te demokracise (se per kete jemi dakort se demokracia ka liri me shume) por ne emer te grekut dhe serbit qe na kane patur e kane hale ne sy se Enveri ua tregoi vendin.Respekt dhe nderim per patriotet e vertete, komuniste apo antikomuniste qofshin. Te lumte mendja dhe pena o Agim se nderove laberine.
Nuk e kam njohur personalisht Hakiun por per te kam degjuar fjalet me te mira nga prinderit dhe bashkeqytetaret apo te afermimit qe kishin luftuar me te dhe me vone ishin persekutuar nga pushteti.Shehu ka qene pedagog ne vitet e shkolles por nuk kam dalluar ndonje vlere qe te me afronte.Dhe sot nuk e kam te qarte pse u persekutua dhe pse pas persekutimit partia te ciles i kendoi dhe vrapoi me te ne gji nuk e degdisi por e ktheu ne Tirane