Para disa muajsh në shtypin on line, lexova për mësuesen Marien nga Lezha. E përgëzoj për optimizmin dhe i uroj shërim të plotë. Në tregimin e saj ajo nuk lë pa falënderuar mjekët që e kanë ndihmuar, familjarët, kushërinjtë dhe kolegët. Më bëri shumë përshtypje veprimi i shoqeve të saj mësuese që sipas Maries “U bënë bashkë, mblodhën një fond dhe m’i dhanë për të paguar njërin prej cikleve të kimioterapisë dhe radioterapisë”, dhe ajo vazhdon, ”Ilaçet për trajtimet për sëmundjen janë shumë të shtrenjta, madje, ato edhe nuk gjenden në çdo kohë”,
Në këtë histori më bënë përshtypje disa gjëra.
• Optimizmi i Maries dhe përpjekjet e saj për t’u shëruar. Kjo është për t’u lavdëruar dhe për t’u marrë si shembull.
• Solidarizimi i shoqeve që mblodhën lekët për të siguruar blerjen e ilaçeve të shtrenjta. Kjo është një sjellje e bukur solidarizimi. Është një sjellje që duket se sot tek ne nuk është shumë e kultivuar. Disa javë më parë Ambasadori Arvizu, inicioi nismën “Act Now”, një nismë e bukur, që kërkon pjesëmarrjen e shoqërisë në zgjidhjen e problemeve. Akti i shoqeve të Maries është një demonstrim i dobisë së veprimit shoqëror.
• Më bëri përshtypje mungesa në spital e ilaçeve të kimioterapisë dhe pse Maria duhet t’i blinte këto ilaçe dhe shërbime me paratë e saj?. Kjo, për mua, ndodh nga mjekësia e sigurimeve, që nuk u shërben të sëmurëve, por vetëm burokratëve që pasurohen me paratë e të sëmurëve. Ky shqetësim, për mua, bëhet më i madh, kur mendoj se pas një muaji sistemi i shëndetësor i sigurimeve do të hyjë plotësisht në fuqi.
Me qëllimin që opinioni publik shqiptar të kuptojë çfarë do të thotë mjekësia e shoqërive të sigurimit, po sjell shembullin e një shoqes së Maries në Amerikë, ku zbatohet sistemi i shërbimit shëndetësor me kompanitë e sigurimeve. Në këtë histori tregohet, vetëm, njëri nga aspektet shumë negative të këtij sistemi, që gjithnjë është në dëm të sëmurëve.
Në verën e vitit 1991, mësuesja Nelene Fox në Temecula, Kaliforni, ishte diagnostikuar me kancer gjiri të avancuar. Ajo ishte tridhjetë e tetë vjeçe, nënë e dy fëmijëve. Kur asaj i u rikthye kanceri i gjirit metastatik pasi i kishte përdorur gjithë mjekimet konvencionale, doktorët i sugjeruan një transplantim autolog të palcës së kockës, si gjëja e fundit që mund t’i bënin. Mësuesja e pranoi sugjerimin e doktorëve. Por kur ajo aplikoi në kompaninë e saj të sigurimeve Health-Net, që sigurimet të paguanin për transplantin, Health Neti ia refuzoi duke i thënë : “Procedura nuk mbulohet nga lista standarde e protokolleve të aprovuara klinikisht nga kompania e sigurimeve.
Refuzimi që i bëri Health Net transplantimit të Nelene Foksit, ngjalli një reaksion publik tëë madh. E dëshpëruar dhe e tërbuar, Foksi, vendosi të mbledhë para privatisht duke shkruar mijëra letra. Në mes të Prillit 1992, u bë një përpjekje e jashtëzakonshme për të grumbulluar fonde për të paguar për transplantin e Foksit (kështu bënë edhe shoqet e Maries). Temecula, një qytete i vogël me fusha golfi dhe dyqane të antikave, u përfshi i gjithi në këtë aksion. Paratë erdhën nga ndeshjet sportive, nga shitja e byrekëve, nga fëmijët e shkollave nëntë vjeçare që përgatitnin limonada në shtëpi dhe dilnin i shitnin grupe-grupe në rrugë dhe paratë i jepnin për Nelene Foksin. Gjimnazistët dolën në rrugë dhe në pompat e benzinës për të larë makinat dhe paratë i a dërgonin Foksit. Restorantet private dhe dyqanet që shesin akullore e dorëzonin një pjesë të fitimeve të tyre për këtë të sëmurë.
Në 19 Qershor, një grup mbështetësish të Foks demonstronin dhe këndonin nëpër rrugë “Transplant, transplant”, duke përmendur emrin e Foksit. Ata u rreshtuan përpara zyrave të korporatës së sigurimeve Health Net. E gjitha kjo përfshirje masive është një shembull klasik i “Act Now”, që ne në Shqipëri nuk jemi mësuar ta praktikojmë.
Pak ditë më vonë, vëllai i Foksit, një avokat, që quhej Mark Hiepler, e paditi në gjyk kompaninë e sigurimeve “Health Netin”, që ta detyronte të paguante për transplantin e motrës së tij. “JU E SHITËT KËTË MBULIM ME SIGURIM SHËNDETËSOR KUR AJO ISHTE E SHËNDOSHË”, shkroi Hiepler. “U LUTEM KTHEJANI TANI QË AJO ËSHTË E SËMURË”
Vonë në verë të 1992, kur Health Net vazhdonte të refuzonte kërkesën për të mbuluar shpenzimet, Foksi vendosi të vazhdojë në të sajën. Në këtë kohë ajo kishte mbledhur 220.000 dollarë nga rreth 2.500 miq, komshinj, të afërt, shokë të punës dhe të huaj. Kjo shumë ishte e mjaftueshme për të kryer transplantin.(Në Shqipëri zor se ndonjë e sëmurë mund të mbledhë kaq para nga miqtë e shokët)
Në Gusht 1992, Nelene Foks, i u nënshtrua kimioterapisë me doza të larta dhe transplantimit të palcës së kockës për kancer gjiri metastatik. Me këtë veprim ajo shpresonte të rishkruante një kontratë të re për jetën e saj.
Nelene Foks, nuk ishte me fat. Ajo provoi regjimin ndëshkues të kimioterapisë me doza të larta dhe të komplikacioneve të saj të shumta. Më pak se një vit nga transplanti, kanceri i gjirit u rikthye në mënyrë eksplozive në gjithë trupin e saj, në mushkëri, në mëlçi, në gjëndrat limfatike dhe më me rëndësi në trurin e saj. Në 22 Prill, Foks vdiq në shtëpinë e saj, në një qoshe në Temecula.
Ajo ishte vetëm dyzet vjeçe. Ajo la prapa burrin dhe tre vajzat, më e vogla katër vjeç, dhe më e madhja njëmbëdhjetë vjeçe. Ajo la pas edhe një padi kundër kompanisë së sigurimeve Health Net, që tani kishte nisur rrugën në sistemin gjyqësor të Kalifornisë.
Lufta agonizuese e Foks dhe vdekja e saj e parakohshme u gjykuan nga opinioni amerikan si raste flagrante. I bindur, që transplanti i vonuar dhe jo kanceri, i mori motrën, Hiepleri e zgjeroi akuzën ndaj Health Net dhe me energji u përpoq për gjykimin e çështjes. Hiepler luftohej nga kompanitë e sigurimeve, sepse i vetmi qëllim i tyre është të kursejnë paratë, duke u refuzuar të sëmurëve mbulimin e shpenzimeve të mjekimit. Po qe se vuani nga një i ftohtë, ose një grip, sigurisht, ata do të bëjnë shumë kujdes për ju. Por, po të keni kancer gjiri, ata të thonë nuk e përmban protokolli.
Në mëngjesin e 28 Dhjetorit, 1993, Mark Hiepler harxhoi rreth dy orë në sallën e gjyqit, duke përshkruar vitin e fundit, që ishte shkatërrues për jetën e motrës së tij. Salla dhe lozhat e gjyqit ishin të tejmbushura me shokët dhe miqtë e Foks, me mbështetës dhe pacientë , shumë prej tyre të përlotur nga zemërimi dhe empathia. Juria nuk zgjati më shumë se dy orë që të vendoste. Atë mbrëmje u dha verdikti, që e detyronte kompaninë e sigurimeve t’i jepte familjes së Foks 89 milion dollarë shpërblim për dëmin. Kjo ishte sasia e dytë më e madhe në historinë e litigimit në Kaliforni dhe njëra nga më të lartat që është dhënë ndonjëherë në Amerikë.
Tetëdhjetë e nëntë milion dollarë ishte një shumë e madhe simbolike(gjyqi u fillua për shumë më të vogël), por ishte një lloj simbolizmi, që çdo kompani sigurimesh duhet ta kuptonte mirë. Në vitin 1993, grupi i avokatëve të pacientëve u sugjeroi grave, të luftojnë në rastet e ngjashme në të gjithë Amerikën. E kuptueshme, shumë të siguruar filluan të qetësohen. Në Massachusetts, Charlotte Turner, një infermiere dyzetë e shtatë vjeç, e diagnostikuar me kancer gjiri metastatik, loboi fuqishëm për transplantin e saj, duke vrapuar me karrige me rrota nga zyra e një ligjvënësi tek zyra e një tjetri, me një tufë me artikuj mjekësore në duar. Në fund të vitit 1993, si pasojë e përpjekjeve të Turner, legjislatura e shtetit të Massachusettsit nxorri aktin e ashtuquajtur “Ligji i Charlottes”, që mandatonte mbulimin për transplantacionin për pacientët e zgjedhur për këtë operacion brenda shtetit Massachusett. Nga mesi i viteve 1990, shtatë shtete u kërkuan sigurimeve të paguanin për transplantin e palcës së kockës dhe shtatë shtete të tjera e kishin gati legjislacionin për ta vendosur. Midis 1988 dhe 2002, tetëdhjetë e gjashtë pacientë kishin mbushur padi kundër kompanive të sigurimeve, që u kishin refuzuar transplantet. Dyzetë e shtatë prej tyre e kishin fituar të drejtën.
Rasti i mësueses Foks, është një fakt konkret, që tregon vetëm për një nga të metat që ka sistemi i sigurimeve shëndetësore. Them vetëm një, sepse shëndetësia me sigurime ka edhe shumë të meta të tjera, të cilat do t’i bëj të ditura në artikuj më pas.
Më në fund dua t’u drejtoj një pyetje atyre që përpiqen pa pushim të vendosin tek ne këtë lloj shërbimi që në qendër nuk ka të sëmurin, por paranë dhe fitimet marramendëse të kompanive të sigurimeve:
Zotërinj, pse nuk bëheni më të arsyeshëm e të hiqni dorë nga ky sistem sigurimesh, që mjekimin e të sëmurëve nuk e lë në dorë të mjekëve dhe të sëmurëve, por ua jep atë burokratëve të pangopur?
Faleminderit për shkrimin që tregon qartë vdekjen që mbjell sistemi i sigurimeve private ku nuk vendos as mjeku, as pacienti por një llogaritar që kërkon të fitojë sa më shumë.