Pacientët që janë pjesë e skemës së sigurimeve shëndetësore nuk do të paguajnë me për sigurimin e protezave ortopedike. Sikundër ishte deklaruar edhe më herët, ky shërbim do të ofrohet me rimbursim nga shteti, teksa është bërë i mundur edhe sigurimi i tyre për Spitalin Universitar të Traumës në kryeqytet, e cila njëkohësisht është qendra e vetme e traumës në vend.
Për vendosjen e protezave të nevojshme për lëndimet e shkaktuara nga aksidentet, pacientët nuk do të sorollaten më për gjetjen dhe blerjen e këtyre pajisjeve mjekësore. Ofrimi i këtij shërbimi, i siguruar si investim i qeverisë me vlerë rreth 1 milion dollarë, paralelisht do të ofrohet edhe në shërbimin e ortopedisë në QSUT dhe spitalin rajonal të Durrësit.
Kjo me qëllim shpërndarjen e fluksit të pacientëve, të cilët për vite me radhë kanë mbingarkuar Spitalin Universitar të Traumës. Deri më sot pacientët që kishin nevojë për proteza, ishin të detyruar që t’i paguanin vetë ato me një çmim dy herë me të lartë sesa ai që po shpenzohet aktualisht nga buxheti i shtetit për blerjen e tyre. Ndërsa tani protezat, përveçse cilësore dhe të garantuara, për pacientët, do t’u kursejnë buxheteve të tyre familjare rreth 2 milionë dollarë në vit. Gjatë ditës së djeshme, kryeministri Edi Rama dhe kreu i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, kanë vëzhguar nga afër ofrimin e shërbimit më të ri për pacientët që kanë nevojë për pajisjet mjekësore të implantueshme.
Ndërkohë që gjatë mbledhjes së zhvilluar më pas me drejtuesit dhe mjekët e këtij spitali, kryeministri Rama është ndalur edhe në projektet e reja që do të zbatohen për rinovimin dhe rritjen e eficiencës së spitalit, i cili në tre vitet e fundit ka pësuar një ndryshim radikal në infrastrukturën dhe funksionimin e tij. Një ndër projektet e reja që do të zbatohet në këtë spital, është edhe nisja e punimeve krijimin e shërbimit të recepsionit dhe hollit të ri të pritjes, i cili do të ndihmojë në përmirësimin e komunikimit me qytetarët, pacientët dhe familjarët.
Spitali i Traumës do të ketë edhe mjedise të reja për shërbimet e fizioterapisë, si dhe përmirësim të kushteve në sistemin e ajrit të kondicionuar të reanimacionit të përgjithshëm. Sa i takon investimeve në aparatura, ministri Beqaj ka bërë me dije se prej pak muajsh është vënë në punë edhe rezonanca magnetike, shumë e domosdoshme për diagnostikimin e saktë të pacientëve. Ndër pajisjet e tjera janë dhe skaneri i ri dhe monitorët modern në sallën e reanimacionit, për të cilat drejtori i spitalit shpjegon se mundëson monitorimin, si dhe jep të dhëna për gjendjen e pacientëve në çdo moment.
“Të sëmurët janë të gjithë të monitoruar atje. Këtu rrinë 2 mjekë. Pra çdo moment nëpërmjet kësaj pajisje mund të marrin informacion për secilin nga të sëmurët. Plus ka qenë problem për respiratorët. Këtu gjatë verës shkojnë 23-24 të sëmurë në gjendje shumë të rëndë. Në atë kohë janë shtuar nga ministria 6 respiratorë të rinj”, vë në dukje drejtori i Spitalit Universitar të traumës Gjovalin Bushi.
