Pacientët që nuk i përgjigjen kurimit, jo më barrë vetëm e familjarëve

anazapta

Krijohet Shoqata e Kujdesit Paliativ, e para e këtij lloji në qytetin e Elbasanit, do t’u vijë në ndihmë qindra pacientëve që vuajnë nga kanceri apo sëmundje të tjera të pashërueshme që kanë krijuar imunitet ndaj mjekimeve. Duke parë vështirësitë e menaxhimit të shëndetit të këtyre pacientëve, një grup mjekësh duke marrë edhe mbështetjen e kryebashkiakut Qazim Sejdiu bënë të mundur krijimin e kësaj shoqate, e cila do t’i paraprijë hapjes së një qendre të specializuar në të cilën shumë njerëz vullnetarë, infermierë e mjekë do të lehtësojnë barrën e vuajtjeve me të cilat përballen këta pacientë.

Drejtimi i shoqatës i është besuar dr. Bujar Kllogjrit, i cili tregon se tashmë janë bërë hapat e para dhe sensibilizimi ka qenë i madh duke bërë të mundur krijimin e një shoqate për të sëmurët terminalë. Ndërsa mjekja e Përgjithshme, Entela Hamiti, shprehet se krijimi i një shoqate të tillë hap një dritare të re të kujdesit dhe marrëdhënies mjek- pacient.

“Të jesh mjek do të thotë të luftosh bashkë me pacientin deri në fund për një shërim të plotë dhe në rastet kur kjo nuk është e mundur, të luftosh që pacienti të këtë një cilësi jete më të mirë deri në minutat e fundit. Kujdesi paliativ është një disiplinë e re që përfshihet në luftën e vazhdueshme që po bëhet kundër kancerit, por jo vetëm, kundër çdo sëmundjeje të cilat nuk i përgjigjen më mjekimit.

Ai konsiston në një përkujdesje multidisiplinare ku përfshihen mjeku, infermieri, punonjësi social, psikologu dhe vullnetarë të ndryshëm. Me mundësitë aktuale është e vështirë që në spitalin e Elbasanit të trajtohen pacientët që janë në fazë kurimi, e jo me ata të cilët nuk i përgjigjen mjekimit”, shprehet Hamiti.

“Ndaj numri në rritje i të sëmurëve me kancer në Elbasan dhe në rrethina e bën të domosdoshëm ngritjen e këtyre qendrave të kujdesit paliativ duke lehtësuar menaxhimin e rasteve. Kjo pasi pjesa dërrmuese e pacientëve me kancer apo dhe me SIDA e sëmundje të tjera të pashërueshme mbasi nuk i përgjigjen më trajtimeve, braktisen dhe i faturohen familjarëve. Shpesh ata vdesin duke u përpëlitur mes dhimbjeve, me plagë të mëdha në trup të hapura nga qëndrimi me ditë të tëra shtrirë, pa praninë e personelit mjekësor.

Ndërkohë që krijimi i një shoqate dhe i një qendre të kujdesit paliativ bën të mundur asistimin e këtyre të sëmurëve në shtëpi. Personeli i specializuar trajton simptomat e shumta të tyre siç janë: dhimbja, të vjellat, plagët e shumta. Psikologu asiston në mbështetjen psikologjike të sëmurit, por edhe të familjarëve”.

 Krijimi i shoqatës

Kllogjri shton se shoqata tashmë ka marrë edhe vendimin nga Gjykata e Tiranës, teksa brenda pak ditësh pritet të përfundojnë edhe procedurat burokratike që do t’i hapin udhë nisjes konkrete të punës për ofrimin e kujdesit të specializuar mjekësor ndaj pacientëve.

“Tashmë janë evidentuar rastet e të sëmurëve dhe kanë filluar t’i ndihmojnë. Gjërat kanë filluar të lëvizin dhe kjo është mjaft pozitive. Ne ishim pjesë edhe e panairit ku u mblodh një shumë simbolike që do të shërbejë për kujdesin ndaj të sëmurëve. Së fundi është ofruar një vullnetar amerikan i Korpusit të Paqes, i cili ka një eksperiencë në shërbim paliativ në Amerikë. Ai do të  jetë pjesë e shoqatës deri në përfundimin e misionit të tij”, shton Kllogjri.

Drejtori Rajonal i Shëndetit deklaron se rastet e shumta të sëmurëve me kancer kanë tërhequr vëmendjen e SOROS-it që gjithashtu ka ofruar ndihmën e tij për t’u përgatitur për këtë shërbim të ri që do të ofrohet në Elbasan.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *