Epikriza më firmë të dyfishtë është kushti i vetëm që i lejon urgjencat mjekësore të rretheve, të vijojnë marrjen e trajtimit spitalor në Qendrën Universitare “Nënë Tereza” në kryeqytet. Duke përjashtuar rastet urgjente ku pacienti ka nevojë për ndihmë të menjëhershme, autoritetet shëndetësore bëjnë me dije se tashmë janë ndarë udhëzimet përkatëse në poliklinikat dhe spitalet rajonale të rretheve që të mos përcjellin drejt Tiranës pacientët me probleme shëndetësore të lehta, trajtimi i të cilave mund të bëhet fare lehtë në spitalet e rretheve. Prej kohësh mjekët e QSUT-së po përballen me një fluks të lartë pacientësh, ku pjesa dërrmuese e tyre vijnë nga rrethet edhe për shqetësimet më te lehta, kurimin e të cilave mund ta ndjekin lehtësisht pranë strukturave shëndetësore që ndodhen në vendbanimin e tyre. Kjo situatë bëhet edhe me shqetësuese në shërbimin e urgjencave. E pikërisht për të shmangur këtë mbingarkesë është vendosur që urgjencat mjekësore të referuara nga rrethet të jenë të pajisura me firmën e dyfishtë të mjekut roje, dhe shefit të shërbimit përkatës. “Rastet e përcaktuara si urgjenca mjekësore që referohen për trajtim spitalor nga shërbimi ambulator (poliklinikat) duhet të ketë rekomandimin nga mjeku i përgjithshëm dhe i familjes, ndërsa ata të dërguar nga spitali i rrethit për në spitalin rajonal ose spitalet universitare si QSUT, duhet të kenë me vete “epikrizën” përcjellëse, e cila duhet të jetë e firmosur dhe vulosur nga mjeku i roje-s dhe shefi i shërbimit përkatës”, sqarohet nga burimet zyrtare të QSUT-së. Për ekzaminimet diagnostiko që kryhen jashtë situatës urgjente, personat të cilët nuk janë të siguruar apo nuk zbatojnë sistemin e referimit përfitojnë shërbime sipas tarifave të përcaktuara dhe të miratuara nga Ministri i Shëndetësisë, lista e të cilave gjendet e afishuar tashmë pranë çdo klinike spitalore. Po sipas këtyre burimeve, rastet e përcaktuara si urgjenca mjekësore ekstreme paraqiten direkt në spitalin përkatës, ndërsa patologjitë e tjera që kërkojnë vëmendje të menjëhershme mjekësore paraqiten në urgjencat e spitaleve, pas orarit të ambulatorëve. Shërbimi i urgjencës në QSUT funksion përgjatë 24 orëve dhe në asnjë rast pacienti nuk është i detyruar që të paguajë për marrjen e shërbimit përkatës. Në shërbimet e urgjencave në këtë qendër spitalore trajtohen urgjencat mjekësore të referuara dhe ato ekstreme, të cilave u ofrohet shërbim nga një staf i përcaktuar dhe i përgatitur për të vepruar me profesionalizëm dhe diagnostikuar në kohën sa më të shpejtë çdo ndërlikim të shfaqur, për të mundësuar jo vetëm stabilizimin e tyre, por edhe mbajtjen nën vëzhgim deri në rikuperimin e plotë të gjendjes shëndetësore të pacientit, ndjekja e të cilit vijon më pas në klinikat ku shtrohen.
Dokumentet që i sëmuri duhet të ketë me vete për konsultë
Çdo i sëmurë që paraqitet për konsultë duhet të ketë me vete këto dokumenta: “Dokument identifikimi (kartë identiteti, pasaportë, certifíkatë me fotografi, librezën e sigurimeve shëndetësore, raportin mjekësor (epikrizën) nga mjeku i familjes apo mjeku specialist i rrethit përkatës nga vjen i sëmuri. Të sëmurët kronikë që vijnë në konsultë për folloë-up (ndjekje) duhet të kenë me vete edhe përgjigjet e analizave dhe ekzaminimeve të nevojshme të kërkuara paraprakisht nga mjeku konsulent. Në rast të kundërt kryerja e analizave dhe ekzaminimeve në QSUT do të paguhet në vlerë të plotë.
Dokumentacioni që i vihet në dispozicion pacientit pas konsultës
Mjeku konsulent është i detyruar që për çdo të sëmurë pas, konsultës t’i japë një raport mjekësor për ta paraqitur tek mjeku dërgues, apo ai i familjes. Sipas rastit, me kërkesë të sëmurit, mund t’i jepen me vete kopje të ekzaminimeve radiologjike. Po ashtu, kur gjykohet e nevojshme, mund t’u jepet edhe një dokument me datën dhe orën e konsultës pasardhëse.
Shtrimi urgjent në spital pas konsultës
Në rastet kur konsulenti gjykon se i sëmuri ka nevojë për shtrim urgjent, njoftohet shefi i shërbimit i cili merr masat e nevojshme për pritjen e pacientit në shërbimin e tij dhe jo në atë të urgjencës.
Shtrimi i zakonshëm
Për të sëmurët që në konsultë mendohet se ka nevojë për shtrim në varësi të disponibilitetit të vendeve, mund të kalohen direkt në shërbim ose të planifikohen për shtrim në një datë të caktuar. Për të mos pasur mbivendosje datash nga konsulentë të ndryshëm, çdo ditë shefi i shërbimit i jep konsulentit përkatës listën me planifikimin e shtrimeve. Nëse për arsye të ndryshme data e planifikuar duhet shtyrë, shefi i shërbimit merr të gjitha masat për njoftimin e të sëmurit për shtyrjen e ditës së shtrimit dhe fikson me të, datën e re.
Mjekët e QSUT, në punë edhe të shtunave
Mjekët e shërbimeve të QSUT-së rikthehen në punë edhe përgjatë ditëve të shtuna. Drejtoresha e e kësaj qendre spitalore Ogerta Manastirliu ka deklaruar gjatë ditës së djeshme se me ndërhyrjet e bëra mjekët nuk paraqiten vetëm për 3 apo katër orë në spital, por qëndrojnë aty përgjatë gjithë orarit zyrtar. “Në bashkëpunim me shërbimet mjekësore, me shefat e shërbimeve, ne jemi duke punuar, sa i përket edhe respektimit dhe disiplinës në punë. Me mbështetjen e tyre dhe me përkrahjen e tyre, sot mjekët janë në eficencë të plotë përgjatë gjithë orarit zyrtar, orarit të punës në spitalet tona. Të shtunave, mjekët dhe shefat e shërbimeve vetë, së bashku me ekipet e tyre, dalin në punë, gjithashtu dhe duke ndjekur raste të veçanta pacientësh. Statuti i QSUT-së, por edhe rregulloret e dala në zbatim të tij, i përcaktojnë të gjitha masat administrative dhe jo, për sa i përket mungesave në punë. Ato janë shumë mirë të qarta dhe të shkruara. Sigurisht ne nuk do të donim që të merrnim këto masa. Në fakt nuk është se ka qenë praktikisht e nevojshme, por sigurisht pjesa e monitorimit dhe kontrollit mbetet një ndër objektivat tona të punës. Një institucion kaq i madh është i pamundur të kontrollohet nëse nuk ka një sistem elektronik të kontrollit. Nuk mund të kontrollosh me burime njerëzore, burimet njerëzore”, sqaron drejtoresha Manastirliu.
