Një 50-vjeçare ka ndërruar jetë në spitalin e Elbasanit në rrethana ende të paqarta dhe që janë bërë objekt hetimi i policisë dhe prokurorisë vendore, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Kurse familjarët akuzuan mjekun për neglizhencë dhe pakujdesi, duke kërkuar nisjen e hetimeve. Policia njoftoi se ka proceduar dje penalisht mjekun e Urgjencës në Spitalin e Elbasanit, me inicialet I.Xh., 50 vjeç, pas vdekjes që pësoi pacientja që kishte marrë prej tij ndihmë mjekësore.
Gruaja me inicialet H.F., banuese në këtë qytet, është paraqitur në urgjencë dy ditë më parë, ku ka marrë ndihmë mjekësore nga I.Xh., por kur ka shkuar në banesë, ka gjetur vdekjen. Familjarët akuzuan se të afërmes së tyre nuk i është dhënë ndihma e duhur dhe se bluzat e bardha e kanë trajtuar me medikamente të gabuara, duke nxitur humbjen e jetës.
Mjeku akuzohet për veprën penale “mjekim i pakujdesshëm”, ndërsa marrja në pyetje, verifikimi i kartelës mjekësore dhe ilaçeve të dhëna pacientes do zbardhin plotësisht shkaqet. Paraprakisht dyshohet se gruaja ka humbur jetën si pasojë e një ataku kardiak, por vetëm ekspertiza do zbardhë këtë ngjarje.