Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, duket se e ka humbur durimin sa i përket riformatimit të qeverisë, rrjedhimisht marrjes së Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Ai të shtunën ka thënë se është momenti i fundit që të ndodhë ky riformatim. Pacolli, i cili për momentin gjendet jashtë vendit, përmes telefonit ka thënë për gazetën “Zëri”, se është koha e fundit që të ndodhin ndryshimet e paralajmëruara. Ai ka bërë të ditur se këtë fundjavë kthehet nga Nju-Jorku, dhe menjëherë të hënën do të bisedojë në qeveri për këtë çështje. “Është momenti i fundit, kur ne duhet të bisedojmë për këtë çështje. Ashtu siç jemi marrë vesh, edhe duhet të ndodhë, sa më parë. Unë sot kthehem nga Nju-Jorku, dhe menjëherë të hënën do të bisedoj me partnerët e koalicionit për këtë”, u shpreh Pacolli. Nga ana tjetër, zyrtarët e PDK-së nuk preferojnë të flasin shumë për këtë çështje. Hajredin Kuçi, nënkryetar i PDK-së, tha se për këtë temë Pacolli do të flasë direkt me kryeministrin. “Ai dhe kryeministri do ta bisedojnë këtë çështje”, tha shkurt Kuçi. Kurse, Petrit Selimit, zëvendësministër i Jashtëm, nuk i duket se ky proces është vonuar, siç e thotë Pacolli. “Unë nuk e shoh si vonesë këtë dhe për këtë më shumë është folur nëpër media sesa ka pasur ngjarje reale. Çdo lëvizje po bëhet në bazë të axhendave dhe orareve”, tha Selimi. I pyetur për emërtimet që pritet të ndodhin, ai tha se për emra mund të flasë vetëm kryeministri. Ditë më parë, nga burime brenda qeverisë u mësua se pritet të ketë lëvizje sa i përket riformatimit të kabinetit qeveritar. Madje, është raportuar se PDK-ja është pajtuar që MZHE-ja t’i jepet AKR-së. Ndërsa, Fadil Ismaili është kandidati kryesor për të marrë këtë ministri nën udhëheqje. Ndërsa, ministri aktual i MZHE-së, Besim Beqaj do të kalojë në Ministrinë e Financave, të cilën e udhëhiqte Bedri Hamza, por që tani ka kaluar në pozitën e guvernatorit të BQK-së. Po ashtu është raportuar që ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, mund të shkarkohet për shkak të skandaleve të shumta që kanë plasur në këtë ministri. Pavarësisht riformatimit, analistët politikë mendojnë se kjo qeverisje nuk mund të ndryshojë. Sipas tyre, riformatimi ka të bëjë vetëm me ndarjen e pushtetit. Analisti politik, Ardian Arifaj thotë se ky riformazim arsyen e vetme ka ndarjen e pushtetit. “Matematika e këtij koalicioni ka ndryshuar dhe kjo e sjell nevojën për këtë riformatim, asgjë tjetër. Kjo nuk sjell e as që bën të pritet që do sjellë një qeverisje më të mirë”, tha Arifaj. / Zëri.info