Paga minimale! Më kthe lekët mbrapsht!

redaktor

Në 1 janar të këtij viti hyri në fuqi vendimi i Këshillit të Ministrave sipas të cilit paga minimale në Republikën e Shqipërisë bëhet 30 mijë lekë (242 euro) për 174 orë punë në muaj. Deri në fund të vitit 2020 paga minimale ishte 26 mijë lekë ndërsa me vendim qeverie, që nga 1 janari asaj iu shtua edhe 4 mijë lekë, duke u rritur  me 15.4 %. Por si ka qënë ecuria e pagës minimale në Shqipëri që pas rënies së diktaturës?

Paga minimale në Shqipëri ndryshon me miratimin e Këshillit Kombëtar të Punës ndërsa më pas merr fuqi ligjore pas vendimit të Këshillit të Ministrave. Këshilli i Kombëtares i Punës merr parasysh inflacionin, rritjen ekonomike, skemën e sigurimeve shoqërore, indikatorët makrofinanciar etj. Që prej vitit 1995, paga minimale ka pësuar rritje gjithsej 21 herë. Në rastin më të keq ajo është rritur me 580 lekë në vitin 2001, kur nga 7 mijë ajo shkoi në 7580 lekë. Para vitit 2005 rritja ka qënë e papërfillshme për punëmarrësit ndërsa më pas ajo është rritur mesatarisht me 1 mijë- 2 mijë lekë edhe pse jo çdo vit. Në vitet 2007, 2012 dhe periudhën 2013-2017, si edhe në 2018 dhe 2020-ën, nuk ka pasur asnjë rritje të pagës minimale.

Grafiku më poshtë tregon pagën minimale në Shqipëri dhe rritjen për çdo vit, në periudhën 2000-2021. Burimi INSTAT, 2021

Rritja më e madhe u shënua gjatë këtij viti, në një kohë kur jo vetëm Shqipëria por e gjithë bota po vuan nën pushtetin e pandemisë COVID-19. Për të gjithë punonjësit e formalizuar ne sektorin shtetëror dhe privat, ky është një lajm i mirë por jo për komunitetin e biznesit. Shumica e shoqatave të sipërmarrësve janë shprehur publikisht kundër vendimit të qeverisë që kur ishte në fazë premtimi nga kryeministri Rama, vitin e kaluar. INSTAT raporton se 26% e të punësuarve në vend, rreth 320 mijë persona, marrin pagë minimale. Pra, për një familje ku dy bashkëshortët paguhen minimalisht, kjo rritje është shumë e rëndësishmë për ekonominë shtëpiake. Rritja bëhet më domethënëse pasi edhe pse ekonomia në “letër” ka ardhur gjithmonë në rritje kjo nuk është pasqyruar në shtim të dukshëm të të ardhurave për qytetarët.

Nëse për punëmarrësit kjo rritje do të thotë më shumë të ardhura, për biznesin përkthehet në shtim të taksave dhe rritje të kostove. Kjo është arsyeja pse shumë prej shoqatave të biznesit e kanë kundërshtuar dhe e kanë cilësuar, jo të drejtë këtë vendim të qeverisë, aq më tepër kur vjen në një kohë kur ekonomia është goditur nga efektet negative të pandemisë. Gjithashtu ata ankohen se vendimi për rritjen e pagës minimale erdhi pa u konsultuar me parë me grupet e interesit. Rritja e pagës minimale në nivelin e 30 mijë lekëve, rrit me rreth 28% detyrimet për kontributet shoqërore dhe shëndetësore. Ekziston dyshimi se rritja e pagës minimale u krye pikërisht për të mbushur gropën në skemën e sigurimeve shoqërore. Me pagën e re, bizneset paguajnë rreth 37 milion euro shtesë në fondin e sigurimeve. Ekspertët thonë se më të goditura do të jenë bizneset e vogla, pasi edhe rrogat i kanë më të ulëta. I pyetur mbi efeket që ka mbi sipërmarrjen rritja e pages minimale, Alban Zusi, president i Qendrës të Eksporteve Shqiptare shprehet: “Rritja e pagës minimale gjithmonë do të rrisë kostot e bizneseve që paguajnë të punësuarit me paga të ulëta, por sidomos te bizneset e vogla. Impakti i parë që ne dimë për rritjen e pagës minimale është se miliona euro do të hiqen nga duart e qytetarëve dhe biznesit për të shkuar në duart e shtetit në formë taksash”. Sipërmarrësit kërkojnë më shumë akses në tregun financiar dhe lehtësi të tjera në mënyrë qe të amortizojnë humbjet që po pësojnë nga rritja e detyruar e pagës minimale. Ata kërkojnë mbështetje nga qeveria për të reduktuar disa prej humbjeve të tyre.

Por një pjesë e biznesit nuk kanë pritur ndihmën e qeverisë por ka gjetur si “zgjidhje”, informalitetin. Elson K, punonjës në një fasoneri në qytetin e Beratit na tha se ai paguhet me 28 mijë lekë në muaj por në bankë, që nga 1 janari  tërheq 30 mijë dhe diferencën detyrohen t’ja kthejnë pas kompanisë. Ai thotë se kjo ndodh në të gjitha repartet ku punonjësit e të cilëve paguhen nën 30 mijë lekë. Ata duhet të kthejnë diferencën, në të kundërt i largojnë nga puna.

Për ekspertët e ekonomisë rritja e pagës minimale, në aspektin social dhe reduktimin e varfërisë, është pozitive pasi do të sjellë më shumë të ardhura në një shtresë e cila burim të ardhurash ka vetëm rrogën. Por kjo rritje “galopante” shihet me dyshim dhe pikëpyetje pasi është bërë në një vit zgjedhor. Nëse do ti kthehemi grafikut të rritjes së pagës minimale do të vëmë re se nga 2005 deri në 2021 rritja e pagës minimale ishte 3 mijë lekë në vitin 2008 dhe 4 mijë lekë në vitin 2021. Në vitet ku kurba nuk lëviz, rritja e pagës minimale ka qenë zero. Nga 2005 deri në vitin 2012 qeveria ka qënë e qeverisur nga e djathta dhe rritja e pagës minimale prej 3 mijë lekësh, krahasuar me vitin paraardhës, ka qenë në vitin 2008, një vit para vitit zgjedhor duke kaluar përsëri kështu e djathta në një qeveri që vazhdon të mbajë pushtetin. Pas marrjes së pushtetit paga është rritur në mënyre konstante me 1 mijë lekë deri në vitin 2013. Në vitin 2013 kur e majta erdhi në pushtet paga minimale nuk ndryshoi në mandatin e parë. Nga viti 2013 rritja e madhe e pagës minimale ishtë me 4 mijë lekë në 2021. Kjo ishte, jo vetëm rritja më e madhe për 2 mandatet qeverisëse por edhe në të gjithë periudhën post-komuniste. Duket se politika e ka përdorur rritjen e pagës minimale në funksion të zgjerimit të pushtetit politik. Gjatë prezantimit të programit për ekonominë, kryetari i Partise Demokratike Basha deklaroi se nëse fiton zgjedhjet, rroga minimale do të shkojë në 36 mijë lekë. Pra në të gjitha rastet ajo përdoret si “karrem” për të marrë apo mbajtur pushtetin politik.

Por ku qendron Shqipëria në raport me vendet e rajonit, për sa i përket nivelit të pagës minimale? Ne jemi vendi i dytë në rajon me nivelin më të ulët të pagës minimale, duke lënë pas vetëm Kosovën. Sipas të dhënave të Institutit Europian të Statistikave të vitit 2020, paga minimale bruto në Shqipëri vlerësohet në 213 euro, me rritjen e 1 janarit, shkuam në 242 euro. Ne lëmë pas në renditje vetëm  Kosovën e cila i paguan më pak punonjësit e saj, me vetëm 130 euro ata nën 35 vjeç dhe 170 euro për ata mbi këtë moshë. Në Maqedoninë e Veriut paga minimale bruto 282 euro dhe në Malin e Zi është 331 euro. Ndërsa Serbia ka pagën më të lartë minimale bruto në rajon me 343 euro.

Rritja e pagës minimale në vetvete është pozitive por ajo duhet të vijë si rezultat i fuqizimit ekonomik dhe politikave nxitëse ndaj biznesit. Nëse kjo bëhet në periudha zgjedhore dhe me detyrim kjo do të ketë ndikim negativ mbi sipërmarrësit te cilët në rastin më të keq do të heqin njerëz nga puna ose do të kryejnë evazion për të shmangur humbjet.

 

Todian Greku

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *