Të ejten parlamenti i Shqipërisë votoi në unanimitet rritjen e pagës për gjyqtarët, prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore. Hartuesit e projekt-ligjit për rritjen e pagave në sistemin e drejtësisë kanë paraqitur si motiv se me këtë veprim do të minimizojnë korrupsionin në kete sistem. Unë do e konsideroja si një naivitet nese hartuesit, por edhe votuesit e këtij projektligji do t’a kishin seriozisht këtë motiv.
Do i referohesha një barcolete që ka qarkulluar në vitet e sistemit komunist në Shqipëri për banakierët, bufetierët e punonjësit e ushqimit social të tregtisë socialiste.Një banakier kishte filluar punën në një lokal të ushqimit social në një nga rrethet e mëdha të vendit.Megjithese kishte filluar punë ai nuk shkonte në arken e ndermarjres për të marrë rrogen pasi ai fitonte në ditë sa dy rroga mujore. Në bazë të rregullave të asaj kohe, nese paga nuk merrej brenda pak ditesh arketohej dhe më pas merrej me mandat arketimi. Banakieri nuk paraqitej, ndersa arketarja vazhdonte të arketonte paratë. Kur u bënë shumë muaj, arketarja shkoi e takoi banakierin në vendin e punës dhe i tha që të shkonte të merrte rrogën pasi kishte muaj pa e marrë.Në atë moment banakieri ka pyetur i habitur arketaren e ndermarrjes:”Pse edhe ne banakierët paskemi rrogë…?”.
Kjo barcoletë për banakierët në komunizëm vlen edhe për punonjësit e sistemit të drejtësisë në demokraci.Halimi i Drejtësisë i ka rënë trup(shkurt) duke argumentuar se rritja e pagave do të ulte korrupsionin.
Por Shqipëria është një vend i vogël dhe secili është i informuar për cilësinë e jetës, pasuritë e patundshme, automjetet e shtepitë luksoze,vilat e apartamentet në bregdet, udhetimet për uikend jashtë Shqipërisë të punonjësve të sistemit të drejtësisë.Të gjitha këto nuk mund të ndertohen me pagë, qoftë edhe e rritur tash së fundmi. Ata kanë prona, restorante deri edhe resorte turistike.
Vendimi i parlamentit për rritjen e pagave të sistemit të drejtësisë nuk do të ndikojë aspak në uljen e korrupsionit në këtë sistem. Shqetësimi im kryesor nuk është rritja e pagave të këtij sistemi, megjithese reagimi i publikut me këtë rast sidomos nga pensionistët, minatorët dhe grupet e tjera vulnerabël ka qenë i madh, por se politika në Shqipëri nuk po gjen “çelësin”për të luftuar korrupsionin në sistemin e drejtësisë: NDËSHKIMI!
Letër e nënshkruar: Bashkim Shala