Pagesa e ndihmës ekonomike rritet në 2018

Pranvera Kola

Përgjatë 2018-ës, pagesa e ndihmës ekonomike jo vetëm që do të pësojë rritje, por do të rishikohen edhe kriteret e përfitimit të saj. Konfirmimi është bërë gjatë ditës së djeshme nga vetë ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, teksa ka raportuar në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë buxhetin e vitit 2018. Ministrja ka deklaruar se do të rrisim dy herë pagesën e ndihmës ekonomike, duke e shtrirë skemën në të gjithë vendin nga 1 janari 2018-ës.

“Skema e re e ndihmës ekonomike do të eliminojë kriteret përjashtuese, do të lehtësojë dokumentacionin për qytetarët në nevojë, do të eliminojë ndihmën e pjesshme për 40 mijë familje të skemës së ndihmës ekonomike, duke rritur dyfish masën e pagesës së ndihmës ekonomike”, deklaroi ministrja Manastirliu.

I ndarë në dy fushat e aktivitetit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në buxhetin e 2018-ës, për shëndetësinë do të financohen 49 miliard e 294 milion lekë, ndërsa për mbrojtjen sociale do të financohen 23 miliardë e 785 milion e 750 mije lekë. Sa i takon investimeve në shëndetësi, Manastirliu theksoi se do të ketë dyfishim të tyre, duke financuar rreth 3 miliard lekë për përmirësimin e infrastrukturës në qendrat shëndetësore dhe spitalet në të gjithë vendin.

E pyetur lidhur me partneritetin publik-privat të kontrollit mjekësor bazë, ministrja u shpreh se çdo qeveri do të duhej ta garantonte këtë shërbim për popullatën e saj. Gjithashtu, ministrja ju përgjigj edhe interesimit të deputetëve për partneritetin publik privat të laboratorëve.

“Shërbimi i laboratorëve do të shtrihet gjatë vitit 2018 në 18 spitale të vendit nga të cilat 5 spitale universitare, 11 spitale rajonale dhe 2 spitale bashkiake atë të Sarandës dhe të Lushnjës. Do të kryhen 160 lloje analizash për të gjithë pacientët e shtruar dhe pacientët e referuar ambulatorë, duke ju kursyer shqiptarëve pagesat nga xhepi dhe duke rritur standartin dhe cilësinë e shërbimit laboratorik në spitalet tona publike”, vuri në dukje ministrja Manastirliu.

Gjatë dëgjesës në Komisionin e Ekonomisë në Kuvend, ministrja ka detajuar edhe investimet në përmirësimin e infrastrukturës, ku sipas saj vitin e ardhshëm do të financohet fillimi i punimeve për dy spitale të reja brenda QSUT-së, konkretisht për spitalin e sëmundjeve të brendshme dhe atë të Kirurgjisë së Përgjithshme. Krahas tyre, do të përfundojë ndërtimi i Maternitetit të Sarandës, rikonstruksioni i maternitetit të Korçës, spitalit të Pediatrisë në Durres, shërbimit të Urgjencës dhe imazherisë në Elbasan, si dhe një sërë ndërhyrjesh infrastrukturore, ku 260 milion lekë do t’i akordohen përmirësimit të infrastrukturës së 80 qendrave shëndetesore dhe ambulancave në të gjithë vendin. p.k/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *