Për të mos rrezikuar mbylljen e studimeve të vitit akademik 2021-2022 në kohë, studentët e të gjitha cikleve në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës duhet që të shlyejnë tarifën vjetore të shkollimit para nisjes së sezonit të provimeve të semestrit të dytë. Autoritetet e këtij institucioni të arsimit të lartë kanë detajuar tashmë tarifat që duhet të shlyejnë studentët që ndjekin programet e nivelit të parë “Bachelor”, si dhe ato të nivelit të dytë “Master profesional” dhe “Master shkencor”. Edhe për këtë vit akademik, për të dy ciklet e studimit do të aplikohet edhe reduktimi i tarifës vjetore të shkollimit deri në masën 50 për qind.
Sipas përcaktimeve të bëra, studentët që ndjekin një program të parë të ciklit “Bachelor” duhet të shlyejnë tarifën vjetore prej 35,000 lekësh, ndërsa ata që plotësojnë kushtet për të përfituar reduktimin e tarifës deri në masën 50 për qind, do të paguajnë vetëm 17,500 lekë. Për studentët që ndjekin një program të dytë studimi në këtë cikël, bëhet e ditur se tarifa e shkollimit që duhet të shlyejnë para nisjes së sezonit të provimeve është në masën e 70,000 lekëve. Ndryshe nga sa ndodh me studentët që ndjekin një program të parë, për këtë kategori studentësh nuk aplikohet reduktim i tarifës vjetore të shkollimit. Studentët që ndjekin programet e ciklit të dytë “Master profesional” me 90 kredite, viti studimor kushton 54,000 lekë, ndërsa për ata që ndjekin programet e këtij cikli me 120 kredite, tarifa që duhet të shlyejnë është 72,000 lekë. Edhe për këtë kategori do të aplikohet reduktim i tarifës vjetore deri në masën 50 për qind të kostos së përcaktuar për rastet kur ndiqen si program i parë. Ndërsa kandidatët që ndjekin programet e dyta të këtij cikli duhet të përballojnë vetë të plotë koston vjetore të studimit. Më tej në ciklin “Master shkencor” tarifat variojnë nga 105,000 lekë deri në 126,000 lekë. Në vijim të shkrimit do të gjeni të plota tarifat vjetore të shkollimit që duhet të shlyejnë studentët që ndjekin programet e studimit në të dy ciklet.
Për të bërë derdhjen e pagesës vjetore të shkollimit, kandidatët duhet të shkarkojnë online faturën përkatëse ku duhet të plotësojnë të dhënat nga vetë studenti (dega dhe viti i studimit). Më pas këtë faturë duhet që dorëzojnë në një nga bankat e nivelit të dytë, apo zyrat e Postës Shqiptare për të bërë edhe shlyerjen e pagesës së përcaktuar në secilin rast. Mandati i pagesës duhet dërguar sërish në sekretaritë mësimore të këtij fakulteti, ku dhe bëhet konfirmimi final i shlyerjes së tarifës së shkollimit. Studentët që nuk dorëzojnë këtë mandat para nisjes së sezonit, nuk do të mund të hyjnë në provime.
Programet e studimit të ciklit të parë synojnë të japin njohuri bazë mbi metoda e parime shkencore të përgjithshme dhe aftësi të caktuara në një larmi të gjerë profesionesh e specialitetesh. Këto programe si rregull realizohen, me 180 kredite europiane dhe kohëzgjatja normale e tyre është 3 vite akademike. Studentët që ndjekin këto programe mbështetur edhe në kriteret e vendosura në rregulloren e UT-së për notën mesatare, mund të diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome. Në përfundim të programeve të studimit të ciklit të parë, lëshohet diplomë universitare “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer.
Programet e studimit në ciklin e dytë organizohen në programe studimi “Master i Shkencave” ose “Master Profesional. Programet e studimit të ciklit të dytë në “Master i Shkencave” i pajisin të diplomuarit që zotërojnë diplomën universitare “Bachelor” me njohuri të thelluara shkencore teorike dhe praktike në drejtimin përkatës. Ky program mund të realizohet me 120 kredite me kohëzgjatje normale jo më pak se dy vite akademike. Këtu përfshihen 30-40 kredite për një projekt kërkimor, nën udhëheqje të kualifikuar, i cili përfundon me diplomë (mikrotezë). Në përfundim të programit të studimit të ciklit të dytë, lëshohet diplomë universitare “Master i Shkencave” në fushën e arsimimit të kryer. Po sipas kushteve të përcaktuara në ligjin për arsimin e lartë, programet e studimit “Master Profesional” u ofrojnë të diplomuarve me një diplomë të ciklit të parë njohuri me praktike profesional në drejtimin përkatës. Realizohen me 90 ose 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është një vit ose dy vite akademike. Studentët në këtë program, mbështetur në kriteret e vendosura në rregulloren e fakultetit për notën mesatare, mund të diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome.
Tarifat për studimet në ciklin e parë “Bachelor”:
- Tarifë shkollimi vjetore “Bachelor” programi i parë 35,000 lekë
- Tarifë shkollimi vjetore “Bachelor”programi i dytë 70,000 lekë
- Tarifë shkollimi vjetore “Bachelor” e reduktuar 50% 17,500 lekë
Tarifat për studimet në ciklin e dytë “Master shkencor”
- Tarifë shkollimi vjetore “Master shkencor”programi i parë 105000 lekë
- Tarifë shkollimi vjetore “Master shkencor”programi i dytë 126,000 lekë
- Tarifë shkollimi e reduktuar me 50% “Master shkencor”program i parë 52,500 lekë
Tarifat për studimet në ciklin e dytë “Master profesional”
- Tarifë shkollimi vjetore “Master profesional” 90 kredite programi i parë 54000 lekë
- Tarifë shkollimi vjetore Master profesional” 90 kredite programi i dytë 64 800 lekë
- Tarifë shkollimi e reduktuar me 50% Master profesional” 90 kredite programi i parë 27700 lekë
- Tarifë shkollimi vjetore Master profesional” 120 kredite programi i parë 72,000 lekë
- Tarifë shkollimi vjetore Master profesional” 120 kredite programi i dytë 86 400 lekë
- Tarifë shkollimi e reduktuar me 50% Master profesional” 120 kredite programi i parë 36,000 lekë
