Pagesat shtesë që i takojnë pensionit të reduktuar të invaliditetit

Pranvera Kola

 

Pranvera Kola- DITA 

Çdo individ që konfirmohet nga komisioni mjekësor në kushtet e invaliditetit të plotë, edhe në rastet kur nuk ka periudhën minimale të sigurimit të kërkuar, ka të drejtë që të përfitojë nga skema e pensioneve të invaliditeti, të cilat në këtë rast do të llogariten si përfitime të reduktuara.

Sipas ekspertëve të sigurimeve shoqërore, këtyre individëve u lind e drejta për pension invaliditeti të reduktuar në masën që rezulton nga raporti i periudhës së tij të sigurimit, me periudhën e duhur për pension të plotë invaliditeti. E drejta e përfitimit të këtij pensioni fillon direkt në përfundim të periudhës 6 mujore të trajtimit me raport mjekësor.

Në mënyrë të detajuar, ekspertët e sigurimeve shoqërore saktësojnë se kushtet e përfitimit të pensionit të invaliditetit të reduktuar fillojnë kur: “Personi ka humbur plotësisht aftësinë për punë, jo për shkak të një aksidenti në punë apo sëmundjes profesionale, kur konstatohet se nuk ka plotësuar periudhën minimale të sigurimit, e cila është në varësi të raportit të periudhës të sigurimit faktike me periudhën e sigurimit që i duhet për pensionin reduktuar të invaliditetit”.

E drejta për të përfituar pension të reduktuar invaliditeti fillon pas mbarimit të periudhës 6-mujore të trajtimit me raport mjekësor për paaftësi të përkohshme në punë. Duhet të dini gjithashtu se vlerësimi nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP) duhet të bëhet në muajin e pestë ose të gjashtë, para përfundimit të kësaj periudhe.

Të ardhurat shtesë për pensionet e invaliditetit
Përfituesit e kësaj pagese kanë të drejtë që të sigurojnë edhe të ardhura shtesë mbi pensionin e reduktuar të invaliditetit. Më konkretisht bëhet fjalë për dy lloje të ardhurash shtesë, të cilat i korrespondojnë nevojës për përkujdesje të vazhdueshme, si dhe rasteve kur konstatohet se përfituesit kanë fëmijë në ngarkim. Shtesat janë të ndryshme në secilin rast, por që nuk mund të shkojnë më shumë se sa 30 për qind.

E ardhura shtesë për përkujdesje
Sipas kushteve të përcaktuara në manualin e përgatitur nga ekspertët e sigurimeve shoqërore për përfitimet që mbulon kjo skemë, saktësohet se kur përfituesi i një pensioni të reduktuar të invaliditetit bëhet i paaftë dhe ka nevojë për një kujdesje të vazhdueshme nga një person tjetër, sipas përcaktimit të KMCAP-it, atij i jepet një pagesë shtesë. Kjo pagesë shtesë është sa 15 për qind e bazës së vlerësueshme neto.

E ardhura shtesë për fëmijët në ngarkim
Sa i takon kësaj të ardhure shtesë, bëhet me dije se një person i siguruar i paaftë, që merr pension invaliditeti të reduktuar, sipas nenit 35, të Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe ka fëmijë në ngarkim deri në moshën 18 vjeç, ose deri në moshën 25 vjeç kur vazhdon studimet e larta me shkëputje nga puna, do të marrë një të ardhur shtesë familjare për çdo fëmijë në masën 5 për qind të pensionit bazë. Por në asnjë rast kjo e ardhur shtesë që merre për fëmijët në ngarkim nuk mund të jetë më shumë se sa 30 për qind e pensionit bazë.

Masa e përfitimit të pensionit të invaliditetit
Masa mujore e pensionit të plotë të invaliditetit përbëhet nga pensioni bazë dhe nga një shtesë pensioni që llogaritet si pensioni i pleqërisë. Shuma bazë e pensionit iu jepet gjithë personave të siguruar. Shtesa që iu jepet personave të punësuar, është 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme neto, që i siguruari ka arritur nëpërmjet kontributeve gjatë gjithë historisë së tij kontributive.

Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se 75 për qind të pagës minimale neto në shkallë vendi. Masa mujore e pensionit të reduktuar të invaliditetit është e barabartë me masën e pensionit të reduktuar të invaliditetit të llogaritur sipas përcaktimit të detajuar më lart, e shumëzuar me raportin e viteve të periudhave të sigurimit, që janë periudhat e sigurimit që i duhen për pension të reduktuar të invaliditetit.

Për të përfituar pension invaliditeti të reduktuar, përfituesi ose i autorizuari me prokurë duhet të paraqitet në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore që mbulon vendbanimin e tij, për të bërë kërkesën e përfitimit të pensionit të invaliditetit. Përfituesi për pension invaliditeti ose i autorizuari me prokurë, së bashku me kërkesën duhet të paraqesë dhe dokumentet e kërkuara, të cilat i gjeni të detajuara në vijim të shkrimit.

 

Dokumentet që duhen për pensionin e reduktuar të invaliditetit

  1. Dokumentet që vërtetojnë moshën dhe identitetin:
  • Fotokopje e Kartës së identitetit.
  • Certifikatë e gjendjes familjare.
  • Certifikatë martese (vetëm për aplikueset femra).
  • Dy fotografi.
  1. Dokumentet që vërtetojnë periudhat e sigurimit dhe llojin e punës janë:
  • Libreza e punës.
  • Vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj.
  • Vendimi i emërimit në punë, si kuadër në ish-kooperativat bujqësore.
  • Vendim gjykate për njohje të vjetërsisë në punë(nëse periudha e punës nuk provohet me dokumente zyrtare).
  • Vërtetim-tip i vjetërsisë në punë për ushtarakët.
  • Fotokopje e noterizuar e diplomës së shkollës së lartë (kur kanë mbaruar studimet e larta,me shkëputje nga puna).
  1. Dokumentet që vërtetojnë të ardhurat e realizuara:
  • Vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut për periudhat e sigurimit që nga 01.01.1994 deri në momentin e shkëputjes nga puna, sipas formularit tip (nëse ka punuar dhe ka derdhur kontribute për periudhat pas datës 01.01.1994).
  • Çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton pagën ose derdhjen e periudhave kontributive.
  1. Dokumentet që vërtetojnë gjendjen shëndetësore:
  • Fletë-drejtimi për në KMCAP, lëshuar nga institucione shëndetësore me shtretër (spital) shoqëruar me fletë-dalje nga spitali, ekzaminime e dokumente të tjera plotësuese, të kërkuara kur del për herë të parë në KMCAP.
  • Fletë-drejtimi nga KML për ato gjendje shëndetësore, që nuk janë objekt trajtimi në spital, sipas përcaktimit në rregullore.
  • Epikrizë përcjellëse, lëshuar nga mjekë specialistë, apo konsulta e shoqëruar me ekzaminimet e nevojshme. Kur del për rikontroll duhet shoqëruar me ekzaminimet përkatëse zyrtare.
  • Kartela personale dhe libri i shëndetit për të vërtetuar ecurinë e sëmundjes, ndjekjen dhe trajtimin mjekësor me ilaçe.
  • Fletë-drejtimi për KMCAP, që vërteton rëndimin e gjendjes shëndetësore, e vlefshme për KMCAP, para afatit të rikontrollit.
  • Raport mjekësor lëshuar nga Komisioni Mjekësor, që përcakton gjendjen shëndetësore dhe aftësinë për punë (para fillimit të punësimit ose të përfshirjes në çdo skemë sigurimi).
  • Raport mjekësor i lirimit nga ushtria, lëshuar nga KMU pranë SQU, për ushtarët që bëhen invalidë gjatë shërbimit ushtarak.
  • Vërtetim për pagesën e paaftësisë për punë, shkaktuar nga një sëmundje e përgjithshme (për punëmarrësin).

 

p.k/dita 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *