Procesi për legalizimin e më shumë se 80 mijë ndërtimeve informale të pas vitit 2006 pritet që të nisë nga zbatimi pas datës 3 qershor, 15 ditë nga botimi që është bërë në fletroren zyrtare. Nga ky ligj, do të përfitojnë më së shumti ata që kanë ndërtuar shtesa pallatesh, ndërtesa mbi 5 kate apo banesa pranë akseve rrugore. Kushti kryesor për të përfituar legalizimin është që pronësia të mos jetë objekt i çështjeve gjyqësore, apo të mos këtë ndërrim pronësie apo trualli. Me hyrjen në fuqi të ligjit, të interesuarit do të duhet të paguajnë tarifën për legalizimin dhe më pas të përfitojnë edhe regjistrimin e objektit në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Në ndryshim nga i mëparshmi, ligji i ri përcakton se për rastet kur aplikuesi nuk paguan tarifën e legalizimit, atëherë prona do të regjistrohet në ZRPP në emër të Agjencisë së Legalizimeve, deri në momentin që do të bëhet shlyerja e detyrimeve financiare. Në ligjin e vjetër, për rastet e shtesave të pallateve, nëse njëri prej bashkëpronarëve të shtesës së pallatit nuk paguante, atëherë procesi pezullohej. Ndërkohë, që me ndryshimet e reja, procesi i legalizimit vijon për pronarët që paguajnë tarifën e legalizimit për shtesën e pallatit apo godinat në bashkëpronësi, duke mos penalizuar pjesën që shlyen detyrimet.
Ndryshimet në ligj
Në nenin 2 bëhen këto ndryshime:
1. Në pikën 1 pas paragrafit të parë shtohet një paragraf me këtë përmbajtje: “Në ndryshim nga kushti i përcaktuar në paragrafin e parë të kësaj pike, ky ligj mund të zbatohet për objektet e ndërtuara pa leje, të ngritura pas datës së hyrjes në fuqi të ligjit, vetëm në rast se për to procedura e legalizimit nuk kërkon kalim pronësie mbi truallin.”.
2. Pika 4/2 ndryshohet si më poshtë:
“4/2. Fusha e zbatimit të këtij ligji nuk shtrihet për ndërtimet informale të ngritura pranë akseve rrugore, në përputhje me distancat e përcaktuara në ligjin nr. 8378, datë 22.7.1998 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe në aktet nënligjore në zbatim të tij”. Subjektet, që posedojnë ndërtime pa leje/shtesa informale në objekte me leje, të ngritura pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, duhet të paraqesin pranë drejtorive të ALUIZNI-t, brenda 45 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, kërkesë për legalizim, sipas formularit tip të miratuar nga Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t.”.
