Drita Lazri
Ajo është njëra nga ato të veçantat, nga ato modelet e arsimit fillor, aq të rralla e që tani mbase I mungojnë edhe më fort arsimit shkollor,është mësuese Andromaqit, e cila është ndarë nga jeta pak muaj më parë.
Sot, më 7 Mars, asaj nuk do t’i kish reshtur zilja e telefonit apo e derës .Do ta kujtonin ish nxënësit, prindërit, kolegët ashtu I ndodhte mësueses në këtë ditë. Ajo kish dalë në pension. E imagjinoni? Gati 40 vjet në pension! Por zysh Andromaqin nxënësit e saj, tanimë burra e gra do ta kujtonin enkas në këtë ditë kudo që të ndodheshin; madje edhe peruania Elena R. do ta kujtonte me mesazh nga Andet.. Ditën e mësuesit po se po , por do ta ftonin, në martesat e tyre e në ngjarje familjare, ndonjë takim shokësh. ( Fotot e këtyre takimeve ajo i ruante me nostalgji).
Mësuese Andromaqi kishte dalë në pension, që më 1980, por nuk qe mësuar të rrinte duarlidhur, mëndja i rrinte te nxënësit e te problemet e shkollës dhe… punonte. Në shkollën e saj 11 Janari (sot “Edith Durham”) e ftonin të zhvillonte mësime të hapura, merrte pjesë në mbledhje për çështje të metodikës së mësimit apo edukimit. Mësueset e reja I vinin në shtëpi për t’i kërkuar ndihmë si ta ndërtonin këtë apo atë orë mësimi të vështirë, çka nuk ua kurseu kurrë. Edhe fëmijët e mëhallës kur i gjente me dobësi në gjuhë e matematikë! Një vogëlushe e ndihu të forcohej në gjuhë deri në klasën e gjashtë, deri kur mësuesen e lanë fuqitë. E ç’farë nuk bëri ajo gjatë pensionit! Shkroi dhe dy libra, ndoqi me vëmendje aktualitetin, e intensifikoi leximin e letërsisë artistike. Thuri edhe triko. Qepi edhe në makinën qepëse!….Rriti e edukoi më së miri bir e bijë
Këto janë shkurtimisht çfarë ka bërë gjatë pensionit, kur të tjerët ëndërrojnë il dolce far’niente, qejfin e të bërit asgjë; këto i dëshmojnë ata që në një mënyrë apo ose në një tjetër kanë pasur të bëjnë me të.
Sa për vitet e punës në shkollë mund të dëshmojë çdo mësues që punoi me të,le që ajo rrëfen e rrëfehet vetë me hollësi në librat e saj: “Për ju prindër, për ju mësues” dhe “Kujtimet e mësueses Andromaqi”
Kjo mësuese idealiste, kjo grua e jashtëzakonshme, I ishte përkushtuar tërësisht arsimit, me shpirt, pa pretenduar asgjë për vete. ngjante me ato pak maja që nuk I arrin kushdo. Ishin vetë rrethanat e jetës s pleksur të tilla që e çuan natyrshëm tek vokacioni I mësuesisë.
Andromaqi lindi në Nivan të Zagorisë, fshat i dëgjuar për banorët arsimdashës e për mësuesit e shumtë që i ka nxjerrë në shpërpjesëtim me popullsinë e vet të kufizuar. Shkollën e parë 7vjecare të Nivanit e kish themeluar rilindasi Mihal Harito nga fisi i saj qysh ne vitet70-të të sh.xIx,me mbështetjen e gjithë popullsisë. Historitë për atë shkollë Andromaqi i kish dëgjuar nga goja e të gjyshit, Jani Levanit. I pati rrëfyer ai për të kushëririn dhe shokun e bankës A.Z. Çajupin,për miqësinë midis tyre me letra, edhe kur Çajupi jetonte na Aleksandri ( më vonë këto letra të poetit gjysh Jani ia dorëzoi prof. Dh. Shuteriqit).

I gjithë rrethi i saj familjar qe i shkolluar, madje edhe grate lexonin libra. Shkollimi I fëmijëve qe tema e dites në familje. Në muajt e parë të vitit 1945, me t’u hapur shkollat vajzën e nis familja në Elbasan. Ku kish vend më të mire për t’u shkolluar sesa në Elbasan te dajo Vasilit? ( Vasil Levani, gjykatës atje) Shkolla Pedagogjike, ajo vatër për pregatitjen e mësuesve ishte me famë në gjithë vendin. Mësuesit e saj ishin personalitete të arsimit kombëtar(Simon Shuteriqi,Aleksander Xhuvani, Kostaq Cipo, S. Paparisto.,etj.etj). Lufta sapo kish mbaruar, në Elbasan dhe në gjithë Shqipërinë zotëronte një atmosferë gazmimi mbarëpopullor. Vajzat e shkollës ishin të vetëdijshme për barrën e rëndë që i priste në vite. Ato çupa, akoma adoleshente, iu futën me zell studimit, me libra të pakta, me vështirësitë e pasluftës; iu futën rrugës së formimit si edukatore e si atdhetare sipas porosive të dhëna me gojë nga vetë modelet e atdhetarizmit, nga goja e mësuesve të famshëm patriotë të Elbasanit.
Me 1949 ato vajza 19 vjeçare me idealizmin që frymëzonte brezin e kohës marrin dëshminë e mësuesisë. Ishte ky kontingjenti I parë I mësuesve të pasluftës. Ato ndiheshin të lumtura që do t’I shërbenin atdheut, ato ndiheshin si “Afërdita” e S. Spases.
Andromaqi Harito emërohet në fshatin Lukovë, rrethi Sarandë dhe niset fill. Këto dy vite I ka kanë lënë asaj mbresat të forta, më të gjalla të jetës. Mbeti e magjepsur nga bukuria e fshatit, nga ngrohtësia me të cilën e pritën lukoviotët, (mësuese femra kishin qenë vetëm dy). Shpejt I ranë në sy virtytet e banorëve, :të zotët në punë, të etur për arsim e kulturë. Djemtë I nisnin për të vazhduar shkollën ku të mundnin, deri në Shkodër madje.. Bënin jetese të qytetëruar, shtëpitë të mobiluara gati si në qytet. Fëmijët vinin në shkollë me qejf, të veshur pastër, ishin të sjellshëm e sidomos ndienin respekt të thellë për mësuesit.
Dhe mësuesja e re i vihet punës për t’u miqësuar me fëmijët, për ta bërë sa më tërheqës mësimin, Në orët e mbrëmjes ajo merr përsipër të drejtojë kursin kundër analfabetizmit ku kishte vetëm gra dhe një I vetëm burrë – cobani I fshatit .Këtij, për t’ia bërë të lehtë ‘sikletin’ e shkronjave, kompromis me klasën ky, i lejohej në fund të mësimit t’i bintë fyellit! Të bën përshtypje për atë moshë aq të re interesimi I gjallë I mësueses, kureshtja për të njohur doket e zakonet e vendit, kureshtja për të vrojtuar veçoritë e të folmes së Lukovës, shënimet që mban për fjalët e urta, admirimin që tregon për këngët polifonike duke i krahasuar me ato të zones së Himarës. Ajo ndihet si pjesëtare e bashkësisë së tyre, por edhe ata e deshën si bijën e vet.
Aq e deshën,aq e vlerësuan Andromaqin, sa më vonë, kur përcillnin vajzat per në shkolla të tjera, I uronin ”të bënesh si Maqe Haritja!
Pesë vjet në Sarandë në shkollën e re 7-vjeçare Adem Sheme .
Aty ra në një kolektiv rinor të formuar rishtas me gjallërinë dhe optimizmin e moshës. Drejtor i shkollës ishte Fejzo Mehmeti’ figurë e njohur gjerësisht dhe e respektuar. Burrë i mënçur, I ditur, autoritar që e trajtonte ekipin pedagogjik si një familje të madhe, duke I bërë kështu mësuesit të punonin me pasion.
Mësuesen e re shpejt e emëruan zv. drejtore dhe i dhanë lëndën e gjuhës, në klasën e shtatë, ndaj ajo u ngut të regjistrohej me korrespondencë në Institutin Pedagogjik dyvjeçar. Në këtë shkollë I jepej shumë rëndësi edhe problemit të edukimit, çdo shpërfillje sado e vogël në drejtim të edukimit do t’I kushtojë shoqërisë rëndë, u thoshte drejtori mësuesve. Andromaqi këtu fitoi përvojë të madhe e siguri në punën e saj. Pati nxitje të fortë për të shtuar bashkëpunimin me gazetat dhe revistat arsimore. Mësueseve të gjuhës, përsëriste me ngulm drejtori, u takon para të tjerëve ta japin përvojën e tyre me anë të shtypit.
Në Tiranë, Andromaqi Harito Jorgji tanimë, emërohet në shkollën “11 Janari”(Edith Durham”), ku ajo ‘ngulet’ plot 24 vjet, Mësuesja, si figurë e njohur, u prit me shumë respekt nga i gjithë kolektivi . Dihet, aty qenë mësues të zgjedhur, për një shkollë të zgjedhur. E caktuan në klasën më të madhe të cilës mësuesit I shmangeshin, me 47 nxënës e me ca telashe disipline. Ajo e mori klasën dhe nuk pati probleme, qenë fëmijë të edukuar, nuk i nxorën kurrë shqetësime, se I trajtoi të gjithë njëlloj, pa bërë bërë dallime midis fëmijëve.
Mësuesja vuri re me kënaqësi se në mbledhjet e këshillit pedagogjik nuk kishte formalizëm. Drejtoresha Sila I raportonte çështjet me paanësi e takt. Këto mbledhje priteshin me kënaqësi nga kolegët, ku secila mësuese gjente veten me të mirat dhe dobësitë e saj. Nuk I ngjante praktikës së përhapur me dy lista të kundërta e të përhershme, ku njëra kishte të fiksuar të mirët e tjetra gozhdonte të dobëtit.
Mësueses I kish rënë në sy se shoqet e saj u trembeshin ekipeve të kontrollit. Po pse, e vriste mendjen ajo. Dhe u bind se, kur ato ekipe nxirrnin përfundimet prej kontrollit, të linin përshtypjen sikur qëllimi I tyre ishte t’i shtinin ndjenjën e fajit mësuesit duke e kapur në gabime. Kontrollet duhen shoqëruar me ndihmë, kontrolluesi duhet ta kurajojë të mirën dhe t’i presë rrugën të keqes. Ajo është e sigurt se takti pedagogjik është mjeti më I mire për mbarëvajtjen në shkollë. “Përgëzoje kolegun në grup, por qortoje veçmas”!Kjo ishte deviza e saj, që i është përmbajtur gjatë gjithë jetës.
Të shumta janë problemet shoqërore e arsimore që ajo I ka trajtuar e ndarë me botën e shkollës . I ka ndarë me passion praj qytetari e atdhetari , por me modesti shembullore. Një peng I saj tashti na tingëllon si amanet:
Prindër, mësues, shtojuani fëmijëve dashurinë për librin.

Respekt per zysh Andromaqin, mesuesen e fillores se shoqeve te Mia. Une bera tetevjecaren ne 11 Janari.
Respekt per mamase e shoqes Dome, zysh Andromaqin.
Respekt dhe per Prof. Driten
Respekt per keto gra idealiste, te emancipuara dhe me kulture, qe na edukuan me dashuri per dije.
Perulem perpara figures se mesueses time model e te perkushtuar. Metodistes se pashoq ne profesioni e veshtire te mesimdhenies. Respekt pa fund per zysh Andromaqi Harito (Jorgji)
Nuk ka nje tjeter si Andromaqi, me e mira nder mesuesit me te mire qe ekzistonin. Do te jetoje aq sa te jetoje nxenesi i fundit i formuar prej saj. Pa dyshim.