Pak fjalë për Kiço Blushin

Ornela

Albert Shala 

(Miqësia është nje shpirt i vetëm që banon në dy trupa-  Aristoteli)                     

Çdokush që ikën nga kjo botë lë pas shumëçka, lë familje, lë femijë, lë shokë e miq, lë vepra e emrin e tij. Këpucari mbahet mend për këpucët që ka bërë, furrtari për bukën e ngrohtë, artisti i skenës për rolet që ka luajtur e të tjerë e të tjerë, qoftë edhe gënjeshtari a mburracaku për çfarë kanë lënë pas.

Shoku ynë Kiço Blushi që u nda nga jeta ditët e fundit, mbahet mend si një shkrimtar e publicist me vlera të spikatura, prandaj edhe humbja e tij u përcoll me shumë emocion nga të njohur e të panjohur.

Si shok i tij i vjetër, u përpoqa të mbledh disa copëza jete, kujtime e refleksione, që mund të çmohen si ana me pak e dukshme e jetës së thjeshtë që ai bënte, mbasi ai ka jetuar e punuar gjithnjë si një krijues shumë prodhimtar por larg zhurmës e bujës.

 

1.

Kiçoja ishte shembull i krijuesit te angazhuar në shërbim të Atdheut e të popullit. Që herët, kur ishte student në fillim të viteve 60-te, ai nisi të botojë në shtypin e ditës. Sot mbase pakkush mund të kujtojë një shkrim të tij  lidhur me “Mësonjëtoren” e mirënjohur ne Korçë. Kiçoja student, në verën e vitit të largët 1965 shkoi në vendlindje dhe atje mësoi që ishte në projekt të prishej ndërtesa e kësaj shkolle me emër. Nuk e kujtoi nëse ai i ka bërë klasat e fillores aty apo jo, por shkrimi i tij në gazetën “Zëri i rinisë”, ku gjetën mbështetje thuajse të gjithë krijuesit e rinj të atyre viteve nga i paharruari Dhimitër Verli, kryeredaktor i saj, u bë shkak që të shpëtojë pa u prishur ky monument i rëndësishëm i arsimit kombëtar.

Kiçoja e nisi rrugën e krijimtarisë artistike si poet.  I vetmi vëllim i tij poetik mban titullin “Mirëmëngjes”, ku mund të veçohen plot ndjeshmëri të tij me shumë vërtetësi e figuracion të natyrshëm si i ri që ishte. Por është rasti të kujtoj që Shqipëria kishte hyrë në procesin e gjerë të elektrifikimit në gjithë vendin dhe në një impresion nga Kruja në një mbremje,  shkruante pak a shume këto rreshta: Gjergj, mos u shqetëso, /nuk janë turqit që po vijnë nga andej poshtë,/ janë dritat e Fushë Krujës… Në atë kohë Kiçoja punonte në redaksinë e kulturës në Radio Tirana. Shumë nga emisionet e programit shumë të njohur “Heroizmi i popullit tonë në shekuj”, një ndër më të pëlqyerit e atyre kohëve kur radio ndiqej me shumë pasion deri në fshatrat më të thellë, mbajnë firmën e tij, krahas shkrimtarit të njohur Ruzhdi Pulaha. Më pas, kur vendi kishte hyrë në një fazë të re të emancipimit të jetës, në të cilin një vend të merituar zinte gruaja dhe vajza shqiptare, ai shkroi dramën “Lezja”, kushtuar shoferes së parë grua në një nga rrethet e veriut, që u mirëprit për mesazhin që përcillte krahas lojës bindëse të trupës së Teatrit popullor.

Sot mund të duket e çuditshme për ndokënd, por e vërteta është që në veprën e tij thuajse kanë qenë të panjohura terma të tilla si socializmi, revolucioni, partia. Duket si e pashembullt kjo, kur thuajse për të gjithë krijimtarinë e viteve të diktaturës të secilit autor thuhej, dhe kjo ishte mëse e vërtetë, që punohej e duhej të punohej nën siglën e të quajturit “realizëm socialist”. Por ja që Kiço, dhe jo vetëm ai, nuk bëri pjesë në këtë takëm krijuesish, gjë që e shprehin më së miri edhe dekonsideratat e raporteve sterotipe të shefave të viteve 70-te ku ai përmendet nën lupën e kritikës për të meta ideore në veprën e tij pas goditjeve që mori arti e kultura në mesin e atyre viteve.

Kiçoja ka ditur të mbijetojë falë telentit të tij, dashurisë për popullin e thjeshtë dhe atakimit të problemeve të mprehta që përcillte bota shqiptare. Pasionant sidomos ai është për temat historike , duke krijuar vepra shumë të arrira për figura të tilla si Ali Pashë Tepelena, Papa Kristo Negovani, Shote e Azem Galica e plot figura të tjera të shquara të kombit.

Ai prej kohësh është konsideruar si skenaristi më i mirë në historinë e Kinostudios “Shqipëria e re”, organizëm ky që do të mbetet një monument kulture për çfare ka bërë për emancipimin e shoqërisë shqiptare në gjysmën e dyte të shekullit që shkoi. Me këtë rast me të drejtë kujtohen tre nga filmat e tij më të mirë, më të njohur, më të bukur, “Nëntori dytë”, “Koncert në vitin 1936” dhe “Beni ecën vetë”, vepra këto që për rastësi mund të bëjnë një triptik kinematografik, sepse rrokin një periudhë thuajse shekullore të jetës shqiptare, me dertet e gëzimet e saj. Por me rastin e largimit të tij nga kjo botë, s’ka se si të mos na kujtohet se si u ngrit një furtunë e kotë para disa muajve kundër filmit të krijuar në vitet e diktaturës komuniste, duke shkuar këmbëngulurazi deri te kërkesa absurde për ndalimin e shfaqjes së tij. Natyrshëm ky atak ishte i gabuar, antidemokratik e antihistorik, sepse nuk ishte kjo rruga për t’u ndarë nga komunizmi,  përkundrazi, madje mund t’i nxitë njerëzit që të shohin me sy kritik e njëkohësisht edhe më me kthjelltësi që edhe në atë kohë janë krijuar vlera shumë të mira, që i bëjnë nder vendit, popullit, artit e kulturës sonë në përgjithësi. Tani,  po të mendojmë për një çast sikur të hiqeshin nga transmetimi vetëm ato tre filma, skenarët e të cilëve dolën nga dora e Kiço Blushit, nga 14 filmat artistikë e plot dokumentaret që ka realizuar ai, pra vetëm ato tre, a nuk do të ishte tejet e mangët gjithë kinematografia jonë?

2.

Dikur, në fund të viteve 60-të, një grup zboristësh diku në periferi të Tiranës ishin ngritur nga gjumi me një urdher pasmesnate për të bërë një marrshim në malin e Dajtit. Ishte koha kur botën e kishte pushtuar një garë e çmendur armatimesh e me shumë shpenzime mes dy fuqive më të mëdha të botes- Shteteve të Bashkuara dhe ish-Bashkimit Sovjetik, garë deri për pushtimin e hapësirës, me programet e tyre shumë të kushtueshme, njëri i mbiquajtur Apollo dhe tjetri Sajuz. Në mes dy të rinjve në atë grup, si për të trembur rraskapitjen e ecjen kuturu nga pagjumësia, nisi një bisedë e kotë se kush nga ata dy programe të dy vendeve,- njeri quhej imperializëm dhe tjetri social-imperializëm-, ishte më i miri. Lavdërohej kështu, pra, ashiqare armiku, e jo një, por dy, dhe më të mëdhenjtë e më të rrezikshmit sipas frymës së kohës për vendin tonë të vogël. Debati ishte krejt spontan, por jo pa pasion, deri me zë të lartë që çante hapësirën nëpër natë. Një mesoburrë i sapo ardhur për të bërë zborin në këtë grup, u thotë dy të rinjve: Pushoni! E di se çfarë ju bëj? Njëri nga të rinjtë i kthehet me një fjalë të rënde fyese, që vendosi në çast heshtjen, por nuk e zgjidhi problemin. Dhe ditën që këta zboristë do të shkonin në shtëpi, u provokua një mbledhje e grupit ku kërkohej të fliste secili dhe të dilte përgjegjësia e dy të rinjve për këtë qëndrim të rrezikshëm politik e mbase me pasoja shumë të rënda për ta. Ai mesoburrë thuajse i panjohur ishte punonjës i vjetër i KQ të Partisë në pushtet. Por ndërhyrja e regjisorit të mirënjohur Kujtim Spahivogli, zborist në atë grup, i vuri pikën diskutimit. Ju, iu drejtua ai më të moshuarit, ndërhytë pa takt, deshët të imponoheshit, kur me qetësi mund të përfshiheshit në këtë bisedë absurde me synimin që të mbyllej, prandaj morët atë fyerje të rëndë mbi kurriz. Ndonëse jeni më i moshuar se ne, në këtë kolektiv jeni më i riu, dhe këtu të gjithë kemi ardhur jo për të ngritur dyshime se kush e do më shume atdheun e kush e lufton më mirë armikun, e për më tepër për të zbuluar se cili mes nesh bën propagandën e armikut, por për të mësuar se si mund të luftohet ai nëse përpiqet të na godasë. Përderisa nuk ju takonte të flisnit me atë gjuhë, tërhiqeni atë urdhër kërcënues që dhatë, sepse s’keni ardhur këtu për të dhënë urdhera, por për t’u stërvitur për mbrojtjen e atdheut, dhe me siguri shoku më i ri se ju do t’ju kërkojë të falur.

Sa i butë e i dashur ishte me të gjithë, aq autoritar u tregua në atë rast Kujtimi, artisti i paharruar i skenës dhe ekranit, aktori e regjisori pasionant, pedagogu i talentuar, njeriu që kishte cilësinë e vyer e krejt të veçantë të behej mik me cilindo që me takimin e parë. Së bashku me Kiçon ishim dy më të rinjtë në atë grup.

Vjet kur kishin kaluar 30 vjet nga vdekja e Kujtimit, rastësisht Kiçoja e kujtoi imtësisht atë ngjarje. Atij i kishte mbetur peng që nuk kishte shkruar për Kujtimin, siç kishte bërë për shokun e tij të fëminisë, aktorin e mirënjohur që iku shpejt nga jeta, Vangjush Furxhi, dhe tha vetëm që Kujtimi meriton njohje e mirënjohje. E kujtoj këtë bisedë ngaqë nuk mbaj mend të ketë shtjelluar në takimet tona një temë që e mbërthente e për të cilën donte ta shkruante, sepse çdo ide e çdo fjalë e mbante brenda vetes, siç mbahet akoma pa u rritur një foshnjë në pelena. Nuk e di nëse e realizoi a jo dëshirën që të shkruante për K. Spahivoglin, ngaqë sëmundja prej shume muajsh po e mposhte pak e nga pak. Por di që ai ka lënë jo pak tregime, disa të botuara, dhe jam i bindur që një ditë ato do të shkojnë në dorën e lexuesit.

3.

Tashti jemi familjarizuar kaq shumë me një term të politikes se ditës, sic është ai “dumbabistët”,  sa nuk kërkon askush të shfletojë e kërkojë të dijë se si e kur lindi kjo fjalë e re, ky neologjizëm, kjo kompozitë, për të mos thënë që mendohet naivisht që ajo fjalë na vjen nga atmosfera sociale e politike e fillimit të shekullit që shkoi në Shqipërinë tonë të sapo dalë nga pushtimi shumëshekullor osman.

Por e vërteta është tjetër. Atë fjalë e krijoi politikani e publicisti Kiço Blushi në një nga shkrimet e tij në shtypin e viteve 2000. Dhe ai formulim zuri kaq mirë vend në ndërgjegjen e njerëzve, që shikonin te politikanët tanë të postdiktaturës praktika e sjellje prej figurash të tejkaluara nga koha, anadollake e të prapambetur e antikombëtare si Haxhi Qamili, saqë kjo fjalë hyri e vazhdon të përdoret natyrshëm në zhargonin e ditës për të stigmatizuar një njeri, sidomos një politikan që me sjelljet e mendësitë e tij kërkon që të kthehemi jo një vit a një dekadë pas, por më shumë se njëqind vjet, kur u ngjiz Shqipëria.

Ndërkohë, në publicistikën e Kiços mes rreshtave kushdo mund të lexonte që Shqipëria s’ka patur në vitet e demokracisë politikanë të mirëfilltë të majtë e të djathtë, por vetëm njerëz që i kanë hyrë politikës ndershmërisht e të tjerë që e kanë përdorur atë si lopë për ta mjelur. Mbase ky ishte edhe shkaku që ai doli shpejt nga politika aktive, duke kontribuar me sa mundi me shkrimet e tij në evidentimin e vlerave që po instaloheshin dhe në kritikën e të metave e dobësive që viheshin re, sidomos në jetën sociale të vendit. Si vërtetim i çfarë themi, besojmë që Kiço Blushi ishte ndër autorët unikalë në qëndrimin kritik që ka mbajtur ndaj emrave të përveçëm e më shprehës të politikës gjatë këtyre 30 vjetëve të fundit. Në shkrimet e tij s’gjendeshin askund lajka e lustra, veç analizë e rreptë ballafaquar me realitetin, me të vërtetën. Ai me penën e tij të mprehur mirë as ka përtuar e as ngurruar që të godasë secilin politikan, kur ka qenë i bindur se është me të drejtën, se iksi a ypsiloni e ka mbushur kupën me shkeljet antiligjore, sidomos me shfaqjet e rënda të korrupsionit, me shkeljet e ligjit e nëpërkëmbjen e interesave të qytetarëve, qoftë i djathtë apo i majtë, pa bërë asnjëherë prokurorin a gjykatësin, por si interpret i opinionit të shëndoshë publik.

Kush si ai e ka kritikuar Sali Berishën, me emër e mbiemër, kur ky i fundit ishte në kulmin e pushtetit të tij apo edhe në opozitë, por duke e goditur në faqet e shtypit pa përdorur asnjë sharje, asnjë fyerje, pa asnjë insinuatë? Ndoshta askush. Kush e ka kritikuar Edi Ramën si ai, pa sharje, pa fyerje? Thuajse asnjë, saqë Rama asnjëherë nuk e mohoi që ishte mik i Kiços.

Përse Kiço ka mbajtur të tilla qëndrime, në kushtet kur askush nuk mund të thotë që ai ka rënë në prehrin e se djathtës a në prehrin e se majtës, sipas konjukturave të ditës? Sepse atij për të tilla qëndrime i fliste ndërgjegjja, formimi i tij, vështrimi i tij atdhetar. Mbi te gjitha ai kishte kurajon, gjë kjo shume e çmuar dhe që përbën një shtyllë të karakterit të tij prej analisti e politikani te paanshëm, që pa iu dridhur qerpiku, siç thotë fjala e popullit, vinte në teh të kritikes cilindo.

Për ta mbyllur këtë temë të raporteve të tij me politikën e politikanët më përfaqësues të viteve të postdiktaturës ka vlerë të sillet edhe ky shembull: Që herët, në vitet e pas 90-tës kalemxhinj të ndryshëm të nxitur nga interesa partiake janë marrë me Kiçon, për shembull, si e ku mbështeten raportet e tij me Fatos Nanon, dikur drejtues i PS dhe Kryeministër i vendit, ndonëse Kiçoja s’ka qenë asnjë ditë anëtar i kësaj partie, duke kërkuar ta bëjnë pis, duke sajuar që këto raporte janë pasojë e faktit që njerëz nga familja e Nanos ishin kushërinj me Dh. Shuteriqin, këtë personalitet të spikatur të letrave shqipe, e njëherësh vjehrri i Kiços. Sidomos u bë lejtmotiv i propagandës së djathtë kjo “lidhje pa lidhje” mes tyre kur djali i Kiços, Ben Blushi, gjithashtu politikan e shkrimtar i spikatur, u bë ministër e me vonë një ndër drejtuesit kryesorë të PS. Por bash në këtë kohë, Kiço ka bërë një përcaktim do të thonim unikal në publicistikën e kohës, kur duke parë se si putheshin, mbase për interesa okulte, dy armiq të dikurshëm, Nano me Berishën, e stigmatizoi F. Nanon  me këto fjalë: ai po sillet si …. nëpër brekë në politikën shqiptare. Kush e ka shprehur më qartë e më pa ekuivok, ndonëse do të thoja- jo pa keqardhje, këtë të vërtetë? Askush.

4.

Kiço është dalluar si një intelektual që kishte tipar të sjelljes së tij thjeshtësinë. Është e pamundur të sjellim shembuj, por ndonjë, megjithatë, mund të veçohet me që e kam përjetuar në shoqërinë e tij.

Një ditë duke pirë kafe na afrohet në tryezë një drejtues i njërës nga ato biçim organizatash e shoqatash që linden si kërpudhat pas shiut në vitet e pas 90-tës, që në jetën e përditshme i quajmë me emrin e përgjithshëm “shoqëri civile”.

Ai, një ish mësues në malësitë e veriut, na afrohet buzagaz, na jep dorën, meqë e njihja si bashkëpunëtor të shtypit, dhe pa marrë leje na ulet në tavolinë. E mori fjalë pa na thënë as si jeni e si shkoni.

Kam ndërmend, tha, që të organizoj në një nga televizionet një tryeze me personalitete të një lloji të veçantë, vetëm me përfaqësues të ” Familjeve të mëdha”, që kanë dhënë një kontribut të paçmuar që në ngjizjen e pavarësisë së atdheut e janë aktivë edhe sot e gjithë ditën me çfarë i japin politikës e qeverisjes, medias, jetës shoqërore e vendit. E kam fjalën për ju konkretisht, zoti Kiço, e sidomos për djalin tuaj.

Shoku im i mirë, disi si i ngrirë, ngriti supet. I ka pasë zët “përgjigjet e paguara”, siç thotë një fjalë, por pas pak si nën zë shqiptoi vetëm kaq: Ndoshta keni ngatërruar adresë, sepse babai im gjithë jetën shofer ka punuar.

Dhe pas pak qeshi, siç dinte të qeshte ai, me shpirt. Por ishte si e hidhur ajo e qeshur.

 

Share This Article
4 Comments
  • It does not happen often that you meet somebody from a total different culture and background. With whom you in less than no time have contact and a strong connection. The Dutch organisation Press Now send me to the North of Albania in order to focus on the media in that part of the country. Kiço Blushi was my guide. What a tremendous choice it was. Kiço knew every place, all the details and everyone knew him. To say it stronger: as soon as our car parked in a little Albanian town people went towards him in order to shake hands.
    Kiço was popular like a folk-tribune. In a humble way he told us about places where he was in a camp. He showed what was left of the Russian barracks on a little island. He spoke in a simple and plain language without any pathos. That week I learned more about Albania and the history than I learned from all the books by Ismail Kadare. Unfortunately I can’t read Albanian, so I was never able to read articles of Kiço in the Albanian press. I feel that as a great loss. Kiço was a great democrat always listening to relevant opinions never speaking up loud, never agressive, always moderate.
    We miss Kiço and shall remember him as a fantastic and dear Albanian.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *