(Rreth vëllimit poetik “MA GJENI NJE DIELL” të Edlira Llukaçajt)
SKENDER TEMALI
Mbyll së lexuari librin e një poeteshe të re, Edlira Llukaçaj dhe, si krijues më lind një dëshirë të hedh në letër mendimet rreth tij, të rreshtoj disa fjalë që s’duhen lënë pa thënë. Mbase ky veprim imi plotëson edhe atë të mjeshtrit të lirikës, mikut tim Petrit Ruka, i cili në parathënien e këtij vëllimi ka pohuar se duke e lexuar atë, nata i ishte bërë e bukur.
Poetesha e re emrin e ka Edlira. Mbase dhe rastësisht poezia e saj është e dlirë, e tejdukshme, me nerv, pasuruar me figura të pa kërkuara, hera-herës duke ecur me guxim dhe në shtigje teknike poetike të pashkelura ose pak të shkelura, ku brishtësia e ndjenjës bashkëjeton me mesazhin e frymën e kohës, larg disa poezive shabllone e që s’të zgjojnë asnjë ndjenjë estetike.
Kemi në një shumësi poezish që ngërthejnë 200 faqe libër ku shfaqet Edlira Llukaçaj, me një individualitet të spikatur, individualitet, që pa as më të voglin dyshim, do të vijë duke u pasuruar e kristalizuar.
Më ka ndodhur shpesh këto kohët e fundit që të kaloj nëpër duar shumë libra poetikë që më ngjanin si konviktorët dikur, thuajse identikë e ku kultura e të shkruarit as ka fare gjë të përbashkët me poezinë bashkëkohore. Diku kam hasur autorë rob të rimës po jo të ritmit, diku të metrit e diku tjetër të vargje të errëta, ku s’ka as imazh e as mesazh. Edlira e ka kapërcyer fillesën, e njeh poezinë. Ajo edhe pse shkruan në gegërisht e për të cilën unë që mendoj si gegë e shkruaj sipas standardit letrar kam rezervat e mia, arrin që të na imponohet jo vetëm ne, gegëve, por edhe autorit lab të parathënies, i cili nuk e lëshon një fjalë për një tjetër.
Çfarë e bën të veçantë poezinë e Llukaçajt? Kthjelltësia e mendimit, më së pari. S’ka poezi që nuk të bën të mendosh, që s’të krijon shtjella, që nuk është binjake e tjetrës që vjen pas. Ka risi në ndërtim e figuracion, ka vargje që të bëjnë t’u rikthehesh, se të rrëmben jo vetëm mendimi, por edhe gjuha poetike e shprehur. E si mund të mos u kthehesh vargjeve të tilla nga poezia “Nji shekull qët’pres”:
Nji shekull që t’pres!
Nepër kafe artistash vjedh fjalza
Me t’shpjegu ma bukur si pritet
E kafen e ftofun,
Vazhdoj e lodhun, e vetme me e pi.
Sorollatem peizazhesh,
Zhbiroj rrugë e shtigje
Që ndoshta m’sjellin te ti.
Pa e miklue aspak autoren, dua të pohoj se kozmosi i saj poetik është i pamatshëm, nepër rreshtat e poezive mund të ndërtosh nisje dhe mbërritje, një ragvim nëpër pore të jetës, një tis filozofik që i mbështjell e që hera-herës të bën të abstragosh për plus-minuset e të përditshmes e të ardhmënisë, për të zakonshmen e të jashtëzakonshmen, për të thjeshtën e të ndërlikuarën. Aty do të gjesh vajzën çapkëne që rrëzohet e çohet, që përgjërohet për prindërit, ku Rozafa e Shkodra me shkodranishten e saj i mëkojnë frymëzim, aty do të gjesh shumë ëndrra rinore e pikla vese nën diellin që ajo e kërkon dhe e gjen e që kush të mos ia prekë qiellin e saj greminave është e gatshme të shndërrohet në Argjiro. Një dashuri e humbur në këtë qerthull poetik e gjen rrugën e shpresës për ta gjetur, nuk të zgjon pesimizëm, edhe pse nga trajtesa optimizmi në atë vjershë për një moment të duket i arratisur, se siç dhe pohon në një varg të poezisë “Njisoj”:
Kam shpikë hartën
E dashnis s’amshueme
Kam xan mend
S’rrehem ma me dashni që perendojn
Sa herë dita mbaron
Vëllimi ka shumë, shumë dashuri. Çdo poezi kushtuar asaj të fut në një botë që kushdo e ka përjetuar se çdo të thotë dashuri, ripërtërihet, e beson, ndjen një afsh, krijon retrospektivë, siç krijova edhe unë pavarësisht moshës. Kjo dashuri të kujton enët komunikuese, e shprehur poetikisht nga Edlira:
Labirinte ku shpirti përplaset,
Shkon e vjen
Prej teje te un, prej meje te ti…
Cikli për Irisin jeton përmes ndjeshmërisë, përmes figuracionit, ku uni poetik zbret e ndriçon çdo skutë të shpirtit.
Një dukuri mjaft pozitive në këtë përmbledhje poetike unë do të klasifikoja sinqeritetin e vargut, spontaneitetin e ndjenjës e të figurës, të cilën shpesh edhe e bën fli për hir të mendimit e të mesazhit që do t’i përcjellë lexuesit. Kjo dukuri e bën atë të mos i ngjasë as këtij e as atij poeti a poeteshe, e shprehur ndryshe t’i ngjasë vetvetes, në regjistrin poetik ajo të ketë tingullin e saj.
Që në rrugën poetike Edlira nuk është rastësore, bindesh si ke mbyllë dhe faqen e fundit. As rastësore e as sipërfaqësore. Ardhja e saj në poezinë shqipe përbën risi. Qoftë edhe me një poezi, qoftë edhe me këtë vëllim.
UNË, BALLKANI DHE EUROPA
Ballkani – vullkani,
Homeri – Skenderi,
Ylberi, shtërngata,
Dhe dita e nata,
Dhe kripa e mjalta
Dhe pena e shpata!
Ballkani – zhegani,
Stuhia – kallkani,
Fuçi e barotit
Dhe pika e lotit.
Qyq mbeta me shekuj
Tek portë e Europës,
Porsi muhaxhir
Unë biri i Shkodrës,
I lashtë sa ç’është
Çdo bir i Romës.
Dhe për ty Europë
Gjëmova n’beteja,
Se kur Azia
T’afrohej si reja,
Kur përtej detit
Do t’ishe ti preja,
Mburojë t’u bëra,
T’mos binte n’ty ploja,
T’mos kishe at fat
Që pat dikur Troja!
Kush erdhi më la
T’zharitur, t’përgjakun,
Po n’shekuj Europa
S’ma dha mua hakun!
Se haku është gjaku,
Është praku, oxhaku,
Është fisi, është lisi
Është bari dhe plisi,
Është Drini dhe Buna,
Qeleshja dhe guna,
Është A-ja dhe B-ja,
Dhe S-ja dhe Zh-ja,
Buzuku, De Rada
Është pena dhe shpata!
Eca e eca
Mes territ e natës
Në shekuj kryelartë
Mbi tehun e shpatës,
Në shkallë të mjerimit
Që njohën veç zbritje,
Me zjarret e ndezur
Në treqind kryengritje!
I mbrapshti Ballkan,
I miri Ballkan,
E keqja, e mira
Na mblojnë me jorgan,
Në epin tënd
Përkundet gjith’ bota,
Ç’i dhe ti asaj
Krenohet Europa,
Por shpesh Shqipërinë
E la n’dorë të Zotit,
Fishtjanja e njohur
E bukura e motit!
Se t’pau deri vonë
Me syrin e njerkës!
Më ndau me vëllain,
Me vllain tim dardan,
Andej më ndau
Me vëllain tim çam,
Liqenin e Shkodrës
Ma ndau me shpatë,
M’i vrau agimet,
Më la vetëm natë!
Rrojta, s’u shova
Ashtu i përgjakur,
Me shpatë e me hutë,
Me flamur t’përflakur,
Një pllëmbë qiell
Një pllëmbë dhé,
I mbrojta me jetë
Se quhej atdhe!
U treta, por mbeta
N’shkëmbinjtë e thepisur,
Me ftyrën nga deti
E kokën në male,
Me hutën e mbushur
E torbën me halle!
Kaptova sa shekuj,
U enda mbi dete,
M’u shprish gjak i arbrit
Në pesë kontinente,
Një ditë të bukur
Në jetë nuk e pashë,
Ku vllezër e motra
Të mblidheshim bashkë.
Tek portë e Evropës
Kam ardhur, trokas,
Se jam europian
Asaj i përkas,
Kam flakur tej torbën,
At torbë lypsari,
Hej, bëjini zë,
Ka ardhur shqiptari!
Po s’jam i vetëm,
Me plot shtatqind breza,
Na prin Skenderbeu,
Na ndrin Nënë Tereza,
Luftarë, shkenctarë,
Puntorë, shkrimtarë,
Me duart e bardha
E zemrën si ar.
Kjo rrugë e Evropës
T’tatpjeta, t’përpjeta,
kjo rrugë e Evropës
e shtrenjtë sa jeta,
në shekuj e humba,
në shekuj e gjeta,
unë Arkimedi
që thirra Eureka!
Trokas e trokas,
Në der’ të Evropës,
I lashtë sa ajo
Unë biri i Shkodrës,
Trokas edhe pres
T’ma çelin ktë portë,
Të rrjedh
Ashtu vrullshëm
Si gjaku n’aortë.
Jetoj n’ Europë,
N’Ballkan jetojmë ne,
N’ktë tokë të stërlashtë
Që quhet atdhe,
Fuçinë e barotit
Që shekujt përgjaku,
E ruaj fort,
Ta çoj në muze.
Ballkan-djepi im,
Atdhe-varri im,
Ti s’shitesh as blihesh,
As ndahesh më dysh,
Tapi e përgjakur,
Me gjysh, katragjysh
Të dua pa pytur
Si edhe qysh.
Shqipëri e lashtë,
E lashtë sa bota,
Rrethuar me mite,
Stuhi edhe shqota,
Me rrënjë futur thellë
Ku nisin vargmalet,
Pranverën paç stinë,
Dhe shtrat paç petalet!

Kjo qenka fantastike,kisha kohe qe nuk perjetoja emocione nga poezite e sotme..Bravo..Suksese!!
Shume bukur ,
qe POETJA i eshte referuar temes Patriotike ,
ne kto vargje ,
duke prekur nervin e kohes ,
pikerishte ate qe i mungon aq shume asaj shoqerie
te shperbere ga cdo vlere
Urime Temalit qe promovon nje talent te ri ne poezi.