Materniteti “Mbretëresha Geraldinë” në kryeqytet shtohet më një paketë të re shërbimesh, e cila u vjen në ndihmë jo vetëm pacientëve që shtrohen në këtë strukturë shëndetësore, por edhe familjarëve që i vizitojnë. Falë mbështetjes së USAID-it, pranë këtij materniteti është inauguruar gjatë ditës së djeshme paketa e integruar e ndërhyrjeve, zbatimi i secilës vjen në kuadër të projektit “Mbështetje e Reformës në Shëndetësi”. Prezantimi i paketës së re të shërbimeve është bërë në praninë e ministrit të Shëndetësisë Halim Kosova, si dhe përfaqësuesve më të lartë të USAID-it. Sipas ministrit kjo paketë ripërcakton ndërlidhjen e pacientit dhe vizitorit me spitalin, duke përmirësuar shërbimin shëndetësor të ofruar. Konkretisht pjesë e kësaj pakete janë krijimi i një mjedisi më të mirë për pritjen e vizitorëve, duke shmangur kështu sorollatjet nëpër korridore apo hyrjet kuturu nëpër ambientet e spitalit. Paketa përfshin edhe pajiset e reja kompjuterike për mirëmenaxhimin e vizitorëve në spital.” Kjo do të sjellë një mirëmenaxhim të trafikut të vizitave, duke ndikuar direk në kontrollin e infeksioneve dhe do të siguronte dhe qetësinë e nevojshme për pacientët gjatë qëndrimit në spital. Falë kësaj pakete integruese i gjithë personeli i spitalit mban karta identifikuese me të dhëna personale dhe titullin e punës. Një detaj ky që e bën automatikisht më të aksesueshëm dhe më të përgjegjshëm ndaj pacientit”, ka bërë të ditur ministri Kosova. Sipas tij janë vendosur edhe kompjuterë personalë dhe printera në pavijonet e spitalit, për të lejuar futjen e të dhënave të pacientëve dhe printimin e informacionit nga personeli që tashmë është trajnuar në këtë aspekt. Projekti “Mbështetja e Reformës në Shëndetësi” është në vitin e tretë të zbatimit të tij. Ky projekt ka ofruar asistencë teknike për Ministrinë e Shëndetësisë dhe tre spitale publike ku bëjnë pjesë : Materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, Spitali Rajonal në Lezhë dhe Spitali Rajonal në Korçë.
psh a mund te me jepni nje numer kontakti ju lutem