Ndryshimet që priten të bëhen në disa ligje, nuk e ndihmojnë apo lehtësojnë procedurat dhe të bërit biznes në Shqipëri. Ministria e Financave ka përgatitur një paketë me disa ndryshime si procedurat e regjistrimit në QKR, kreditimi i biznesit të vogël, tarifat doganore për drurin dhe kafenë, shpenzimet e njohura për bonuset e deri te pesëfishimi i gjobave për punonjësit e pasiguruar dhe heqja e TVSH-së për fasonët.
Prezantimi i risive u bë nga zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj, në këshillin Konsultativ të Biznesit. Gjatë mbledhjes së këtij Këshilli, Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinasto, e konsideroi një paketë të plotë fiskale në ndihmë të biznesit, kurse Rushaj e cilësoi një hap më tej kundër evazionit fiskal dhe informalitetit, duke pasur parasysh ndryshimet në ligjin për procedurat tatimore sa i takon deklarimit të punonjësve.
Por nëse qeveria e konsideron këtë paketë si një ndihmë për zhvillimin e biznesit dhe ulje të evazionit fiskal, një mendim krejt të kundërt ndan biznesi. Kështu lidhur me aplikimin e nivelit të ri për gjobat në deklarimin e punonjësve, ka reaguar menjëherë komuniteti i biznesit me fason, sipas të cilit , 5 fishimi i gjobave do t’i falimentonte.
Sipas sipërmarrësve në vend këto politika e rëndojnë biznesin duke krijuar pabarazi midis shtetit dhe privatit.
Ministria e Financave ka harruar se cfarë do biznesi dhe nuk po e zbut klimën , por po e acaron më tepër me paragjykimet që i bën këtij komuniteti. Sipas tyre po ndiqet një poltikë paragjykuese ndaj biznesit, duke i cuar sipërmarrësit në rishikimin e mundësive të investimit të kapitaleve të tyre jashtë vendit.
Në fakt janë 6 ndryshime në projektligje, që drejtojnë një mori çështjesh, duke nisur me tarifat doganore të importit të kafesë së papjekur, e cila përpunohet në vend, me vendosjen e një tarife të re për eksportin e lëndëve të drurit, aplikimin e nivelit të ri për gjobat në deklarimin e punonjësve, procedurat e reja të regjistrimit në QKR për përfaqësuesit tatimorë, çregjistrimin e biznesit, modeli i ri dhe heqja e TVSH-së për fasonët. Këto ndryshime vijnë fill pas publikimit të raportit të Bankës Botërore “Doing Business 2013”, ku Shqipëria rezultoi se kishte bërë hapa mbrapa në klimën e biznesit, ndërsa në pjesën e “pagesës së taksave”, vendi ynë paraqitej dobët në raport me fqinjët.
Projektligjet që nuk pranon sipërmarrja
Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat”
Bonuset nuk njihen si shpenzime, ndryshon kreditimi dhe deklarata individuale
Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” ndryshon në disa nene të tij, të konsideruara nga Ministria e Financave si problematikë në trajtimin e shumë rasteve. Duke u ndalur te neni 21 “shpenzime të panjohura”, Ministria e Financave ka vendosur edhe shpenzimin për bonuset ndaj punonjësve për performancë të mirë. Më konkretisht, ministria propozon që shpenzimet për shpërblime apo bonuse që u janë paguar të punësuarve, përfshirë edhe administratorët, përveç pagës së tretë të dhënë në bazë të Kodit të Punës, që njiheshin si shpenzime të panjohura. “Nga kontrollet e ndryshme të ushtruara nga administrata tatimore në disa operatorë të rëndësishëm të ekonomisë, si dhe në pasqyrat financiare të tyre, evidentohen shuma të konsiderueshme të bonuseve apo shpërblimeve që u jepen të punësuarve, sidomos administratorëve të punësuar në këto kompani”, deklaron ministria. Sipas saj, bazuar në ligjin aktual, të tilla shpenzime njihen si shpenzime të zbritshme për efekt të përcaktimit të fitimit të tatueshëm, por për shkak të shumave të larta, ato ndikojnë ndjeshëm në uljen e masës së fitimit të tatueshëm. Pra, në fund të nenit 21 “Shpenzime të panjohura” shkronja o) ndryshohet me këtë përmbajtje. “Shpenzimet për shpërblime apo bonuse që u janë paguar të punësuarve, përfshirë edhe administratorët, përveç pagës së trembëdhjetë të dhënë në bazë të Kodit të Punës”.
Ligji “Për procedurat tatimore”
Pesëfish gjobat për mosdeklarim
Në nenin 4 të projektligjit propozohet që në nenin 114 “Mospagimi në afat i detyrimit tatimor apo i kontributit”, pas pikës 3, shtohet pika 4 me këtë përmbajtje: “Përjashtimit, dispozitat e këtij neni nuk aplikohen për rastet e institucioneve buxhetore të cilat vonesat në pagimin e detyrimeve tatimore dhe kontributeve i kanë bërë për shkak të vonesave në çeljen e fondeve buxhetore”. Ky ndryshim propozohet për të shmangur rëndesat me detyrime tatimore të institucioneve buxhetore, të cilat për shkak të vonesave në çeljen e fondeve buxhetore, ndodhen në paaftësi pagese, sipas afateve ligjore, të detyrimeve tatimore dhe kontributeve dhe padrejtësisht, për shkak të mungesës së dispozitave përjashtuese ligjore, penalizohen nga administrata tatimore me gjoba administrative të padrejta.
Ndërsa për shtetin ka lehtësi, për privatin shtohet barra e gjobave. Kështu, në nenin 5 të projektligjit propozohet që në nenin 119 “Mosdeklarimi i punonjësve” germat a) dhe b) ndryshojnë me këtë përmbajtje: tatimpaguesit e regjistruar si subjekte të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe tatimit mbi fitimin, gjobë prej 500 000 lekësh; tatimpaguesit e tjerë, gjobë prej 250 000 (dyqindepesëdhjetë mijë) lekësh.
Ligjet “Për tarifat doganore” dhe “Sistemin e taksave kombëtare”
Hiqet tarifa për kafenë e papjekur, vendoset për drurin
Ndryshimet në këtë projektligj synojnë bërjen 0% të tarifës doganore të kafesë së papjekur dhe synimi i këtij propozimi është ulja e kostove të lëndëve të para të industrisë së kafesë në vend.
Në bazë të ligjit nr. 61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë” produkti kafe e papjekur është produkt akcize me nivelin 30 lekë/kg, ndërsa kafeja produkt i gatshëm, kafe e pjekur, ka nivelin e akcizës 140 lekë/kg. Me ligjin e ri të akcizës dhe dispozitat zbatuese të këtij ligji, është përcaktuar skema e pagimit të akcizës së kafesë së pjekur, sipas të cilët janë përcaktuar që humbjet e përpunimit të kafesë së papjekur janë 19%.
Gjithashtu, në bazë të ligjit nr. 9981, datë 08.09.2008 “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore”, i ndryshuar, produkti kafe e papjekur ka nivelin 10% të tarifës doganore.
Ndryshime të rëndësishme janë marrë edhe në projektligjin e taksave kombëtare, ku propozohet vendosja e taksës mbi eksportet e lëndëve drusore. Vitet e fundit është rritur eksporti i lëndëve drusore nga Shqipëria. Sipas të dhënave të administratës doganore, kemi një rritje mbi 2.5 herë të sasisë së eksportuar të lëndëve drusore, duke krahasuar vitin 2011 me vitin 2008. Kjo rritje e eksporteve të të tilla produkteve po shqetëson autoritetet për arsye të humbjes së pasurisë sonë kombëtare siç janë lëndët drusore.
Vendosja e kësaj takse është bërë me kujdes nga ministria, për shkak të rrezikut të cenimit të marrëveshjes me OBT (Organizatën Botërore të Tregtisë). Me anëtarësimin tonë në OBT në vitin 2000 dhe me hyrjen në fuqi të MSA në vitin 2009, Shqipërisë i është ndaluar prezantimi i masave kufizuese në eksporte dhe aktualisht vendi ynë nuk aplikon kufizime në eksporte për asnjë produkt. Kjo taksë do të mblidhet nga Administrata Doganore në momentin e eksportimit. Në nenin 3 të projektligjit propozohet që agjenti tatimor i mbledhjes së kësaj takse do të jetë administrata doganore. Efektet financiare vjetore pozitive në të ardhurat e buxhetit të shtetit janë 235 milionë lekë. Mënyra e llogaritjes është aplikimi i masës së taksës 30% mbi vlerën statistikore të eksporteve të lëndëve për vitin 2011.
Ligji “Për sistemin e taksave vendore”
Taksa e biznesit të vogël i rikthehet Tatimeve
Në nenin 1 të projektligjit përcaktohet si agjent tatimor Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nëpërmjet drejtorive rajonale tatimore me mbledhjen, arkëtimin dhe transferimin në llogaritë e buxhetit të qeverisjes vendore, të të ardhurave nga taksa e biznesit të vogël.
Neni 2 i projektit përcakton procedurën e bashkëpunimit midis administratës tatimore vendore, subjekteve të biznesit të vogël dhe administratës tatimore qendrore për njoftimin e masës së taksës së biznesit të vogël. Me regjistrimin e biznesit në QKR, QKR i përcjell njoftim drejtorisë tatimore/strukturës përgjegjëse për tatimet, të bashkive dhe komunave, ku ka vendndodhjen biznesi për këtë regjistrim. Brenda datës 15 janar të vitit paraardhës, drejtoria tatimore/struktura përgjegjëse për tatimet, e bashkisë dhe komunës nxjerr Njoftim Vlerësimin për çdo biznes lidhur me taksën vjetore vendore të biznesit të vogël, e ndarë në katër këste vjetore, në bazë të qarkullimit vjetor të deklaruar nga biznesi. Biznesi mund të ankimojë këtë Njoftim Vlerësimi brenda 30 ditëve nga marrja e tij. Në rast se aktiviteti i biznesit hapet gjatë vitit fiskal, subjekti është i përjashtuar nga pagesa e taksës vendore të pushtetit vendor. Administrata tatimore, për shërbimin që kryen si agjent tatimor, merr një komision në masën 3 për qind. Taksë që më parë mblidhej nga pushteti lokal dhe në argumentin e ardhur për këtë ndryshim, kjo mënyrë nuk ka funksionuar si duhet.
Ligji “Për TVSH”
Kushte të reja për heqjen e TVSH-së të makinerive dhe pajisjeve
Synimi i këtij projektligji është përjashtimi nga pagesa e TVSH-se, në doganë, për importimin e makinerive dhe pajisjeve, në rast të investimeve me vlerë të konsiderueshme, në dhe mbi 50 milionë lekë. Por kjo është vetëm njëra anë, pasi jo detyrimisht të gjitha pajisjet që importohen shkojnë për investime dhe se autoritetet doganore duhet të kenë kujdes se skema mund të përdoret për qëllime përfitimi të shitjes së mallit në treg dhe jo për investime.
Ky propozim lidhet me uljen e kostove të investimeve të mëdha të cilat në momentin e parë të punimeve kanë investime të konsiderueshme në makineri dhe pajisje dhe përkatësisht TVSH e paguar për importet e tyre rrit me 20% koston e të tillë investimeve. Aktualisht, në nenin 26 “Importimi i mallrave” të ligjit nr. 7928, datë 27.04.1995, “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar” i ndryshuar, pagesa e TVSH-së në importin e makinerive dhe pajisjeve, pavarësisht nga vlera e investimit, shtyhet deri në një vit nga administrata doganore dhe në rast se cikli i investimit dhe fillimit të prodhimit është më i madh se një vit, subjektit, pas plotësimit të një seti dokumentacionesh, i akordohet një shtyrje e dytë me Autorizim nga ministri i Financave, deri në momentin e fillimit të prodhimit. Në momentin e fillimit të prodhimit, e gjithë TVSH e shtyrë në import, është e kreditueshme tek administrata tatimore, duke rritur në këtë mënyrë kërkesat dhe shumat për rimbursim nga kjo administratë. Në bazë të të dhënave të administratës doganore, për vitin 2011, TVSH e shtyrë në import për investime ka qenë 4 miliardë lekë.