Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miraton paketën fiskale pa votat e opozitës. Shehu: 5-fishimi i gjobave për biznesin, i parakohshëm
Edhe pse ka më shumë se një muaj që ndryshimet fiskale janë diskutuar dhe shfaqur për reflektime të mundshme nga biznesi, asnjë nga propozimet e sipërmarrësve nuk janë marrë në konsideratë nga qeveria. Kështu paketa fiskale ka ardhur pa ndryshime e pritshme dje në komisionin parlamentar të ekonomisë, ku ka hapur një debat të ri mazhorancë-opozitë. Debat që ka mbetur në tavolinë, pasi u miratuan në parim vetëm me votat e mazhorancës ndryshimet fiskale të propozuara nga qeveria.
Debatet në komision
Zv.ministri i Financave, Alfred Rushaj, gjatë prezantimit të paketës fiskale u shpreh se ndryshimet do të ndikojnë në lehtësimin e të bërit biznes për operatorët ekonomikë, si dhe do të bëjnë të mundur uljen e evazionit fiskal. Por, kjo është kundërshtuar nga deputetët e opozitës, sipas të cilëve ndryshimet ligjore nuk u adresohen dhe nuk mbrojnë bizneset apo qytetarët, si dhe s’kanë efekt pozitiv në buxhetin e shtetit Në fakt këto janë ndryshime në ligje të bëra publike pak kohë më parë dhe nga gazeta “Dita”, që drejtojnë një mori çështjesh, duke nisur me tarifat doganore të importit të kafesë së papjekur, e cila përpunohet në vend, aplikimin e nivelit të ri për gjobat në deklarimin e punonjësve, si dhe ndryshimet në tatimin mbi të ardhurat.
“Kjo në fakt nuk është paketë fiskale. Këto ndryshime janë minore. Qeveria vjen me gjobë 5-fish ndaj biznesit. Nuk ka llogjikë të jetë 5-fish aq më tepër që kemi një administratë tatimore të lëshuar nga zinxhirët e ligjit”, u shpreh deputeti socialist, Arben Ahmetaj dje në komision. Nga ana tjetër deputetët socialistë kërkuan dhe një herë heqjen e taksës mbi biznesin e vogël, pasi sipas tyre nga heqja e kësaj takse do të përfitonin rreth 166 mijë familje. Ndërsa maxhoranca u shpreh se heqja e kësaj takse nuk ka logjikë fiskale dhe nuk mund të zbatohet.
Një reagim të prerë kishte deputeti demokrat, Shrefedin Shehu, ku sipas të cilit ndryshimet e bëra në paketë janë të favorshme për biznesin, por pesëfishimi i gjobave për biznesin sipas tij është e parakohshme. “Në lidhje me pesë fishimin e gjobave e mbështes në parim që gjobat janë të larta. Rritja prej 5-fish mund të jetë e parakohshme sepse nuk është ky një kusht për ulur evazionin. Por opozita duhet të pranohet ndëshkimin të paktën nga një të bëhej 2 fish”, u shpreh ai, duke pranuar në këtë mënyrë se penaliteti për biznesin është jashtë cdo logjike.
Një kundërshtues i fortë i paketës fiskale ishte dhe deputeti socialist, Erion Brace i cili u shpreh se “keto ligje nuk vijne në të mirë të konsmatorit, por as të një biznesi të vogël, apo i mesëm, por për një target grup të caktuar pranë qeverisë, për interesa të ngushta”, u shpreh Brace.
Nëse qeveria këto ndryshime i ka konsdieruar si një paketë ndihmë për biznesin, duke ndihmuar dhe në uljen e evazionit fiskal, një mendim tjetër pati vetë sipërmarrja, por që tashmë pas një konsultimi formal të bërë në mbledhjen e Këshillit Konsultativ të Biznesit, nuk u mor në konsideratë.
Ndryshimet fiskale që u miratuan
Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat”
Bonuset nuk njihen si shpenzime, ndryshon kreditimi dhe deklarata individuale
Ligji “Për procedurat tatimore”
Pesëfish gjobat për mosdeklarim
Ligjet “Për tarifat doganore” dhe “Sistemin e taksave kombëtare”
Hiqet tarifa për kafenë e papjekur, vendoset për drurin
Ligji “Për sistemin e taksave vendore”
Taksa e biznesit të vogël i rikthehet Tatimeve
Ligji “Për TVSH”
Kushte të reja për heqjen e TVSH-së të makinerive dhe pajisjeve